Gjatë vitit që lamë pas, në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, sipas të dhënave zyrtare, është shënuar një numër më i madh i lindjeve krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, numri i vdekjeve ka mbetur pothuajse i njëjtë me vitet e kaluara.
Sipas udhëheqësit të njësisë së Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë në Dibër, Xheladin Trenova, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 320 lindje, ndërsa numri i vdekjeve ka qenë 175. Ai thekson se, në krahasim me vitet e mëparshme, vërehet një rritje e dukshme e lindjeve. “Kur flasim për lindjet, duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre ndodh jashtë shtetit, nga mërgimtarët tanë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme. Më pas, në përputhje me ligjin e Maqedonisë së Veriut, ata i regjistrojnë lindjet edhe në institucionin tonë, në vendlindje”, sqaron Trenova.
Në vitet e kaluara, mesatarisht janë regjistruar rreth 250 lindje në vit. Sa i përket numrit të vdekjeve, gjatë vitit 2025 ai ka qenë rreth 170. “Ky numër është afërsisht i njëjtë me vitet e tjera, me përjashtim të periudhës së pandemisë së Covid-19, kur numri i vdekjeve i kalonte 200”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Megjithatë, nëse numri i vdekjeve analizohet në krahasim me një dekadë më parë, ai rezulton më i lartë. Sipas burimeve kompetente në dy komunat në fjalë, rreth dhjetë vite më parë, mesatarisht regjistroheshin rreth 100 vdekje në vit.
Shoqatat e mërgimtarëve që veprojnë në vendet evropiane theksojnë se, pas lindjeve në mërgim, shumë familje vendosin t’i regjistrojnë fëmijët edhe në librat amë në Maqedoninë e Veriut. Nga analiza e të dhënave për vitin e kaluar, mund të konkludohet se rritja e lindjeve vjen kryesisht nga nënat dibrane dhe ato nga Zhupa që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht në shtetet e Bashkimit Evropian. Pjesa më e madhe e lindjeve realizohet në Itali, Gjermani dhe Zvicër. Më pas, gjatë vizitave në vendlindje, prindërit kryejnë regjistrimin edhe në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në institucionet kompetente në Dibër.
Pas festave të fundvitit, në Dibër takuam edhe Bexhet R., i cili kishte ardhur për të regjistruar lindjen e fëmijës së tij. “Jetoj në Itali, në qytetin e Riminit, tashmë tetë vite me familjen time. Na lindi një vajzë dhe, pasi e regjistruam në maternitet dhe në komunën italiane, erdha në Dibër për Vitin e Ri që ta regjistroj edhe këtu. Dua që lindja e vajzës sime të figurojë edhe në shtetin ku kam lindur”, na tha ai. Kështu veprojnë edhe shumë prindër të tjerë prej vitesh. Kjo tregon se te mërgimtarët ka më shumë lindje sesa te familjet që jetojnë në vendlindje, gjë që konsiderohet e pritshme duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e çifteve të reja jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. /Koha/






