MD-ja thotë se i ka paguar ekipit mbrojtës të Thaçit mbi 3.5 milionë euro

    Ministria e Drejtësisë (MD) ka dal me një sqarim sa u përket pagesave për ekipin mbrojtës të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, që po gjykohet para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, pasi avokatët e Thaçit paralajmëruan tërheqjen nga rasti nëse nuk pranojnë pagesat.

    MD-ja tha se në përputhje me legjislacionin në fuqi për pagesën apo kompensimin e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë, realizon pagesave vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje.

    “Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa, për avokatët e tjerë potencialë, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga zoti Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave”, tha ministria.

    Më 19 janar të këtij viti, Gregory Kehoe, në emër të ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përmes një parashtrese tha se ish-eprori i UÇK-së “ka dështuar të përmbushë obligimet” sa u përket pagesave, prandaj avokatët kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nëse këto obligime nuk përmbushen.

    Megjithatë, MD-ja tha se ka realizuar pagesat për mbrojtjen e Thaçit për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023, në vlerë të përgjithshme prej mbi 3.5 milionë eurosh.

    “Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1.371.800.00 euro”, u tha në njoftimin e MD-së.

    Kuvendi i Kosovës më 2015 miratoi një Ligj që mundësoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Bashkë me të, deputetët miratuan edhe një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

    Por, me udhëzimin administrativ MD – Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

    Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave.

    Pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti paguan edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Në këtë kategori përfshihen bashkëshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.

    Gjykimi ndaj Hashim Thaçit ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka nisur në prill të vitit 2023. Ata ishin arrestuar më 2020 dhe gjenden në paraburgim në Hagë që atëherë. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

    Përveç gjykimit ndaj Thaçit dhe ish-eprorëve të tjerë që janë të përfshirë në një rast të përbashkët, aktualisht në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet procesi kundër Pjetër Shalës, i akuzuar për krime të pretenduara të luftës.

    Për krime të luftës deri tani Gjykata Speciale ka shpallur një aktgjykim të shkallës së parë kundër Salih Mustafës, i dënuar me 22 vjet burgim.

    Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për çka deri tani janë shpallur dy vendime fajësie. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Mitrevski: Dezinformatat vijnë nga të gjitha anët, në masë të madhe theksohen politikanët

    Lajmi i rradhës

    Kush i paguan avokatët pranë Gjykatës në Hagë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë