Përmes “pajtimit” deri te ndryshimet kushtetuese!

    Zgjedhjet do të mbahen në mandatin e rregullt, dhe takimi i liderëve është i mundur nëse në të diskutohen ndryshimet kushtetuese. Këto janë mesazhet e vjetra të qeverisë për VMRO-DPMNE-në opozitare, pas kërkesës së kryetarit të partisë për të mbajtur një takim liderësh për të diskutuar për procesin zgjedhor, datat e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, etj.

    “Zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje, prandaj zgjedhjet do të mbahen në mandatin e rregullt – në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe përveç kësaj, nëse VMRO-DPMNE-së i pengon BDI-ja në menaxhimin e shtetit, automatikisht kemi treguar vullnet i fortë dhe qëndrojmë pranë atij vendimi – tërhiqemi nga pushteti ekzekutiv, në momentin kur do të votojnë ndryshimet kushtetuese”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas promovimit të djeshëm të projektit për furnizim me ujë në zonat e banuara në komunën e Sarajit.

    Në të njëjtin drejtim mesazh ka dërguar edhe nënkryetari i LSDM-së dhe zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi. Takim të liderëve, tha ai, mund të ketë, por vetëm për një temë – ndryshimet kushtetuese, si lëvizje strategjike dhe gjeopolitike për të ardhmen e vendit.

    “Madje do të sugjeroja një temë tjetër për diskutim në takimin e liderëve, se cilin nga kapitujt do ta hapim së bashku së pari për ta çuar vendin përpara”, tha Bytyqi. Zëvendëskryeministri është i sigurt se do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe se ka deputetë të VMRO-DPMNE-së që do të votojnë për të ardhmen e shtetit. “Jam i bindur se në Parlament janë 8 burra dhe gra që do të përbëjnë 2/3”, tha Bytyqi gjatë një paraqitje televizive. Një besim të tillë ai e shprehu disa muaj më parë, por optimizmi i tij nuk u konfirmua.

    GJYKATA SUPREME KA FJALËN E FUNDIT

    Çfarë mund të ndryshohet, duke qenë se VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese? Spekulimet flasin për mundësinë e thyerjes së atij qëndrimi me ndikim anësor në partinë opozitare, dhe si ekzekutues i kësaj potencohet ish-kryetari i partisë, Nikolla Gruevski. Ndonëse vazhdimisht e ka mohuar pjesëmarrjen e tij në aktivitete të tilla, VMRO-DPMNE ka shprehur dyshimin se ndryshimi i diskutueshëm i disa dispozitave të Kodit Penal ka përkuar me propozimet e njëjta të dërguara nga Gruevski në tri adresa politike në vend. Dyshimi i dytë në opinion erdhi pas spekulimeve se është dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Supreme, e cila në rast të një vendimi pozitiv çon në një epilog të tillë – se Gruevski së shpejti do të kthehet në Maqedoni.

    “Për shkak të interesit të opinionit dhe mediave, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton se në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut është dorëzuar Iniciativa për të vendosur qëndrim parimor dhe mendim parimor juridik për disa çështje që kanë të bëjnë me procedurën penale, duke përfshirë edhe pyetjen për falje e ish-presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov. Iniciativën e ka paraqitur Mile Naumovski, avokat nga Shkupi”, njoftuan nga Gjykata Supreme.

    Nisma u dorëzua në fund të qershorit dhe fakti që opinioni e mori vesh tani, shkaktoi spekulime të mëtejshme. Madje përflitet edhe për “termin të caktuar” se kur do të kthehej Gruevski në vend, për të “ndihmuar” me ndryshimet kushtetuese, duke thyer qëndrimin aktual partiak, përkatësisht duke iniciuar përçarje të brendshme në VMRO-DPMNE. Por e gjithë kjo do të ishte e mundur vetëm pas një qëndrimi të mundshëm pozitiv të Gjykatës Supreme për Iniciativën e paraqitur nga avokati, sepse do të nënkuptonte konfirmimin e faljeve nga ana e Ivanovit, përkatësisht shpëtimin nga ndjekja penale e të gjithë zyrtarëve të falur, përfshirë edhe Gruevskin.

    ME KALË TË BARDHË

    A shtyhen politikisht gjërat në atë drejtim, nën etiketën e “pajtimit”? I pyetur për këtë, sipas Bytyqit, Gruevski mund të kthehet vetëm duke pranuar veprat që ka bërë – pajtimi mund ta zbusë deri diku dënimin, por nuk do të thotë amnisti. Burime nga LSDM-ja besojnë se kjo nuk do të ndodhë dhe theksojnë qëndrimin e ish-kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, kur ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të Shkupit për anulimin e aktgjykimit në “Target-Fortesa” për përgjimet masive të paligjshme në tokë. “Çfarë ka më pas, që Mijalkov të bëhet drejtor i ASK-së, dhe Gruevski të kthehet i pafajshëm me kalë të bardhë? Edhe nëse nesër bëhemi anëtarë të BE-së, kjo nuk do ta lajë këtë turp”, kishte shkruar në atë kohë Zaev në Facebook.

    Edhe partia opozitare është e bindur për unitetin e tyre dhe se Maqedonia do të ketë një qeveri të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

    “Ne jemi para dy fitoreve historike, si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe ato parlamentare, kurdo që të ndodhin – qoftë këtë vit apo vitin e ardhshëm. Askush nuk ka mundur një popull. Kushdo që përpiqet të manipulojë se nuk varet nga ju, nuk thotë të vërtetën, po manipulon. Gjithçka varet nga ju. Nga ata varen gjashtë vitet e kaluara, nga ju do të varen katër vitet e ardhshme”, tha dje Mickoski nga Bosillova dhe bëri thirrje për mobilizim.

    Ai tha se në 15 muajt e fundit VMRO-DPMNE dhe koalicioni në Parlament kanë luftuar për mbrojtjen e identitetit maqedonas dhe për mbrojtjen e asaj që po shet qeveria. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Si ta kuptoni nëse keni mungesë të vitaminës B12

    Lajmi i rradhës

    Me dimrin vjen edhe ndotja në Maqedoni!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë