Mërgimtarët ringjallin Kumanovën

    Lëvizje e madhe, komunikacion i dendur dhe polici që patrullon qytetin cep më cep. Kjo është pamja e cila mbizotëron Kumanovën tash e tri javë. Ardhja e mërgimtarëve ka bërë që qytetit t’i rikthehet gjallëria e cila mungon pothuajse gjatë tërë vitit. Qytetarët thonë se lëvizja është vështirësuar, por thonë se ky kaos do t’i mungojë Kumanovës kur bashkatdhetarët do të marrin rrugën e kthimit për në kurbet. “Komunikacioni është i dendur edhe pse lëvizja është e lirë, por megjithatë ka vështirësi. Viteve të fundit, sidomos pas pandemisë, Kumanova është zbrazur sepse 70 për qind e rinisë kanë ikur të punojnë jashtë. Ky vend ka pasur gjallëri të shumtë më parë, andaj durohet edhe trafiku i rënduar dy herë në vit, sepse mbushet qyteti”, tha një qytetar nga Kumanova.

    Ndikimi i fluksit të mërgimtarëve vërehet edhe diku tjetër përveç në komunikacion. Bizneset janë gjallëruar. Përfitime më të mëdha kanë regjistruar gastronomia, argjendaritë dhe grimeret. Por tregtarët kanë mendime të ndara.

    Një pronar supermarketi në lagjen “Orta Bunar” të Kumanovës, tha se sivjet ka mjaftueshëm punë. Edhe pse çmimet janë shtrenjtuar, për mërgimtarët, krahas vendeve evropiane ku jetojnë, tek ne është më lirë.

    Edhe në një sferë tjetër të biznesit, siç është ajo e grimit, shihet ndikim i dukshëm nga ardhja e mërgimtarëve në vend. Elmaz Elmazi, pronarë dhe grimer i “Studio Maxi”, njërës nga studiot më të suksesshme të qytetit, për KOHA, thotë se pika kulminante e punës është gjatë stinës së verës, pikërisht gjatë sezonës së dasmave të cilat “ngrehin” mërgimtarët edhe më shumë. “Siç e themi për shprehje, gjatë sezonës së verës nuk mund të marrim frymë. Klientet tona që jetojnë jashtë vendit, i caktojnë terminet që para se të fillojë sezona verore dhe ne gjithmonë u japim atyre përparësi, sepse vijnë një-dy herë në vit dhe na zgjedhin pikërisht neve që të duken më të bukura për raste të veçanta”, ka thënë Elmazi.

    Për çka ankohen qytetarët është mungesa parkingjeve në afërsi të tregut, qendrës së qytetit dhe pikave të tjera frekuentuese nga fluksi i madh i makinave që vijnë nga jashtë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shtetari dhe krimineli

    Lajmi i rradhës

    Rishikimi i buxhetit në shtator  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë