Mbyllen klubet më të njohura në Ohër dhe Strugë – Inspektorati zbuloi shkelje të rënda të sigurisë!

    Disa klube nate në Ohër dhe Strugë këtë sezon turistik nuk do të punojnë, përfshirë edhe disa që në verat e kaluara ishin ndër më të njohurat dhe mbusheshin me mijëra të rinj nga e gjithë Maqedonia e Veriut dhe më gjerë. Kjo ndodhi pas konstatimit të mangësive në punën e tyre, dhe pasi inspektorët ua kërkuan eliminimin e tyre, për shkak se nuk iu leverdiste t’i zbatojnë, u tërhoqën nga veprimtaria, thonë nga Inspektorati Shtetëror për Mbrojtje dhe Shpëtim. Ata shtojnë se ndër vite nuk e kanë zbatuar ligjin për mbrojtje dhe shpëtim në mënyrë konsekuente. Në vend të materialeve rezistente ndaj zjarrit, objektet ishin të mbuluara me materiale lehtësisht të djegshme. Disa prej klubeve kanë marrë afat për t’u përshtatur me rregulloret. Ndërkohë, të gjitha koncertet e planifikuara janë anuluar.

    “Nga aspekti i mjedisit jetësor në Komunën e Ohrit, me qëllim që të ulet zhurma nga objektet përreth, i detyrojnë pronarët të vendosin sfungjerë dhe të bëjnë izolim – nga aspekti im kjo është e papranueshme sepse sfungjeri digjet shumë shpejt. Dhe tani jam vënë në situatë që ata e kanë veshur objektin me sfungjer, ndërsa unë i detyroj të vendosin sërish material rezistent ndaj zjarrit. Disa objekte kanë izolim cilësor sepse janë ndërtuar në ndërtesa banimi cilësore, ndërsa disa që janë improvizuar dhe janë shndërruar nga depo në disko, nuk kanë izolim të tillë, prandaj u kemi dhënë udhëzime”, tha Sasho Todoroski, Inspektor për mbrojtje dhe shpëtim.

    Janë konstatuar parregullsi edhe në objektet e tjera gastronomike, ndërsa disa prej tyre janë mbyllur përkohësisht. Për vite me radhë pronarët nuk kanë treguar kujdes të mjaftueshëm për detyrimet ligjore.

    “Mund të thuhet se diku janë përgjegjës në mënyrë të përkryer, diku jo deri në fund, por pas këtyre kontrolleve tona është rritur ndërgjegjësimi për këtë çështje dhe mendoj se këtë verë do ta presim të përgatitur me të gjitha masat kundër zjarrit në të gjitha objektet gastronomike. Më së shpeshti mungon sistemi për zbulim dhe alarmim automatik të zjarreve, diku dyert nuk hapen nga brenda për jashtë, por nga jashtë për brenda, diku mungon rrufepritësi. Rrjeti i hidrantëve është funksional, por diku ka mangësi – mungon një zorrë, apo mungon kjo apo ajo”, shtoi ai.

    Ndaj 6 objekteve gastronomike janë shqiptuar gjoba, ndërsa të tjerëve u janë dhënë masa që duhet t’i zbatojnë brenda 30 ditëve. Në qendrën tregtare “Amam”, për vite me radhë nga pronarët e dyqaneve janë uzurpuar tërësisht hapësira të caktuara, ndërsa nga frika e vjedhjeve kanë mbyllur daljet anësore me hekura. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Importet na kushtojnë shtrenjtë: çfarë thonë qytetarët për krizën e çmimeve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë