Gjithsej 1535 inspektime, prej të cilave 1008 inspektime të rregullta, 247 të jashtëzakonshme dhe 280 kontrolle të tjera. Kaq kontrollet ka kryer brenda vitit të kaluar Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, ndërsa ka identifikuar 300 shkelje ligjore, për të cilat janë marrë masa të menjëhershme. 300 vendime janë nxjerrë për të urdhëruar apo ndaluar disa aktivitete, ndërkohë që janë nisur procedura sanksionuese për rastet në fjalë.
Në të gjithë territorin e vendit, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë realizuar disa inspektime të jashtëzakonshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve, me qëllim të kufizimit të aktiviteteve të paligjshme në këtë sektor. Kontrolloret, siç thuhet në njoftimin e ISHM-së, janë zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Doganore, Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe institucione të tjera përkatëse.
“Gjatë vitit 2024, janë marrë gjithsej 72 ankesa nga qytetarët, të cilat janë dërguar përmes mjeteve të komunikimit të disponueshme – Facebook Messenger dhe Ueb-Reports. Në krahasim me dy gjashtëmujorët e mëparshëm të vitit 2023, numri i ankesave ka pësuar një rënie, falë masave parandalues të marra nga inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit. Ky rezultat është arritur përmes inspektimeve të rregullta të planifikuara dhe informimit të vazhdueshëm të publikut përmes kanaleve të komunikimit, ku qytetarët janë udhëzuar përkatësisht mbi llojin e problemit dhe se ku mund të drejtohen për adresimin e tij. Nga gjithsej 72 ankesa të pranuara, 3 kanë qenë të drejtuara për inspektorët e Departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit, ndërsa 69 ankesat e tjera kanë të bëjnë me veprimtaritë e inspektorëve komunalë/të autorizuar për mjedisin dhe inspektorëve komunalë të autorizuar për punët komunale”, thuhet në njoftim.
Ankesat më të shpeshta janë të lidhura me menaxhimin e mbetjeve, djegien e mbeturinave/kashtës në hapësira publike, zhurmat nga ambientet e hotelierisë, erërat e pakëndshme nga mbajtja e kafshëve shtëpiake, kanalet e kanalizimeve të stuhisë, gropat septike dhe sistemet e ujërave të zeza.
“Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë veprime për të gjitha ankesat, duke realizuar inspektime në terren, qoftë në mënyrë të pavarur, apo në bashkëpunim me një inspektor të autorizuar mjedisor nga komunat. Për ankesat që nuk binin në kompetencën e Ministrisë së Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, ato janë drejtuar te institucionet përkatëse, ose aplikantëve u janë dhënë udhëzime se ku të drejtoheshin për zgjidhjen e çështjes. Funksioni kryesor i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit është kryerja e mbikëqyrjes inspektuese në përputhje me rregulloret dhe aktet ligjore që rregullojnë çështjet e mbrojtjes së mjedisit, natyrës dhe menaxhimit të ujërave”, thuhet më tej në njoftim.
Ndryshe, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka juridiksion kryesor mbi degradimin e mjedisit dhe mediumeve, duke mbikëqyrur subjekte juridike që posedojnë Leje A të integruar mjedisore dhe duke lëshuar raporte përkatëse të cilat janë në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. /Koha/