Shtetari dhe krimineli

    PELLUMB NAKO

    Në perceptimin tonë, të dy konceptet janë normalisht vite dritë larg njëri tjetrit. Të tilla ato vazhdojnë të jenë akoma sepse çdo individ ka nevojë të besojë se në krye të vendit të tij qëndrojnë personazhe cilësisht të quajtur shtetarë.

    Edhe kur zhgënjehet, ky individ vazhdon t’i ndajë qartë të dy nocionet. Dhe kjo pavarësisht se këto dekadat të fundit gjërat në Shqipërinë tonë, kanë marrë një udhë të tillë ku nuk kanë munguar rastet kur individë kriminelë janë bërë shtetarë dhe shtetarët janë kthyer në thyerës të ligjit. Pra jo thjesht përzierje rastësore individësh, por ndodhemi përballë një realiteti shoqëror kur në mjaft situata reale, kufijtë ndërmjet të dy kategorive janë njësuar frikshëm.

    Shoqëria shqiptare, nëpërmjet klasës së saj politike, në këto dekada të fundit e ka pasur të lehtë që kriminelin ta fusë në parlament, dhe shtetarin ta inkriminojë duke shkaktuar vepra penale. Edhe kur i thua këto fjalë, përsëri mendimi ndihet i alarmuar nga ideja e cilësimit të një shtetari të ndjekur penalisht, si kriminel. Madje kjo pasiguri, në cilësime të tilla të ndjek edhe në rastet kur shtetari ka kryer një krim më të rëndë se një individ i zakonshëm që emërtohet lehtësisht si kriminel. Në fakt perceptime të tilla kanë bërë që kriminologët deri në një shekull më parë të mendonin se shtetarët nuk bëjnë krime dhe se krimet bëhen nga shtresat e ulëta.

    Historitë e ndodhura në këtë drejtim janë të shumta, por edhe aktualisht kriminologët janë të fokusuar te krimi i njeriut të zakonshëm dhe jo te ai me pushtet. Krahasimet ndërmjet dy kategorive duken deri më sot si tabu. Por me ato që po ndodhin në Shqipëri, krahasimi ndërmjet një krimineli dhe një shtetari që kryen krim, po shfaqet si i domosdoshëm për arsyen e thjeshtë se rrethanat sociale ku veprojnë dy kategoritë flasin për alarm. Madje nëse bëhen krahasime ndërmjet një shtetari të kthyer në kriminel dhe një krimineli të zakonshëm, ky i fundit paraqet paradoksalisht më pak rrezik shoqëror se sa ai i veshur me pushtet pavarësisht se nga ana emotive, publiku dhe vetë drejtësia janë më të ashpër me kriminelin e zakonshëm.

    Më konkretisht: Sot, kemi një ish-zëvendëskryeministër të akuzuar për disa vepra penale ku sigurisht korrupsioni dhe pastrimi i parave janë më të rëndat. Në fakt, nëse një qeveritar akuzohet për korrupsion, automatikisht me shumë gjasa atë e ndjek edhe pastrimi i parave. Kjo sepse paratë e përfituara nga korrupsioni, ka pak mundësi që ai të mos i verë në qarkullim dhe jo t’i mbyllë thjesht në bankë apo në ndonjë sënduk. Megjithatë në rastin konkret janë organet kompetente ato që vendosin dhe shohin shkeljet në fjalë. Në media thuhet se ish nr.2 i qeverisë është larguar nga Shqipëria për t’u fshehur nga hetimit.

    Vetëm ky fakt dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një shtetar i cili është aty sepse ndryshe nga qytetari i zakonshëm e ndjen të plotë përgjegjësinë ndaj mijëra individëve që e kanë besuar dhe votuar për vite me radhë, duke qëndruar dhe u përgjigjur përball një drejtësie për të cilën vetë ai ka punuar dhe e ka ndërtuar bashkë me ish kolegët e tij. Arratia e tij flet për një individ të zakonshëm, autor krimi, që i shmanget drejtësisë. Kjo do të thotë se ky person përbën njërin prej modeleve të njeriut politik me funksione shtetërore që qeverisja aktuale i ka servirur popullit të saj. Pavarësisht se rëndom politikanët që qeverisin vendin përmendin pa pushim se në raste shkeljesh penale, përgjegjësia është individuale, ka shumë mënyra veprimi të këtij ish-i dhe të ish kolegëve të tij të cilat flasin për akte më të rënda karshi publikut që i ka besuar sesa individët që kryejnë krime të ngjashme me krimet e tyre dhe që lehtësisht i quajmë kriminelë.

    Ka plot kriminelë që i fshihen drejtësisë, kjo është në natyrën e ekzistencës së tyre, por ndërkohë të njëjtën gjë po bën edhe një ish Kryeministër. Ndryshimi qëndron në faktin se kriminelët, ndryshe nga politikani në fjalë, nuk kanë përgjegjësi para popullit apo viktimave të tyre për faktin se ata nuk votëbesohen. Pra, nëse krimineli me arratisjen e tij i shmanget drejtësisë, ky far qeveritari i shmanget drejtësisë dhe përballjes me besimin qytetar. Hetimet e deritanishme tregojnë se ish-zëvendëskryeministri ka gënjyer publikisht. Por gënjeshtrat publike për fat të keq janë bërë si modë e zakonshme, aq sa që vetë Kryeministri kur nuk mban një premtim, thotë se njeriu normal duhet të ndryshojë mendim.

    Po ashtu krimineli, në gjithë aktet që kryen, shtyhet nga shumë faktorë, përfshi nevojën. Por, ai nuk është një individ që ka marrë përgjegjësi, të cilat është betuar se do t’i respektojë. Atë e udhëheq kodi i tij instiktiv. Pra krimineli i zakonshëm nuk ka bërë paraprakisht ndonjë betim solemn para ndonjë institucioni të rëndësishëm. Kurse shtetari ynë si karrige dhe jo si përmbajtje, është betuar para Presidentit dhe Kushtetutës, dy themelet kryesore mbi të cilat, të paktën në parim, ndërtohet besimi dhe besnikëria ndaj vendit. Ndaj dhe shmangia që ai po bën nga drejtësia, është një tregues tjetër i cili dëshmon se me gjithë përgjegjësinë individuale penale, nuk paskemi pasur të bëjmë me një shtetar, por me një individ që na serviret në krye të vendit, ndërkohë që brenda vetes nuk ka as din e as iman. Një individ i cili shkel pa asnjë skrupulli gjithçka që quhet themeltare për vendin.

    Megjithatë ky betim mbetet praktikisht formal sepse janë të shumtë ata që e shkelin. Dhe pikërisht këtu fillojnë dhe problemet. Qeveritari betohet për diçka që brenda vetes e di që do ta shkelë. Ky është edhe një tipar tjetër i modelit të shtetarit që i serviret shqiptarëve këto vite të fundit. Por nuk mjafton me kaq. Seria e përdhosjes së gjithçkaje që duhet të jetë në mos e shenjtë, e rëndësishme për një shtetar, vazhdon më tej. Këtë radhë përdhoset solemniteti, serioziteti apo shenjtëria e institucionit më të rëndësishëm siç është Kuvendi dhe instrumenti i tij po aq solemn dhe i shenjtë siç është betimi. Ky individ doli edhe përpara një Komisioni Parlamentar ku dha dëshmitë e tij duke u betuar se do të thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Nga bërja publike e mesazheve të tij telefonike, rezulton se ai ka gënjyer.

    Pra kemi një individ që shkel betimin para presidentit dhe kushtetutës, që gënjen parlamentin edhe kur është nën betim. Në një kontekst të tillë, shkelja penale në vetvete është e rëndë, por shkelmimi i parimeve të mësipërme pavarësisht se nuk dënohen me burg, tregojnë për një individ që kryen krim dhe që rezulton shumë larg qenies shtetar. Në finale, nëse një kriminel, thjesht shkel ligjin dhe përgjigjet penalisht, një politikan si ky i arratisur që kryen krime, fillimisht ka shkelur betimin para Presidentit dhe Kushtetutës, pastaj ka gënjyer publikun dhe më pas parlamentin duke qenë nën betim.

    Për të njëjtin krim, një shtetar kryen shumë më shumë shkelje se sa një kriminel i zakonshëm, pavarësisht kualifikimit penal të njëjtë. Shtetarë të tillë janë nga brenda më katran se kriminelët e zakonshëm. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Polarizimi i partive politike “rrezikon ta përçajë shoqërinë”

    Lajmi i rradhës

    Mërgimtarët ringjallin Kumanovën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë