Me dimrin vjen edhe ndotja në Maqedoni!

    Amvisëritë dhe ngrohja me dru është një nga shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit. Këtë e konfirmon edhe Raporti për cilësinë e ajrit i përgatitur nga Grupi i Ndër departamenteve i përbërë nga 17 institucione shtetërore dhe organizata qytetare mjedisore që tregoi se ngrohja e shtëpive është burimi më i madh i ndotjes së ajrit. Bile të dhënat tregojnë se gati dy të tretat e popullsisë në Maqedoni, pra 62 për qind, ngrohen ose gatuajnë me dru. Përskaj drurit edhe ngrohja me naftë dhe mazut shkakton ndotjen e lartë në vend.

    Nga ana tjetër, izolimi i dobët i banesave dhe trupat joefikase për ngrohje kontribuojnë që konsumi i energjisë për ngrohje në Maqedoni të jetë dy deri në tre herë më i lartë në krahasim me Evropën Perëndimore. Në raportin për rritjen e gjelbër të Bankës Botërore, theksohet se trendi i rritjes së përdorimit të druve për zjarr është ndër arsyet pse ndotja e ajrit në Maqedoni është ndër më të mëdhatë në Evropë. Emetimet e dioksidit të karbonit dhe grimcave të ngurta, të cilat ndër të tjera krijohen për shkak të mënyrës së ngrohjes së banesave, e renditin vendin tonë në vendin e pestë në Evropë për sa i përket vdekjeve nga ndotja e ajrit, sipas analistëve të Bankës Botërore.

    Ambientalistët shtojnë se edhe djegia në të hapur, emetimet nga industria, deponitë historike me mbetje, urbanizimi i pakontrolluar, ndotja nga ngrohja dhe trafiku janë faktorët kryesorë të njohur që prej vitesh ndotin mjedisin në vend, i cili është shkaku i rasteve të shumta të vdekjeve të parakohshme dhe rrezikimit të shëndetin e qytetarëve. Nga ana tjetër, ndotja me karbon elementar (blozë ose karboni i zi) – një nënprodukt i lëndëve djegëse fosile të djegura nga makinat, termocentralet me qymyr dhe ndotës të tjerë nuk matet fare. Kjo matje është futur në shumë vende, pasi sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), nga 28 përbërësit bazë të karbonit që ndodhin, 14 janë kancerogjenë.

    “Përveç të diturit se cilat janë përqendrimet në një moment të caktuar, duhet të dini gjithashtu se çfarë përmbajnë ato grimca: përbërjen kimike dhe mineralogjike, përqendrimin e joneve të tretshëm në ujë, përqendrimin e karbonit elementar. Është një tërësi e të dhënave dhe nevojiten matje shtesë të atyre që i kemi që të mund të përcaktojmë pjesëmarrjen e burimeve individuale dhe kjo është baza për marrjen e masave të duhura për kontrollin e ndotjes”, thotë profesori Dejan Mirakovski.

    Shkupi, si kryeqytet, mban peshën kryesore të krizës së gjatë të ndotjes së ajrit, si një vend që përjeton urbanizim të përshpejtuar, dhe ajri që thithin qytetarët e tij është një koktej toksik i kombinuar me emetimet nga ngrohja shtëpiake, trafiku dhe ndotësit industrialë. Drejtuesit e institucioneve shumë herë kanë premtuar modernizimin e transportit publik, të sistemeve të ngrohjes të cilat ende përdorin mazutin si lëndë djegëse, masa të tjera si ndërprerja e punës së kapaciteteve industriale që paraqiten gjithashtu si ndotës të mëdhenj, por situata ka mbetur e njëjtë.

    “Është iluzore të mendosh se problemin e ndotjes së ajrit mund ta zgjidhim për dy, tre apo katër vjet. Praktika tregon se kjo ndodh nga dhjetë deri në 20 vjet, sikur edhe në metropolet tjera botërore”, thotë ministrja e Ambientit Jetësor, Kaja Shukova.

    Sipas saj, kryeqyteteve u duhen disa vite për t’u përballuar me këtë problem, për kalimin nga sistemet e ngrohjes jo ekologjike në sistemet e ngrohjes ekologjike, të cilat e ndotin më pak ajrin. Shukova nuk pajtohet se Shkupi është ndër qytetet më të ndotura në botë.

    “Bëhet fjalë për disa ditë të caktuara të vitit, por periudhën e fundit numri i atyre ditëve është në rënie. Dhe, kjo do të thotë se kemi marrë masa të caktuara. Beteja me ndotjen duhet të jetë e përbashkët dhe shpresoj të jetë rritur sadopak ndërgjegjësimi i qytetarëve, që të mos përdorin materiale jo ekologjike për t’u ngrohur”, thekson Shukova.

    Nga shoqata ekologjike “Nisma O2” thonë se është e pakuptueshme se si institucionet, jo vetëm që nuk ndërmarrin masa, por edhe ulin fondet kur dihet fakti se qytetarët paguajnë dukshëm më shumë për taksat mjedisore.

    “Nuk ka para për ekologjinë, ndërkohë më shumë se 3.000 qytetarë tanë vdesin çdo vit për shkak të ajrit të ndotur. Kjo është e papranueshme”, thonë nga shoqata “Nisma O2”.

    Pavarësisht premtimeve të shumta, projekteve е ligjeve të ndryshme të miratuara, Maqedonia e Veriut edhe këtë vit do të përballet me ndotje të madhe të ajrit, në veçanti me uljen e temperaturave. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Përmes “pajtimit” deri te ndryshimet kushtetuese!

    Lajmi i rradhës

    Ikja e fuqisë punëtore lëkund stabilitetin e Fondit Pensional në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë