Medalje dhe fitore historike: Yjet që e shndritën sportin kosovar përgjatë vitit 2022

    Xhudistë, futbollistë, boksierë, skitarë e basketbollistë ngritën lart flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përgjatë vitit 2022. Radio Evropa e Lirë ka grumbulluar disa prej ngjarjeve që shënuan disa nga sukseset më të mëdha të sportit kosovar këtë vit.

    4-20 shkurt: Kosova, për herë të parë me dy garues në Lojërat Olimpike Dimërore

    Në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, Kosova u përfaqësua për herë të parë me dy garues, Albin Tahirin dhe Kiana Kryeziun.

    Albin Tahiri, në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022.
    Albin Tahiri, në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022.

    Tahiri, i cili kishte debutuar në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2018, arriti suksesin më të madh të Kosovës në këto gara duke e zënë vendin e 15-të në kombinimin alpin në skijim.

    Ai garoi edhe në tri kategori të ndryshme, të cilat zuri vendin e 30-të, të 35-të dhe të 37-të.

    Ndërsa, për herë të parë, përkrah Tahirit, në këto gara Kosova u përfaqësua edhe nga një vajzë, Kiana Kryeziu. Ajo debutoi me skijim në sllallomin e madh në konkurrencën e vajzave, ku zuri vendin e 49-të.

    Kiana Kryeziu, në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022.
    Kiana Kryeziu, në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022.

    30 prill: Fazliu e argjendtë dhe Krasniqi e bronztë në Kampionatin Evropian

    Ekipi i xhudistëve të Kosovës e mbylli Kampionatin Evropian, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë, me një medalje të argjendtë dhe një të bronztë.

    Të argjendtën Kosovës ia dhuroi Laura Fazliu, e cila me tri fitore me Ippon dhe një me Wazaari arriti deri në finalen e kategorisë së peshave deri në 63 kilogramë.

    Laura Fazliu (në të kaltër), gjatë fitores kundër brazilianes Kaillany Cardoso në Abu Dhabi Grand Slam, 21 tetor 2022.
    Laura Fazliu (në të kaltër), gjatë fitores kundër brazilianes Kaillany Cardoso në Abu Dhabi Grand Slam, 21 tetor 2022.

    Por, pasi kishte mposhtur garueset nga Izraeli, Britania e Madhe, Çekia dhe Spanja, Fazliu në finale pësoi humbje nga britanikja Gemma Howell. Megjithatë, 22-vjeçarja shënoi suksesin më të madh të Kosovës në këtë garë dhe tani radhitet në pozitën e 21-të në ranglistën botërore për kategorinë e saj.

    Listës së medaljeve të xhudistëve nga Kosova iu shtua edhe një e bronztë, e fituar në këtë garë nga Distria Krasniqi. Kampionia Olimpike e Kosovës e mposhti gjermanen Mascha Ballhaus në ndeshjen për medaljen e bronztë në kategorinë deri në 52 kilogramë.

    18 maj: Sadiku i jep fund epokës 44-vjeçare të Kosovës pa medalje në boks

    Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit, në kategorinë e peshave deri në 60 kilogramë, që u mbajt në Stamboll të Turqisë. Me këtë fitore, 23-vjeçarja i dha fund ecurisë së boksit kosovar pa medalje në kategorinë e seniorëve që nga viti 1978.

    Donjeta Sadiku, gjatë fitores kundër Ayaka Taguchi në Kampionatin Botëror të Boksit në Stamboll të Turqisë, maj 2022.
    Donjeta Sadiku, gjatë fitores kundër Ayaka Taguchi në Kampionatin Botëror të Boksit në Stamboll të Turqisë, maj 2022.

    Në rrugëtimin e saj drejt medaljes së bronztë, Sadiku mposhti garuesen nga Taipei, Wu Shih-yi, atë nga Kongo, Jocelyne Tshamala dhe atë nga Japonia, Ayska Taguchi. Ëndrrën për të artën ia shoi amerikania Rashida Ellis, por medalja e bronztë e Sadikut u vlerësua si “suksesi më i madh në histori të boksit kosovar” nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

    Boksierja kosovare shënoi sërish sukses në tetor, kur fitoi edhe një medalje të bronztë, këtë herë në Kampionatin Evropian, që u mbajt në Mal të Zi.

    28 qershor – 3 korrik: Astera Tuhina, në top-pesëshen më të mirë në garën e FIBA-s

    Astera Tuhina, 18-vjeçare, u zgjodh në mesin e pesë basketbollistëve më të mira në ndeshjet e zhvilluara në Qipro, në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla.

    Astera Tuhina me çmimin e fituar në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla
    Astera Tuhina me çmimin e fituar në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla

    Me një mesatare prej 11 pikëve të shënuara, shtatë kërcime dhe 5.3 asistime për ndeshje, Tuhina arriti ta bëjë të ditur se është “një nga shpresat e basketbollit të Kosovës”, siç kanë thënë nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

    Tuhina – që tani luan për ekipin e basketbollit të Universitetit Shtetëror të Uashingtonit – i kishte ndihmuar Kosovës ta shënojë një fitore në këtë garë.

    5 korrik – 3 nëntor: Ballkani arrin sukses të paprecedentë në garat evropiane

    Më 5 korrik, klubi nga Suhareka, FC Ballkani, nisi një rrugëtim historik në parakualifikime, kualifikime dhe pjesëmarrje në garat evropiane – duke u bërë klubi i parë kosovar që kualifikohet në fazën e grupeve të një gare evropiane.

    Pasi fitoi titullin e kampionit të Kosovës në sezonin paraprak, Ballkani nisi garat në Evropë me ndeshjen në rundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve kundër klubit nga Lituania, Zalgiris.

    Edhe pse ndeshjen e parë e mbylli me barazim 1:1, Ballkani nuk arriti të vazhdojë tutje në kualifikimet për këtë garë pasi ndeshjen kthyese e humbi me rezultat 1:0.

    Lojtarë të Ballkanit gjatë ndeshjes kundër Sivassporit në "Fadil Vokrri", në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, 12 tetor 2022.
    Lojtarë të Ballkanit gjatë ndeshjes kundër Sivassporit në “Fadil Vokrri”, në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, 12 tetor 2022.

    Por, rrugëtimi në kualifikimet për Ligën e Konferencës solli rezultate më të mira për klubin kosovar. Pas fitoreve të arritura në tri runde kualifikuese, Ballkani mori pjesë në fazën e grupeve të kësaj gare.

    Klubi nga Suhareka nuk arriti ta kalojë fazën e grupeve – ku u radhit i fundit në tabelë, me katër pikë të fituara gjithsej – por kualifikimi deri në këtë fazë mbetet arritje historike për klubet e futbollit në Kosovë.

    7 tetor: Krasniqi, e bronztë në Kampionatin Botëror

    Kampionia olimpike e Kosovës, Distria Krasniqi, e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos 2022 në Uzbekistan, pasi e mundi xhudisten nga Izraeli, Gefen Primo, në ndeshjen për këtë medalje.

    Distria Krasniqi (në të bardhë) gjatë gjysmëfinales në Kampionatin Botëror të Xhudos Tashkent 2022.
    Distria Krasniqi (në të bardhë) gjatë gjysmëfinales në Kampionatin Botëror të Xhudos Tashkent 2022.

    27-vjeçarja nga Peja – që tani radhitet e treta në botë në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë – synonte medaljen e artë, por ishte ndalur në rrugën drejt kësaj medaljeje nga xhudistja britanike, Giles Chelsie, në gjysmëfinale.

    Kjo ishte hera e dytë që Krasniqi fitoi medalje të bronztë në Kampionat Botëror të xhudos. Përgjatë këtij viti, ajo ka shtuar katër medalje të arta, dy të argjendta dhe dy të bronzta në koleksionin e saj. /REL/

    Lajmi Paraprak

    EULEX kërkon kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës

    Lajmi i rradhës

    VLLAVRASI

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë