Liqeni nis të zbrazet, reagojnë dibranët

    Këto ditë vërehet ulje e konsiderueshme e nivelit të ujit në Liqenin e Dibrës. Këtë e vërejnë dibranët e shumtë, të cilët këto ditë freskohen në ujërat e Liqenit, pronarët e objekteve afariste dhe shërbyese që janë në bregun e Liqenit, por uljen e nivelit e pohojnë edhe përfaqësuesit e Hidrocentralit “Spilje”. Dibranët këtë situatë e komentojnë si rritje të prodhimtarisë të rrymës elektrike në hidrocentralin “Spilje”, hidrocentral i cili është pjesë e Sistemit të Hidrocentraleve të Drinit të Zi. Udhëheqësi i hidrocentralit, Xheladin Imeroski për gazetën KOHA deklaroi se prodhimtaria e rrymës elektrike në hidrocentralin i cili gjendet në afërsi të Dibrës dhe shfrytëzojnë ujërat e Liqenit të Dibrës është e rregullt.

    “Në disa momente punojnë dy dhe në disa momente të tjera – hidrocentrali punon në tre turbina. Puna e hidrocentralit varet nga kërkesat që bëhen nga qendra e Elektro Ekonomisë së Maqedonisë. Është një dinamikë e prodhimtarisë së rrymës elektrike në përputhje me planin vjetor dhe me nevojat të EEM”, arsyetohet udhëheqësi i hidrocentralit, Imeroski. Në pyetjen tonë nëse ka rritje të prodhimtarisë së rrymës pasi niveli i ujit ka rënë dukshëm, drejtori thotë se këto ditë ka një ulje të lehtë të nivelit të ujit të liqenit të Dibrës. “Por bëhet fjalë për një ulje që ka të bëjë me prodhimtarinë e rrymës elektrike”, shton ai. Biseduam edhe me disa pronarë të objekteve afariste që gjenden në bregun e Liqenit të Dibrës. Ata theksojnë se ditëve të fundit ka një ulje të bregut të liqenit. Pronari i restorantit “Drilon”, Urim Lleshi për gazetën KOHA thotë se rënie të ujit të liqenit të Dibrës kanë vërejtur që para tre ditëve. “Ulja është e lehtë, por ndjehet dhe vërehet. Nëse kështu vazhdon, pritet që shumë shpejt niveli i ujit të tërhiqet në përmasa të mëdha”, thotë Lleshi. Po të njëjtat vlerësime i japin edhe pronarët të tjerë të objekteve që këto ditë janë për plotë me vizitor.

    Në lidhje me situatën e nivelit të ujit biseduam edhe me dibranë të cilët pothuajse çdo ditë rekreohen dhe freskohen në ujërat e liqenit të Dibrës. Agimi, Afrimi dhe Jetoni janë shokë të cilët pothuajse çdo ditë janë në bregun e liqenit. Në lidhje me nivelin e Liqenit të ujit, ata thonë se vërejnë për çdo ditë një ulje të ngadalshme të nivelit. Kjo vërehet edhe sot, thonë ata dhe shtojnë se nëse kështu vazhdon ulja e nivelit atëherë pritet që të paraqiten problem edhe me nivelin e ujit në plazhin kryesor të liqenit, ku janë vendosur edhe objektet shërbyese dhe afariste. Njëherit shoqata e peshkatarëve sportiv, por edhe shoqatat e ekologëve kanë potencuar se ulja e nivelit të liqenit nëse merr përmasa të gjëra siç ka qenë viteve të kaluara do të shkaktoj problem edhe me florën dhe faunën të liqenit. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Me çfarë parash do të ndërtohet Qendra e re klinike?!

    Lajmi i rradhës

    Bujqësia as për idare!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë