Rikthimi i metodologjisë së vjetër me përqindje apo përshtatjen e të ardhurave të pensionistëve me rritjen e kostos së jetesës dhe pagës mesatare, apo sërish një rritje lineare e pensioneve. Këto dilema pritet të sqarohen nga ekzekutivi deri në muajin shtator kur pason rritje e re e pensioneve. Një muaj më parë, në Sveti Nikoll u mbajt një protestë nga pensionistët të cilët kërkuan me vendosmëri nga Qeveria që pensionet të rriten në mënyrë lineare, dhe jo si përqindje.
Sipas tyre, një përshtatje e tillë është e vetmja mënyrë për të zvogëluar ndryshimet e mëdha midis pensioneve më të ulëta dhe më të larta në vend dhe për të siguruar një jetë dinjitoze për të gjithë pensionistët. Trajçe Stanojkov, përfaqësues i Bordit Iniciativ të Pensionistëve, deklaroi se kjo kërkesë është e drejtë dhe e nevojshme. Pensionistët nga Sveti Nikole, Shtipi, Kumanova dhe qytete të tjera kanë paralajmëruar se nëse kërkesa e tyre për një rritje lineare të pensioneve nuk plotësohet deri në shtator, ata nuk do të votojnë në zgjedhjet e tetorit. Mesazhi i tyre është i qartë: “Ne kërkojmë drejtësi për të gjithë, jo privilegje për disa!”
Ata gjithashtu theksojnë se nuk po tërhiqen nga kërkesa për një shumë minimale të garantuar të pensionit, të mjaftueshme për të përmbushur nevojat dhe shpenzimet më themelore mujore.
Me fjalë të tjera, në muajt e kaluar ishte mbështetur rikthimi i metodologjisë së përllogaritjes së rritjes së pensioneve sipas harmonizimit apo indeksimit të harxhimeve jetësorë në tavanin prej 50 për qind dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë të punësuarit në tavanin prej 50 për qind. Me rritjen e fundit pensionistët për gjashtë muaj fituan 5000 denarë, në dy këste në shtator 2024 dhe mars 2025. Me shumën e fundit shtesë prej 2500 denarë, pensioni minimal në shtet arrin 18.192 denarë, ndërsa ai mesatar arrin 26.211 denarë. Pas rritjes në shtator 2024, pensioni më i ulët i garantuar arriti në 15.692 denarë dhe tani në afër 18 mijë denarë në mars 2025, ndërsa pensioni mesatar në shtator ishte bërë 23.758 denarë dhe në mars 2025 arriti afër rreth 26 mijë denarë.
Gjithashtu përmbushja e plotë e premtimit parazgjedhor prej 5000 denarë gjeneron një kosto shtesë prej mbi 200 milionë euro në vit. Sipas projeksioneve buxhetore për vitin 2025, deficiti apo minusi në arkën e Fondit Pensional do të jetë 27 për qind, për të cilin Qeveria do të sigurojë mjete preferenciale në vlerë prej rreth 580 milionë euro. Nëse nuk do të kishte ndodhur rritja lineare, e cila synon uljen e hendekut social, pensionistët do të kishin marrë pensione më të larta vetëm me 4 për qind në vend të 11 për qind.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, thekson se nga shtatori do të ketë një rritje tjetër të pensioneve, por ende nuk është diskutuar nëse do të jetë lineare apo në bazë përqindjeje. Duke shtuar se ajo mbështet një rritjeje lineare të pensioneve. Ajo më tej shton se transferi total nga Buxheti në SPIM këtë vit do të arrijë në rreth 50 miliardë dhe se amendamenti i projektbuxhetit parashikon edhe 2.5 miliardë të tjera.
“Fondi Pensional merr të ardhura në lidhje me kontributet e bëra nga buxheti dhe, megjithëse ato kalojnë përmes Buxhetit, ato transferohen drejtpërdrejt në Fondin Pensional. Gjysma e parë e vitit pati një realizim më të dobët se sa ishte parashikuar për ne deri në fund të vitit, sepse ne e parashikuam, dhe projeksioni do të bëhet realitet sepse nuk e përmbushëm pagën minimale dhe pagat vazhdojnë të rriten dhe tani ndihet tashmë nga muaji në muaj, se si kemi një mbledhje më të madhe të kontributeve, kështu që është planifikuar 2.5 miliardë, por kjo është vetëm rezultat i atyre mungesave të likuiditetit që ka Fondi Pensional në aspektin e asaj se sa realizon nga të ardhurat e veta”, shpjegoi Koçoska.
Nga ana tjetër, Instituti për Kërkime dhe Politika Ekonomike thotë se ndryshimi i kursit drejt një rritjeje lineare të pensioneve padyshim që do të përmirësojë standardet e jetesës së pensionistëve me pensione të ulëta. Megjithatë, trendi pozitiv i uljes së buxhetit për Fondin Pensional do të ndërpritet në mënyrë të pashmangshme. “Me një rritje të tillë të pensioneve, kjo situatë – e quajtur ‘vrima’ në Fondin Pensional do të rritet ndjeshëm. Ky është një devijim nga rruga e konsolidimit të Fondit Pensional që filloi pas vitit 2019, me reformën e butë për të rritur normat e kontributeve dhe ndërhyrjet në normat e zëvendësimit,” thonë nga ky institut.
Megjithatë, Maqedonia ka një grup të konsiderueshëm kërkuesish aktivë të punës, rreth 100 mijë, të cilët, duke supozuar se një pjesë e tyre do të gjejnë një punë, do të gjenerojnë të ardhura shtesë burimore në Fondin Pensional. Ekspertët thonë se zgjidhja më pak e dhimbshme për minusin në arkën e pensioneve që përjashton rritjen e moshës së pensionimit, është rritja për çdo vit e numrit të punësuarve të rinj duke pasur kujdes maksimal edhe për uljen e punonjësve në ekonominë informale dhe uljen e ekonomisë në të zezë për çdo vit me disa për qind.
Numri i pensionistëve po rritet më shpejt se numri i të punësuarve. Raporti i personave mbi 65 vjeç me personat midis 15-64 vjeç është rreth 22 për qind sot, dhe në fillim të viteve 1990 ishte 12 për qind. Me fjalë të tjera, sot ka një person “të vjetër” për çdo të pestë person në moshë pune, ndërsa 30 vjet më parë, ishte për çdo të dhjetën. Andaj sfidë mbetet si punësimi, ashtu edhe rritja e pensioneve dhe pagave si dhe norma e kontributeve që mund të rritet në mënyrë të butë për të zbutur problemin. /Koha/