Edhe në 2020, ngjashëm si vitet e kaluara, ka vazhduar varësia e madhe e Fondit Pensional nga arka e shtetit për të mbuluar gropën e madhe prej afër 39 për qind që shkaktohet nga pamundësia që nga të ardhurat vetanake, të paguhen pensionet. Nga 581.405 punëtorë në 2019, një vit më vonë ky numër ka rënë në 571.863 punëtorë, ndërkohë që është rritur numri i pensionistëve – nga 322.704 në 325.125 pensionistë
Ulje për 10 mijë të punësuar që paguajnë sigurime dhe rritje për 2421 të numrit të pensionistëve në vitin 2020, tregojnë të dhënat e fundit. Sipas raportit vjetor të Fondit Pensional, vitin e kaluar është zvogëluar nga 581.405 në 571.863 punëtorë, për të cilat paguhen sigurime pensionale dhe shëndetësore. Njëherësh, është rritur numri i pensionistëve nga 322.704 në 325.125. Raporti zbardh se janë rritur edhe harxhimet e sigurimit pensional për 4 miliardë denarë përgjatë pandemisë – apo ato janë rritur nga 10.5 në 11.6 si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në vitin 2020, është kryer harmonizimi i pensioneve prej 722 denarë në 1 janar dhe 0.6 për qind nga 1 korriku i vitit 2020. Me harmonizimin e realizuar, pensioni mesatar në dhjetor të vitit 2020 ishte 15.461 denarë, dhe në raport me vitin 2019 – kur vlera e pensionit mesatar ishte 14.579 denarë, është rritur për 6.05 për qind. Edhe vitin e kaluar ka vazhduar ngjashëm si në vitet e kaluara varësia e madhe e Fondit Pensional nga arka e shtetit, për të mbuluar gropën e madhe prej afër 39 për qind që shkaktohet nga pamundësia që nga të ardhurat vetanake, të paguhen pensionet. Thënë ndryshe, vitin e kaluar, shteti ka derdhur afër 500 milionë euro në arkën e Fondit Pensional për pagesën e rregullt të pensioneve. Të dhënat tregojnë se në vitin 2020, nga kontributet që përllogariten nga bruto pagat e të punësuarve, janë realizuar të ardhura prej 44.649.29 milionë denarë. Mjetet nga buxheti i shtetit janë realizuar me 29.852,40 milionë denarë dhe të njëjtat janë shfrytëzuar për të mbuluar obligimet ligjore, harxhimet e tranzicionit dhe mbulimin e deficitit rrjedhës.
Në dhjetor të vitit 2020, në Maqedoni ka pasur 571.863 punëtorë të siguruar karshi 325.125 pensionistëve. Apo me fjalë të tjera, vjet – 1.8 të punësuar kanë mbajtur një pensionist. Gjithashtu, krahasimi i të dhënave më tej tregon se trendi i uljes së raportit të të punësuarve në raport me pensionistët e mbajtur nga popullata aktive punëtore ka filluar qysh para 25 viteve. Në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2011 ka pasur 490.000 të punësuar në raport me 280.000 pensionistë. Kjo paraqet një ulje të konsiderueshme të këtij përpjesëtimi në raport me vitin 1990 kur 600.000 të punësuar kanë mbajtur 166.000 pensionistë. Në ndërkohë, nga viti në vit, në Maqedoninë e Veriut po rritet numri i pensionistëve dhe nuk po përmirësohet raporti i të punësuarve që mbajnë një pensionist. Gjithashtu, edhe ikja e të rinjve të aftë për punë që nesër nuk do të mbushin arkën e shtetit me kontributet e tyre, nuk po ndihmon stabilitetin financiar të Fondit Pensional. Në dhjetë e vitet e fundit, nga buxheti i shtetit për çdo vit po derdhen me qindra miliona euro për të mbuluar gropën në arkën e Fondit Pensional që nuk gjeneron të ardhura të mjaftueshme nga kontributet e të punësuarve për pagesën e pensioneve. Ekspertët thonë se këtij problemi duhet ti kushtohet më shumë vëmendje dhe se duhet të bëhet më shumë punë për stabilizimin e Fondit Pensional.
“Çdo herë duhet të punohet në përforcimin e kapaciteteve të Fondit që kërkon zhvillim ekonomik, rritjen e numrit të të punësuarve dhe rritje të pagave. Këto masa – në periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të japin frytet e tyre”, vlerësojnë ekonomistët.
Me fjalë të tjera, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se ilaçi kryesor për stabilizimin e Fondit Pensional, si dhe të uljes eventuale edhe të vlerës së pensioneve, në vitet në vijim në mënyrë afatgjate është rritja e madhe e numrit të të punësuarve që në të ardhmen – do të mbushin të ardhurat e arkës së pensionistëve./Kohamk/