MEDIA SERBE: “MODELI I DY GJERMANIVE” YRNEK PËR KOSOVËN?!

    Modeli i dy Gjermanive, i cili shumë vite më parë i ishte ofruar Beogradit si zgjidhje për problemin e Kosovës, sërish është aktual. Sikurse transmetonj kdpolitik.com, kështu shkruan portal i pavarur serb Nova.rs që pohon se posedon marrëveshjen kornizë nga viti 2012 që mbështetet në modelin gjerman e që pohohet si iu është ofruar para dhjetë vjetësh auitoriteteve serbe.

    Sipas po këtij burimi, Beogradi zyrtar kaë refuzuar të pranojë një zgjidhje të tillë për Kosovën, që do të mbështetej në modelin e dy Gjermanive. Në fakt, fjala është për traktatin të cilin e paten firmosur Gjermania Perendimore dhe ajo Lindore të cilat nuk e njihnin njëra-tjetrën

    I aplikuar në problemin e Kosovës, ky model do të nënkuptonte që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por jo edhe zyrtarisht ta njohë atë. Kjo, po ashtu, nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara,- citon  kdp.com portalin e njohur serb i cili rikujton se ndërkohë disa pika të asaj marrëveshje kornizë janë parashikuar me Marrëveshjen e Brukselit. Sipas disa informacioneve, aktualisht po punohet në tekstin e zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës dhe ajo do të bazohet pikërisht në këtë model.

    Prapa tekstit të kësaj marrëveshjeje të vitit 2012 ka qëndruar fondacioni gjerman Konrad Adenauer, i cili është i afërt me CDU-në e dikurshme në pushtet, në ballë të së cilës ishte ish-kancelarja Angela Merkel dhe  ajo ishte shkruar nga ekspertë serbë dhe kosovarë,- thotë burimi  nga Beogradi.

    Ky është teksti i plotë i dokumentit:

    “Të dyja palët në marrëveshje,

    duke pasur parasysh përgjegjësinë e tyre për paqen dhe sigurinë mbi baza të demokracisë, lirisë, shtetit të së drejtës, drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve,

    duke u nisur nga specifikat historike dhe pavarësisht nga botëkuptimet e ndryshme të të dyja palëve të marrëveshjes, kur është fjala për çështjet e statusit,

    të udhëhequra nga dëshira për të vepruar në favor të popullit dhe për bashkëpunim dhe stabilitet rajonal,

    në përpjekje për të zhvilluar reciprokisht marrëdhënie të fqinjësisë së mirë,

    do të merren vesh për sa vijon:

    Neni 1

    Të dyja palët në marrëveshje do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie të mira fqinjësore bazuar në mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe respektimin e integritetit të ndërsjellë territorial.

    Të dyja palët në marrëveshje marrin përsipër të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian. (të listuara në Aneksin A)

    Neni 2

    Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të dyja palët në marrëveshje do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

    Neni 3

    Të dyja palët në marrëveshje nisin nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj dhe se pushteti i tyre është i kufizuar në territorin e tyre.

    Neni 4

    Të dyja palët në marrëveshje shprehin gatishmërinë e tyre që të rregullojnë çështjet e mëtejshme praktike dhe humanitare, veçanërisht zgjidhjen e fatit të zhdukurve, kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, si dhe që të punojnë bashkërisht për zgjidhjen e çështjeve pronësore, të ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhëniet gjyqësore, postës dhe telekomunikacionit, mbrojtjes së mjedisit, arsimit, medias dhe kulturës, shëndetësisë dhe sportit, turizmit dhe në fusha të tjera të rëndësishme.

    Neni 5

    Të dyja palët në marrëveshje do të kërkojnë bashkëpunim tejkufitar ndërmjet komunave dhe komuniteteve; do të inkurajojë binjakëzimin e komunave; do të lehtësojë lëvizjen e lirë ndërmjet komuniteteve fqinje dhe do të inkurajojë marrëdhëniet e ndërsjella.

    Neni 6

    • Të dyja palët në marrëveshje do të hyjnë në negociata për vendosjen e pikëkalimeve të reja kufitare. Gjithashtu, do të promovojnë transport më të mirë rrugor, ajror dhe hekurudhor midis dy territoreve.

    Neni 7

    • Të dyja palët në marrëveshje marrin përsipër të vendosin zyra të ndërlidhjes në selinë e qeverisë/zyrave ndërlidhëse të njëra-tjetrës në territorin e tjetrës.

    Neni 8

    Të dyja palët në marrëveshje respektojnë të gjitha komunitetet  kombëtare (minoritetet) në territorin e tyre, garantojnë dhe mbrojnë të gjitha të drejtat që u përkasin komuniteteve kombëtare (minoriteteve), në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe të drejtat tashmë të realizuara. Arsimi, kultura, feja, besimet fetare dhe gjuha e komuniteteve kombëtare (minoriteteve) do të gëzojnë nxitje të veçantë.

    Organet e zgjedhura në mënyrë demokratike të komuniteteve kombëtare (minoriteteve) ose forma të tjera të përfaqësimit të komuniteteve kombëtare (minoriteteve) nga të dyja palët kontribuojnë për zgjidhjen e çështjeve praktike të mbrojtjes së komunitetit kombëtar (minoritetit).

    Neni 9

    Duke pasur parasysh synimet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, të dyja palët kontraktuese do të respektojnë parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit në punën për harmonizimin e legjislacionit të tyre me standardet evropiane.

    Neni 10

    Të dyja palët në marrëveshje bien dakord se anëtarësimi i të dyja palëve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare nuk do të implikojë njohjen në bazë të së drejtës ndërkombëtare (të Palës tjetër).

    Neni 11

    Të dyja palët në marrëveshje obligohen të mbështesin njëra-tjetrën në përpjekjet e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.

    Neni 12

    Kjo marrëveshje hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga përfaqësuesit e autorizuar të të dyja palëve kontraktuese”.

    Deri tani nuk ka pasur ndonjë prononcim zyrtar as nga Serbia e as nga Kosova, përveç komenteve të vëzhguesve sipas të cilëve vëhet re angazhim në rritje i kancelarive në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara për tejkalimin e problemit që prej dekadash kërcënon paqen edhe ashtu të brishtë në rajon, – transmeton kdpolitik.com/

    Lajmi Paraprak

    Rriten ndjeshëm kostot e ndërtimit, prodhimit dhe materialeve të importit

    Lajmi i rradhës

    Ballkani Perëndimor ka nevojë për një zgjidhës dhe jo lehtësues të problemeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë