Merita Koxhaxhiku do ta udhëheqë seancën konstituive të Kuvendit

    Pas konsultimeve me partitë parlamentare, kryetari Jovan Mitreski do ta caktojë seancën konstituive më 28 maj në orën 11:00. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, sot mbajti takim me përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e sapozgjedhur, në të cilin me konsensus u vendos që seanca konstituive, pas mbajtjes së zgjedhjeve të njëmbëdhjeta parlamentare, të mbahet më 28 maj 2024, e martë, në orën 11:00.

    Në përputhje me Rregulloren për punën e Kuvendit, me seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit të ri duhet të kryesojë deputeti më i moshuar. Në përbërjen e sapozgjedhur, ajo është deputetja Merita Kolçi Koxhaxhiku.

    “Kryetari Mitreski i informoi të pranishmit se në rendin e ditës së seancës konstituive, sipas Rregullores, do të jenë tri pika, përkatësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues, zgjedhja e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat më së shumti tri ditë, ndërsa Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Në takimin e sotëm, morën pjesë Nikolla Miceski nga Koalicioni “Maqedonia jote” – VMRO-DPMNE; Oliver Spasovski nga Koalicioni i LSDM-së; Borisllav Kërmov nga partia “E Majta” dhe Boban Karapejovski nga Lëvizja ZNAM.

    Në takim mori pjesë edhe Merita Kolçi Koxhaxhiku, si deputetja më e moshuar, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.

    Lajmi Paraprak

    QYTET’I IM

    Lajmi i rradhës

    Gjimshiti dhe Xhaka pjesë e formacionit më të mirë të sezonit në Ligën e Europës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë