Më shumë fushatë, më pak qeverisje

    Kryeministri Hristijan Mickoski / Fotografia: FB, Hristijan Mickoski

     Kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj para gazetarëve pas lëshimit në përdorim të pishinës së rekonstruktuar në Kavadar me një deklaratë politike të ndërtuar tërësisht mbi logjikën e garës zgjedhore. I pyetur për akuzat e opozitës për rezultate të dobëta të kësaj qeverie në bujqësi, Mickoski e paraqiti skenën e vendit si një përballje mes dy blloqeve, ndërsa tha se dënimi më I madh për opozitën do të pasojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

    “Ata do të tentojnë të ngadalësojnë punën e qeverisë, por ne kemi politikat dhe qëllimet tona, në fund të ditës qytetarët do të votojnë në zgjedhje, shumë do të jetë e qartë zgjedhja, nga njëra anë do të jetë koalicioni LSDM, BDI dhe Levica dhe nga ana tjetër do të jetë koalicioni që do ta udhëheqë VMRO-DPMNE. Qytetarët do të vendosin se për kë do të japin votën e tyre”, tha Mickoski.

    DY BLLOQE DHE NJË SKENAR FRIKE

    Pjesa më e ashpër e deklaratës nuk ishte përshkrimi i programit të tij, por parashikimi i asaj që, sipas tij, do të ndodhte nëse fiton opozita, ku përdori edhe një sere akuzash ndaj tyre.

    “Nëse qytetarët vendosin ta japin votën për koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE reformat dhe projektet do të vazhdojnë, nëse do të vendosin të votojnë për koalicionin LSDM, BDI dhe partinë politike Levica do të keni punë me njerëz që janë nihilistë, përsëri do të shihni futboll nëpër zyra, do të shihni se si marihuana do të bëhet biznesi kryesor në shtet, kriminelët do të kthehen nëpër rrugë, do ti lirojnë nga burgjet. Pra, ky është dallimi mes njërës dhe tjetrën qeveri. Do të nënshkruhen marrëveshje të dëmshme për shtetin, ne si qeveri e ofrojmë është mbrojtja e dinjitetit, interesave, prioriteteve”, theksoi Mickoski.

    Retorika e përdorur nga Mickoski ngjan më shumë me atë të një lideri partie në kulmin e një fushate zgjedhore sesa me diskursin institucional që zakonisht pritet nga një kryeministër. Në vend të një komunikimi që synon të përfaqësojë të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fjalimi u karakterizua nga ndarje të forta mes “nesh” dhe “atyre”, duke e paraqitur kundërshtarin politik si një kërcënim për shtetin dhe shoqërinë.

    OPOZITA KTHEN ME TË NJEJTËN MONEDHË

    Akuzave të kryeministrit iu përgjigj kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili përdori po ashtu një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë. Ai akuzoi ekzekutivin për paaftësi në menaxhimin e shtetit dhe për neglizhencë në trajtimin e ndotjes së ujit në Gostivar, duke pretenduar se institucionet nuk reagojnë as kur ekzistojnë informacione për rreziqe serioze. “Nëse këta njerëz nuk mund ose nuk duan ta menaxhojnë shtetin, nëse gjithçka është lënë në duart e Hristijan Mickoskit dhe grupit të tij të organizuar kriminal, të interesuar vetëm për interesat e veta dhe tenderët kriminalë, nëse lejuan ndotjen e ujit dhe nuk reaguan ndaj informacioneve për këtë ndotje, atëherë nuk e meritojnë ta udhëheqin këtë shtet. Ata nuk janë të interesuar për asgjë tjetër përveç interesit personal dhe atij të ngushtë partiak”, deklaroi Filipçe.

    Përplasja mes Mickoskit dhe Filipçes dëshmon se, edhe pse zgjedhjet parlamentare ende nuk janë shpallur zyrtarisht, klima politike në vend tashmë po merr tiparet e një fushate të hershme.

    Në vend që debati të zhvillohet rreth rezultateve të qeverisjes, politikave publike apo zgjidhjeve konkrete për problemet e qytetarëve, ai po dominohet nga akuza personale, etiketime dhe retorikë përjashtuese. Kjo lloj gjuhe, e përdorur nga të dy kampet politike, jo vetëm që e zhvendos fokusin nga çështjet konkrete që prekin qytetarët, por kontribuon edhe në rritjen e polarizimit politik. Paraqitja në Kavadar, për nga përmbajtja dhe toni, la përshtypjen e një paraqitjeje tipike elektorale, ku inaugurimi i një investimi publik shërbeu si sfond për të dërguar mesazhe politike dhe për të mobilizuar mbështetësit partiakë. Kjo praktikë, sipas njohësve të komunikimit politik, e vështirëson ndarjen mes shtetit dhe partisë, një standard që konsiderohet thelbësor në demokracitë parlamentare. Koha

    Lajmi Paraprak

    Reforma e të drejtave të pasagjerëve ajrorë – çfarë nënkuptojnë rregullat e reja?!

    Lajmi i rradhës

    A do t’i mbrojë fëmijët ndalimi i rrjeteve sociale?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë