Mbyllen bizneset e vogla në Tetovë, shkak kriza ekonomike

    Qendra e Tetovës/Fotografia: Nistori

    Çdo ditë e më shumë në Tetovë e rrethinë, biznese të vogla apo dyqane po mbyllen si pasojë e krizës ekonomike dhe energjetike. Rritja e çmimeve, ka bërë që kjo krizë, me të madhe të ndjehet nga banorët, të cilët, shprehen të shqetësuar se si do ta kapërcejnë dimrin. Një pjesë e madhe e tyre thonë se, këtë dimër përveç ushqimeve dhe lëndës për ngrohje, asgjë më shumë nuk do të ketë.

    “Shumë ka ndikuar kriza por ja s’kemi çka të bëjmë. E para gjë dru s’kemi, një mijë euro dhjetë metra dru janë bërë. Me çka të ngrohemi, ne jemi nga fshati. Edhe po të bësh dru nga mali sërish ke probleme. Ushqimet janë rritur tepër. Një litër vaj të blesh 150 denarë është bë, buka po ashtu edhe kur e blejsh bukën s’ka asgjë në të. Se di si do ia bëjmë me pensionin e babait 90 vjeç mbijetojmë”, tha një banor.

    “Ka ndikuar shumë kriza, çmimet janë ngritur rrogat poshtë janë. Unë marr 12 denarë pension, plus me qira jetoj. Punon dhe djali merr 22 000 por s’mund t’i mbërrijmë, edhe rrymën shumë e paguajmë. Sivjet veç për rrymën do punojmë më duket”, u shpreh një banor tjetër.

    “Krizë e madhe është bërë, shumë, por nuk është vetëm këtu është në përgjithësi. Sivjet me pakicë do bëjmë furnizime për çdo gjë”, tha një tjetër banor.Rritja e çmimeve, ka bërë që gjithnjë e më pak të frekuentohen marketet. Edhe ata pak konsumatorë që shkojnë blejnë vetëm gjërat më të nevojshme.“Shitësit në marketet e mëdha thonë se blerja me shumicë tashmë është reduktuar në gati pesëdhjetë për qind. Janë të rrallë ata njerëz që ofrohen për të blerë me shumicë miellin vajin apo produktet tjera ushqimore shkaku i krizës por dhe mungesës së parave”.

    Kryetari i Odës së Zejtarëve të Tetovës, thotë se, nëse para dy vitesh në këtë muaj, kanë bërë tre herë furnizime me mall për shitje, sivjet nuk ka arritur të harxhohet as edhe furnizimi i parë që kanë bërë në fillim të vitit.

    “Zejtarët asnjëherë nuk kanë fikur gjysmat e dritave nëpër dyqane, tash i fikin se iu vijnë shumë faturat. Është krizë jashtëzakonisht e madhe, si do e kalojmë dimrin nuk e di. Edhe atë një herë që mbushëm dyqanin se kemi harxhuar për dy vitet e fundit, jo për një vit. S’ka shitje malli. Pesëmbëdhjetë dyqane janë mbyllur vetëm në qendrën tregtare për sivjet, pesëmbëdhjetë që i kemi në shënime”, tha Mensur Arifi, Kryetar i odës së zejtarëve të Tetovës.

    Më të prekur rezultojnë dyqanet për rroba por edhe biznese të tjera, të cilat dita ditës, po mbyllen si pasojë e rritjes së çmimeve dhe pamundësisë për t’i mbuluar shpenzimet./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski: Anëtarësimi në BE është shans historik që nuk guxon dhe nuk duhet të humbiset

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë