Ministria e Vetëqeverisjes Lokale po punon për një model të ri të organizimit territorial dhe të vetëqeverisjes lokale, i cili parashikon zvogëlimin e numrit të komunave dhe uljen e numrit të rajoneve planore. Modeli i ri i organizimit territorial dhe i vetëqeverisjes lokale do të kishte tre baza kryesore: efikasitet më të madh në funksionimin e vetë pushtetit lokal (qeverisja komunale), pastaj vetëqeverisja lokale duhet të ketë bashkëpunim shumë më të mirë me pushtetin qendror dhe së treti, por jo më pak e rëndësishme, krijimi i një mjedisi, mekanizmash, modelesh dhe instrumentesh që do të jenë shumë më tepër në funksion të përmirësimit të jetesës së popullsisë lokale.
Sipas ministrit aktual të Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, teorikisht realizimi i projektit do të mund të realizohej deri në fund të vitit 2024. Mirëpo, për fat të keq, temat politike dhe mjedisi që dominojnë në shoqëri për një kohë të gjatë nuk lënë hapësirë për pritjen se ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale shpejt do të vijnë në rend dite në Parlament. Çështja bëhet edhe më e ndërlikuar nëse dihet se duhen dy të tretat e votave dhe shumica e Badenterit për miratimin e tyre.
Modeli aktual dhe organizimi territorial i vetëqeverisjes lokale në praktikë tregojnë dobësi kronike, të cilat reflektohen përmes mosfunksionimit financiar të disa komunave më të vogla, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në krijimin e sfidave të paparashikuara për të cilat Qeveria duhet të kërkojë gjithashtu zgjidhje.
“Qëndrimi parimor, nga i cili jemi udhëhequr gjatë organizimit të komunave njëzet vjet më parë, se pushtetit lokal duhet t’i jepen të drejta maksimale për një organizim dhe funksionalitet më të mirë të jetës së qytetarëve, u përball me situatën reale që nuk kemi një mekanizëm të ndërtuar mjaftueshëm përmes të cilit komunitetet lokale mund të menaxhojnë burimet, kapacitetet dhe financat e veta në mënyrë të kënaqshme dhe të qëndrueshme. Shumë shpejt u tregua se kur ndjehet mundësia e një përfitimi nga një vendim i caktuar, është lehtësisht e pranueshme nga vetëqeverisjet lokale që të funksionojnë jashtë të gjitha rregullave dhe standardeve. Kjo është më e dukshme në ‘mos standardizimin’ urban (sidomos në Shkup), kur komunat u lejuan të lëshonin leje ndërtimi. Një nga dobësitë më të dukshme të vetëqeverisjes lokale është se ata nuk e kanë ndjenjën e interesit të përgjithshëm, gjegjësisht atë gjithmonë nisen nga mundësia e përfitimit”, thotë profesori Ilija Aceski, i cili ishte pjesë e komisionit të parë për riorganizimi i vetëqeverisjes lokale në vitin 2004.
Sipas ndryshimeve të parashikuara në ligjin aktual, në fakt reformë e Ligjit për Organizimin e Territorial, të cilat janë ende në fazën e përpunimit, vetëqeverisja lokale duhet të merr më shumë funksionalitet. “Plani ishte të bëhet dallimi mes komunave të mëdha dhe të vogla, sipas shembullit të Serbisë, ku ka qytete me kryetar dhe komuna me kryetar komune me kompetenca më të vogla. Gjithashtu, është dashur të merret në konsideratë mundësia e shkrirjes së komunave që kanë rezultuar të jenë të paqëndrueshme – dy komuna më të vogla në një ose një më e vogël në një komunë më të madhe – në mënyrë që të kursehen resurset dhe të bëhen më funksionale. Ne kemi dashur të shqyrtojmë statusin dhe kompetencat e Qytetit të Shkupit në raport me komunat e Shkupit. Janë përpunuar mundësitë për shkarkim më të lehtë të kryetarit, kompetencat më të mëdha të këshillave komunale dhe rivendosjen e statusit juridik të komuniteteve lokale dhe urbane”, thotë për mediat vendore Goran Milevski, ish-ministër i Vetëqeverisjes Lokale. /koha/