Vetëm dy vjet burg u dënua Mensur Pajaziti në rigjykimin e sotëm për aksidentin e vitit 2022 ku mbeti e vdekur Teodora Ristovska. Pas paraqitjes së provave nga Prokuroria dhe fjalëve përfundimtare, gjyqtari Elvedin Ferati e dënoi me dy vjet burg si fajtor për veprën penale të “Krimeve të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik” për vdekjen e 22-vjeçares, raporton Tetovinfo, përcjell Nistori.
“Fajtor është se me datë 15.08.2022 në Tetovë, si pjesëmarrës në komunikacion, nuk ka respektuar rregulloret dhe me këtë ka rrezikuar komunikacionin publik, ka qenë duke drejtuar veturën BMW dhe ka qenë duke lëvizur përgjatë bulevardit, me shpejtësi prej 59 kilometra në orë, e cila shpejtësi nuk është e përshtatur me kushtet e rrugës që pamundëson të ndalojë automjetin, duke mos i dhënë kohë Ristovskës, e cila po kalonte në një vendkalim të shënuar për këmbësorë”, tha gjyqtari Elvedin Ferati gjatë leximit të aktgjykimit.
Avokati i familjes Ristovski në një prononcim për media tha se për të akuzuarin vlejnë rrethanat lehtësuese sesa rrethanat rënduese.
“Në procesin që është bërë ndaj Mensur Pajaziti ka pranuar se po e vonon drejtësinë, dhe të tilla përgjigje kemi marrë edhe nga institucionet. Në fjalën e tij përfundimtare, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të akuzuarin të shprehë keqardhje, keqardhje dhe falje për atë që ka ndodhur, por gjatë gjithë kohës ai është paraqitur si viktimë në procedurë. Duhet të bëhet, besojmë se nga ana e të akuzuarit më shumë vlerësohen rrethanat lehtësuese, ato paragjykuese, theksoi Gjorçevska.
Pas aksidentit automobilistik në gusht 2022, Pajaziti u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg në gjykimin e parë në nëntor 2023 pasi u deklarua fajtor. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit e uli dënimin në dy vjet burg, ndaj Gjykata e Lartë rrëzoi si vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë ashtu edhe atë të Apelit dhe e ktheu çështjen për rigjykim.
Prokuroria ka të drejtën e ankimit dhe familja si e dëmtuar ka të drejtë vetëm në kërkesë pasurore-juridike. /Nistori/