Mbjelljet drejt shkatërrimit, bujqit kërkojnë kompensim

    Dëmet që u janë shkaktuar bujqve nga kafshët e egra muajt e fundit në komunën e Dibrës, por edhe më gjerë, janë shumë të mëdha. Derrat e egër, arinjtë dhe ujqit kanë rrënuar mbjelljet në fushat pjellore, sidomos në arat e fshatrave kufitare, por jo vetëm. Bujqit thonë se nuk ka pasur dëme të këtij niveli deri më tani. Pjesa më e madhe e të mbjellave pranverore është shkatërruar.

    Pikërisht për këtë shkak, një takim urgjent kanë zhvilluar udhëheqësia e Shoqatës së Gjuetarëve dibranë “Stogova 2” dhe kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela. Në takim janë përcaktuar masa konkrete për aktivitetet e shoqatës, me qëllim parandalimin e dëmeve që po shkaktojnë kafshët e egra në fushën e Dibrës, të cilat këtë sezon janë në numër të shtuar.

    Në kumtesën e Komunës së Dibrës theksohet se është debatuar për praninë e shtuar të kafshëve të egra dhe për masat që duhet të merren për të ndalur dëmtimin e mëtejshëm të të mbjellave në arat pjellore. “Në takim u shqyrtuan problemet që kanë bujqit me kultivimin e kulturave bujqësore dhe dëmet e mëdha që u shkaktohen nga kafshët e egra. Po ashtu u fol edhe për praninë e tyre në qytet dhe në fshatrat përreth, në kërkim të ushqimit, një fenomen që rrezikon sigurinë e qytetarëve”, thuhet në kumtesë.

    Nga ana e gjuetarëve u theksua se ata veprojnë në përputhje me ligjin dhe se aktiviteti i tyre aktual është brenda normave ligjore për gjuetinë. Ata potencuan nevojën që kafshët e egra në rajon të ushqehen, duke propozuar ngritjen e një shtëpie malore, objekt që do të plotësonte nevojat e të gjitha shoqatave në Dibër. Masat kundër kafshëve të egra, sipas tyre, do të merren në përputhje me Ligjin për Gjuetinë.

    Kryetari i Komunës, Fisnik Mela, dhe udhëheqësia e Shoqatës së Gjuetarëve “Stogova 2” informuan se në debat u konkludua që së shpejti do të ndërmerren masa për t’u dalë në ndihmë bujqve dhe për tejkalimin e situatës, e cila vlerësohet alarmante. Në këto aktivitete do të përfshihet edhe Shoqata e Bujqve në Dibër.

    Përfaqësues të Shoqatës së Bujqve dibranë për gazetën Koha deklaruan se dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, sidomos nga derri i egër dhe ariu, janë tepër shqetësuese. Sipas tyre, nëse nuk ndërmerren masa së bashku me gjuetarët, nga mbjelljet pranverore nuk do të mbetet asgjë. Ata shtojnë se dëmet në arat e fshatrave kufitare, si Spasi, Sollokiqi, Bomova dhe Shullani, janë shumë të mëdha. Shoqata thekson se bujqit duhet të kërkojnë kompensim edhe nga pushteti qendror, pasi dëmet janë të konsiderueshme.

    Lajmi Paraprak

    Filipçe: lidhjet e Stoilkoviqit me Moskën dhe kredia kineze janë sinjale të rrezikshme

    Lajmi i rradhës

    VETËM 1600 EURO PËR ALFABETIN! | Goditje e re për Muzeun e Manastirit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë