Mediat në rrjetet sociale, burim kryesor i keqinformimit 

    Qytetarët në Kosovë keqinformohen gjithnjë e më shumë nga mediat që shfaqen vetëm në rrjetet sociale, si Facebook, dhe nga ato të regjistruara si entitete juridike, tregojnë të dhënat e raportit të fundit të platformës për kontrollim të fakteve në Kosovë, Hibrid.info.

    Raporti i publikuar të martën, më 25 prill, tregon se, gjatë muajit mars, vetëm 10 për qind e lajmeve keqinformuese janë publikuar nga portale “të dyshimta”- siç cilësohen portalet për aktivitetin e të cilave nuk ka të dhëna publike.

    Të dhënat nga raportet paraprake të Hibrid.info tregojnë se ky trend ka qenë në rritje që nga fillimi i vitit 2023.

    Shkëlzen Osmani, themelues i platformës Hibrid.info, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë trend e kanë nxitur mediat sociale, si faqet në rrjetin social Facebook, për të cilat thotë se shpeshherë as nuk tentojnë të identifikohen si media.

    “Shpeshherë nuk u intereson të identifikohen më si media. Nuk e kanë gjithqysh synimin të dezinformojnë, por qëllimi i tyre është t’i rrisin ato faqe duke krijuar përmbajtje për të cilën nuk u intereson a është keqinformuese”, thotë Osmani.

    Ai tregon se këto faqe rriten me synime të ndryshme, si për shembull për t’u shitur gjatë fushatave zgjedhore apo te ndonjë biznes i caktuar.

    Të dhënat e publikuara në raportet e platformës Hibrid.info – që është anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) – nxirren nga stafi i kësaj platforme që monitoron në baza ditore artikujt me përmbajtje keqinformuese.

    Nga format e ndryshme të keqinformimit, në Kosovë mbizotërojnë përmbajtjet “clickbait” – tekstet me tituj që “nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues” – dhe dezinformatat – tekstet që kanë pasaktësi në përmbajtje dhe burime.

    “Vlerësime ‘clickbait’ kryesisht kanë marrë keqinformimet për kronikën e zezë dhe çështjet sociale. Artikujt keqinformues të kategorizuar si ‘dezinformatë’ i përkasin fushës sociale dhe çështjeve të sigurisë”, thuhet në raportin e muajit mars.

    Përderisa fushat që kanë dominuar me keqinformime përgjatë tremujorit të parë të këtij viti, kanë qenë politika, temat sociale, kronika e zezë dhe siguria, lajmet kanë përfshirë një llojllojshmëri të ngjarjeve.

    Keqinformimet lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, situatën në veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe pretendimet për presione ndaj komunitetit serb në Kosovë janë identifikuar në të tre muajt e parë të këtij viti.

    Gjatë kësaj periudhe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë personi më i përfolur në lajmet keqinformuese. Në mars janë identifikuar lajme keqinformuese edhe për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe për aleancën veri-atlantike ushtarake të NATO-s.

    Osmani, nga Hibrid.info, tregon se lajmet që keqinformojnë lidhur me persona apo institucione të caktuara, nuk kanë gjithmonë qëllim ta sulmojnë atë subjekt.

    “Thjesht, lajmi ndërtohet duke e përfshirë edhe atë personalitet apo institucion, jo gjithmonë janë [personalitet dhe institucionet] të targetuara, por i vlerësojmë vetëm si të përfolura”, thotë Osmani.

    Lajmet, të cilat monitorohen nga platforma Hibrid.info, janë kryesisht të publikuara në gjuhën shqipe dhe serbe. Raportet publikohen në baza mujore në kuadër të një projekti të mbështetur nga fondacioni amerikan National Endowment for Democarcy, në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Seancë dëgjimore për Abazoviqin shkaku i votës për Kosovën

    Lajmi i rradhës

    Pasojat botërore të gjyqit ndal Donald Trump dhe teoria e “udhëheqësit të çmendur”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë