Kur do t’i kërkohet të falur kombit shqiptar për palo Konferencën e Londrës?

    HYQMET ZANE

    Sa herë bëhet fjalë për An glinë, menjëherë më vjen në mendje Konferenca famëkeqe e Londrës që na ndau në 6 pjesë dhe na la në derë armiqësitë e fqinjëve ndaj shqiptarëve. Janë 110 vite që ka ndodhur dhe vazhdon e njëjta sjellje ndaj këtij kombi. Para disa vjetësh, studiuesi Afrim Krasniqi, në opinionin e tij shkruante: “Markus Burger, qytetar gjerman, vjen në Shqipëri dhe nderon viktimat e Luftës së Dytë Botërore në Borovë.

    Arsyeja: babai i tij ishte ushtar në ushtrinë gjermane të Hitlerit dhe pjesëmarrës në vrasjet masive të 6 korrikut 1943 në Borovë. Atë nuk e ka detyruar askush të vijë dhe të flasë, përveç ndërgjegjes së tij. Ai nuk ka asnjë detyrim ndaj banorëve të sotëm të Borovës, por sillet, reagon, flet dhe të bind se ka ardhur të kërkojë ndjesë për diçka për të cilin nuk ka pasur as dijeni, as lidhje direkte. Babai ishte ushtar, zbatoi urdhër dhe nuk është fajtori direkt, sidomos në kohë të çmendur lufte. Gjithsesi, midis babait dhe viktimave zgjedh viktimat kur shprehet se “nuk jam këtu të zvogëloj dhimbjen dhe keqardhjen.

    E vetmja gjë që unë jam i aftë të bëj, është që ta ndaj këtë përkujtimore me ju dhe t’ju kërkoj falje për atë që ka bërë babai im këtu”. Janë fjalë humane, njerëzore, dinjitoze të një qytetari gjerman, europian, të lirë dhe me integritet të lartë moral”. E bukur dhe e gjetur, e saktë dhe e vërtetë, një shembull që duhet të jetë një memorial për të gjithë ata që kanë bërë krime ndaj këtij populli, po aq sa edhe vetë diktatura dhe trashëgimtarët e tyre duhet të kërkojnë falje për krimet që i bënë këtij populli.

    Kur mora vesh se ish-Kryeministri anglez, Toni Bler, do të jetë këshilltari personal i Edi Ramës, përnjëherë vetiu më erdhi në mendje një fakt se pikërisht në këtë muaj, 109 vjet më parë, u vendosën fatet e kombit shqiptar që të ndahej në 6 pjesë. A do të bëjë një gjest të tillë, të kërkojë të falur ky përfaqësues i shtetit anglez që ka qenë Kryeministër për disa mandate?

    Vitet kaluan dhe Toni Bler mbeti vetëm një përvetësues i taksapaguesve shqiptarë, gjithnjë përfitues pa asnjë kontribut ose për kontribute të mbrapshta që i janë bërë këtij shteti në 9 vite qeverisje. Nëse një gjerman i thjeshtë vjen një ditë të bukur pas 79 vjetësh që t’i kërkojë falje një fshati dhe në tërësi shqiptarëve për një vrasje me 100 viktima, Konferenca e Londrës kreu një krim shekullor dhe vrau një komb të tërë për 100 vjet. “History repeat it self” (Historia përsëritet) na mëson historia që e thotë anglishtja e Toni Bler.

    HISTORIA

    Para se të vinte 29 korriku 1913, kur diplomacia europiane foli në Konferencën e Londrës, duke i marrë tokat e shqiptarëve në Veri, në Lindje dhe në Jug, duke ua dhënë ato fqinjëve, tragjeditë antishqiptare të fqinjëve tani e lanë me gjak atë Konferencë. Ishte koha kur grekë e serbë kryenin njëra pas tjetrës aktet e shfarosjes masive të popullatës vendase, si dorë e lirë që u la mendjelehtësia europiane këtyre antishqiptarëve.

    Njëherazi pas kësaj Konference në fakt do të shkaktoheshin luftëra të përditshme ndaj atyre shteteve nga ana e shqiptarëve për të mbrojtur tokën e tyre. Këtë fakt e ka dhënë dukshëm edhe G. Villiams në librin “Shqiptarët” – në botimin e vitit 1934 në Tiranë, në faqe 37. Përfaqësuesit e shtetit shqiptar në Londër (kryenegociatori Rasih Dinon, djali i Abedin Pashë Dino, Mehmet Konicën dhe Filip Nogën) e bënin me dije Europën se kombi shqiptar edhe në të kaluarën ka dhënë prova të mjaftueshëm për bujarinë e koncepteve të tija politike.

    Te shqiptarët, interesi kombëtar është paravendosur gjithmonë mbi terren sa dhe sa konflikteve dhe luftërave fetare. Në mbyllje të kësaj parashtrese thuhej tekstualisht: “Populli shqiptar është i lindur, qe në rregullimin e konfliktit të sotëm, Fuqitë e Mëdha nuk do të lënë pas dore shqyrtimin e pikave të ngritura në këtë Memorandum dhe nuk do të jenë aspak të pavëmendshëm kundrejt kërkesave të drejta të një kombi të denjë për një fat më të mirë…” (AQSH, Tiranë, fondi 245, viti 1913, dosja 11-19, fleta 34).

    Mid’hat Frashëri, në librin e vet “Shqiptarë dhe Sllavë”, përpos të tjerave, shkruan përpikërisht: “A mund të merret me mend që Shqipëria e kufizuar nga Konferenca e Londrës më 1913-ën të jetë një Shqipëri e shëndoshë dhe solide? Asaj i janë privuar tokat më të mira që kishte, fushat më të bukura, qendrat më të rëndësishme dhe i janë shkëputur dy të tretat e popullsisë.

    Tokat pjellore të Janinës dhe Prevezës, kullat e famshme të Çamërisë, iu dhanë Greqisë…” (Mid’hat Frashëri, “Shqiptarë dhe Sllavë”, botuar në frëngjisht në Lozanë, Zvicër, më 1919, dhe në shqip në Tiranë 1997, faqe 61). Pikërisht në këto momente kur dihej se çfarë përfundimesh do të sillte Konferenca e Londrës, 27 marsi 1913 u dha vulën e fillimit padrejtësive të diplomacisë europiane, sa andartët grekë bënë masakrën e Prroit të Selanit ku u therën si bagëtia 72 krerët e Çamërisë, që do të vazhdonte vit pas viti e kohë pas kohe deri edhe sot e kësaj dite që Greqia juridikisht është në luftë me Shqipërinë.

    Në një prononcim të tyrin, anëtarë të komunitetit çam nga Paramithia, ku edhe u bë masakra e parë greke ndaj shqiptarëve, Nexhat Merxhushi dhe Mehmet Minga, e kanë cilësuar këtë si “masakra e pashembullt e Selanit, për shkombëtarizimin dhe spastrimin etnik të popullsisë çame” është një letër që hedh dritë mbi skenarin ogurzi të shfarosjes së krerëve çamë, drejtuar komandës italiane në Paramithi më 1917. Për realizimin e misionit të helenizimit, të shkombëtarizimit dhe spastrimit etnik sipas “Megali Idesë, pas ndarjes së kufijve në vitin 1913, një ushtri me grekër, e organizuar dhe e maskuar me njerëz civilë (banda andartësh), u dërgua në Çamëri dhe në thellësi të territorit shqiptar, ku bëri krime e masakra të llahtarshme, duke vrarë e duke djegur.

    Për këto krime dëshmon historiania dhe shkrimtarja angleze Edit Durham në librin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”. Ka mbetur proverbiale thënia kur një gjyshe sheh një fëmijë që vrapon shumë dhe nga meraku që ka se mos rrëzohet dhe vritet, i thotë “ç’ke more bir që vrapon kështu sikur të ndjek greku prapa”, çka nuk ka nevojë për koment. Ndoshta për këto fakte dhe për atë se Paramithia u bë djepi i atdhetarizmit, por edhe i masakrave, ajo mund të quhet me plot gojën si “qyteti i gjenocidit grek”. 109 vjet më parë u vranë 72 krerët e Çamërisë dhe Konferenca e Londrës u bë parathënia e asaj fatkeqësie, duke i përfunduar punimet më 29 korrik 1913.

    Mostrajtimi zyrtar, mospërmendja dhe moszgjidhja me konsiderimin si një masakër tipike dhe si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ndoshta do të bindte edhe vetë Toni Bler që të bënte një gjest moral për të kërkuar falje edhe në emër të kryeqytetit të vendit të tij, ku u zhvillua kjo konferencë famëkeqe dhe ogurzezë për shqiptarët, por falje edhe në emër të viktimave që pasuan gjatë dhe pas asaj konference. Ai i pa me sytë e tij pasojat e Konferencës së Londrës më 1999 në Kosovë, çka kam të drejtën ta dyfishoj kërkesën për faljen publike.

    KONFERENCA E LONDRËS

    Diplomacia mendjelehtë europiane, duke marrë tokat e shqiptarëve në Veri, Lindje dhe Jug dhe duke ua dhënë ato fqinjëve të tyre, në fakt do të shkaktojnë luftëra të përditshme ndaj atyre shteteve”(G. Villiams, “Shqiptarët”, Tiranë, 1934, faqe 37). Ndërsa sa u përket kufijve, deklarimi i përfaqësuesve të qeverisë së Vlorës ishte tejet i vendosur: “Kufijtë që ne kërkojmë janë ata që duhen shënuar duke ndjekur një vijë ndarëse, duke u nisur nga kufijtë e sotëm të Mbretërisë Malazeze dhe duke përfshirë veçanërisht, me gjithë rrethinat përkatëse, qytetet e Pejës, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit dhe Manastirit deri në Meçovë, duke u ruajtur këtyre kufijve e sotëm deri në Prevezë.

    Duke kërkuar këtë caktim kufijsh, populli shqiptar synonte vetëm qëllimin për të mbajtur me fqinjët e vet marrëdhënie sa më të përzemërta aq edhe të qëndrueshme. Pavarësisht nga çështjet etnike gjeografike dhe historike që ndikojnë në favor të këtij caktimi të arsyeshëm, është e nevojshëm se duke e zvogëluar atë dhe duke e ngushtuar përtej kufijve të natyrshëm të saj, Europa do të rrezikonte vënien e shtetit shqiptar në një pamundësi materiale për tërë jetën e vet, duke mos pasur kështu, në pikëpamje ekonomike, burimet e domosdoshme për zhvillimin e tij normal” (AQ i Shtetit, Tiranë, Fondi 245, viti 1913, dosja 11-19, fleta 34). Ndoshta zoti Bler duhet të dijë se kombi shqiptar ekziston jo se në krye të qeverisë do të ishte një Kryeministër më i keq i mundshëm i kombit shqiptar, por ka ekzistuar që nga lashtësia me pellazgët dhe Pirron e Epirit e deri tek Ilirët e më pas Dardanët e kështu deri në ditët e sotme, ashtu si edhe para 109 vjetësh, kur u bë Konferenca e Londrës. Ky komb do të ekzistojë edhe pas Edi Ramës dhe historia nuk fal, sepse “History repeat it self” (Historia përsëritet). Kështu, në një protestë që populli i Lushnjës i dërgonte Ser Eduard Greit, në ato momente, për më tepër, ndër të tjerave, thuhej:

    “Nga gazetat merret vesh se në Çamëri, e cila si nga pikëpamja e gjuhës, ashtu edhe nga traditat kombëtare dhe sidomos nga pikëpamja e jetesës, si dhe pozita historike dhe gjeografike, është padyshim Shqipëri, po caktohet një kufi që nuk është në interes të dy qeverive dhe do të shkaktojë shkatërrimin dhe zhdukjen e këtij vendi… Të drejtat e Shqipërisë që ekzistojnë brez pas brezi në këtë vend nuk mund të mohohen dhe nuk është e drejtë që populli i Çamërisë të zhvishet dhe të veçohet nga vendi ku e lidh gjaku dhe gjuha.

    Kjo gjë godit rëndë popullin e Shqipërisë së Jugut dhe natyrisht do të shkaktojë ngatërresa të përhershme, të cilat Fuqitë e Mëdha kërkojnë t’i evitojnë. Nën përshtypjen e keqe të këtij lajmi, populli i madh e i vogël, pa dallim feje, sot u mblodh në një miting dhe i drejtohet konferencës, duke iu lutur me lot zie në sy, që Çamëria, e cila banon një pjesë me rëndësi të Shqiptarëve dhe që sot po vajton nën këmbët e dërmuese të armikut, të lihet brenda në kufi të Shqipërisë së Jugut” (Arkivi Qendror i Shtetit, Tiranë, Fondi 245, dosja 11-19, faqe 67).

    Në mënyrë shumë të përmbledhur, në librin e vet “Shqiptarët”, lidhur me precedentin e copëtimit të Shqipërisë në Londër, Villiams do të shprehej: “Diplomacia mendjelehtë europiane, duke marrë tokat e shqiptarëve në Veri, Lindje dhe Jug dhe duke ua dhënë ato fqinjëve të tyre, në fakt do të shkaktojnë luftëra të përditshme ndaj atyre shteteve” (G. Villiams, “Shqiptarët”, Tiranë, 1934, faqe 37). Që “History repeat it self” (Historia përsëritet), këtë nuk duhet ta harrojë asnjë shqiptar që kaloi një diktaturë nga më çnjerëzoret dhe po aq nuk duhet harruar se Konferenca e Londrës vrau një komb të tërë shqiptar brez pas brezi dhe sot vendi i këtij kombi është i ndarë padrejtësisht jo si një mëkat prej Zotit, por si një dëshirë antihumane, antinjerëzore e kryer me dashje dhe që fatkeqësisht do të vazhdojë derisa të humbë plotfuqishmërinë e saj kjo Konferencë dhe një tjetër të vërë në vend dinjitetin e një kombi si shqiptarët.

    Studiuesi shqiptar i mirënjohur për botimet e tij historike dhe ekologjike, e gjen të udhës të japë një opinion të tij që vlen të konsiderohet edhe si një mesazh për të ardhmen, kur shprehet se “Gjashtë Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës (filloi më 1912-u mbyll më 1913) për të mbrojtur interesat e tyre dhe të fqinjëve tanë të pangopur, në 29 korrik 1913 morën një vendim të padrejtë, duke njohur me pak se gjysmën e territorit dhe më pak se gjysmën e popullsisë si Principatë Sovrane të Shqipërisë. Duke masakruar tokat shqiptare, këto shtete morën mbi vete aktet kriminale që u kryen mbi shqiptarët për një periudhë njëshekullore që vazhdoi deri në ditët e sotme me gjenocidin mbi popullsinë myslimane dhe me mohimin e të drejtave më elementare dhe asimilimin e dhunshëm ndaj popullsisë ortodokse shqiptare. Ka ardhur koha që Konferenca e Londrës të konsiderohet një organ kriminal kundër njerëzimit në nivel ndërkombëtar”. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Parandalohet kontrabanda e ilaçeve veterinare në kufirin Maqedoni-Shqipëri

    Lajmi i rradhës

    Me çfarë parash do të ndërtohet Qendra e re klinike?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë