Me çfarë parash do të ndërtohet Qendra e re klinike?!

    “Për mua si ministër, që nga dita e parë e marrjes së funksionit prioritet numër 1 ishte dhe do të mbetet ndërtimi i Qendrës së re Klinike. Është një projekt kompleks i cili kërkon disa zgjidhje, mes të cilave është edhe pjesa financiare. Për shkak të mospasjes të zgjidhjes më të mirë financiare për këtë projekt, po vazhdojmë me rinovimin, adaptimin dhe avancimin e kushteve për punë në të gjitha klinikat tona në vend”, deklaroi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

    Këtë e deklaroi dje ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali para gazetarëve dhe kamerave. Ndërsa sot në takim vetëm me gazetarët, tregoi se Qendra e re Klinike do të ndërtohet në “Vele Pole” me para të huaja.

    “Qendra e re Klinike do të duhej të ishte jashtë qytetit. Kishte dy opsione: Ilindeni dhe Vele Pole (Gjorçe Petrov), por duke pasur parasysh se lokacioni i parë është zonë industriale dhe tashmë janë shitur të gjitha lejet për ndërtim, mbetet vetëm Vele Pole. Do të ndërtohet me para të huaja”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

    Opozita këtë e sheh si një huamarrje të re. Dyshojnë se për projektin në fjalë është përgatitur studim. Edhe vitin e kaluar premtonin, kurse nuk ka dokumentacion në pjesën e infrastrukturës, thonë nga VMRO-DPMNE.

    “Gënjeshtrat vazhdojnë tashmë 6 vite me radhë. Vetëm po premtohet, çdo vit – së shpejti do të nisë ndërtimi. Këto premtime janë të kota, shëndetësia shtetërore është në kolaps në dëm të qytetarëve. Po të mos vidhnin, do të kishte para për gjithçka“, thonë nga VMRO-DPMNE.

    Qeveria e kaluar e VMRO-DPMNE-së premtonte një Qendër Klinike në vitin 2011, kurse në 2014-tën kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski dhe ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, prenë shiritin e kuq, duke shënuar fillimin e ndërtimit. Prej atëherë, mbeti vetëm një gropë të hapur në vendin e Klinikës së dikurshme të Gjinekologjisë. Përpjekjen e fundit për nisje të punimeve, VMRO-DPMNE-ja e bëri 10 ditë para se të largohet nga pushteti, duke lidhur marrëveshje me firmat “Granit”, “Beton” dhe një kompani italiane në vlerë prej 72 milionë eurove. LSDM-ja, pasi erdhi në pushtet në vitin 2017 gjithashtu paralajmëroi se do të ndërtojë një Qendër të re Klinike. Sipas tyre, bëhet fjalë për një krim të mundshëm në lokacion joadekuat dhe se nuk dihet sa do të kushtojë. Në ndërkohë çmimi i paraparë për ndërtimin e kompleksit klinik u rrit në rreth 500 milionë euro.

    Lajmi Paraprak

    Kur do t’i kërkohet të falur kombit shqiptar për palo Konferencën e Londrës?

    Lajmi i rradhës

    Liqeni nis të zbrazet, reagojnë dibranët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë