Mersihën e barazoi me Al Kaedan dhe një pedofil, KPMD do të dorëzojë kallëzim penal kundër këshilltares të së Majtës

    Fotografia është ilustruese dhe e edituar nga redaksia Nistori.com

    Gazetar | Emir Hamzi

    Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e ndalon diskriminimin fetar dhe parashikon lirinë e fesë dhe të shprehjes fetare. Ajo garanton barazi para ligjit për të gjithë individët, pavarësisht nga cili besim fetar vjen. RMV përshkruhet si multietnike dhe multifetare, shkruan Nistori.

    Edhe pse merret si e mirëqenë se myslimanët e Maqedonisë nuk hasin në raste të shumta të diskriminimeve në bazë fetare apo të besimeve, por një keqkuptim domethënës dhe i përhapur nuk është se nuk zë vend në Maqedoninë e Veriu, sidomos kur bëhet fjalë me përfaqësimin e myslimanëve në hapësirën publike. Në këtë drejtim, vlen të kujtojmë rastin e Mersiha Smailoviq nga shoqata Legis.

    Këshilltarja e Këshillit të minibashkisë së Qendrës nga partia “E majta” (Levica) Marija Srebrova e akuzoi Mersihën se financohet nga Islami radikal dhe tërhoqi paralele me “Al-Qaeda” dhe e barazoi me një pedofil. Para se të përcjellim vlerësimin e KPMD-së (Komisioni i Parandalimit dhe Mbrojtjes nga Diskriminimi), Mersiha Smailoviq rrëfehet për Nistorin në lidhje me diskriminimin që iu bë në bazë fetare.

    BIO
    Unë jam Mersiha Smailoviq, juriste e diplomuar, aktive në sektorin joqeveritar. Jam kryetare e organizatës joqeveritare LEGIS. Gjithashtu jam autore e raportit të vitit 2017 për islamofobi në Maqedoni. Ndjek plotësisht të gjitha rastet e islamofobisë dhe të diskriminimit në shoqërinë tonë dhe asnjëherë nuk kam menduar që edhe unë mund të jem në situatë viktime, me ç’rast ndonjë e drejtë dhe mundësi do të më merrej, vetëm se i takoj bashkësisë islame.

    Diskriminimi në bazë fetare po gjen hapësirë edhe në sferën politike

    Më 27 shtator, në seancën e 14-të të Këshillit të minibashkisë së Qendrës, isha e propozuar nga grupi i pavarur “Mundësi për Qendrën”, si anëtare e Këshillit Drejtues pranë ShFK “Kirili dhe Metodij”, Qendër. Biografitë tona iu dorëzuan këshilltarëve, sipas të cilave, ata duhej të votonin se cili prej kandidatëve të propozuar do të jetë anëtar në shkollë. Kur pika e propozuar u vu në diskutim, grupi i këshilltarëve të të Majtës (Levica) mori fjalën (nga të gjithë kandidatët e propozuar – rreth 20 – u diskutua vetëm për mua) dhe tha këtë:

    Është diçka e mirë që kujdesen për bashkësitë më të vogla etnike. Besojmë se çdo grup etnik kujdeset për të njëjtën. Nuk do të thotë që, nëse dikush është pjesëtar i një grupi tjetër etnik, do të kujdeset për mirëqenien e bashkësisë tjetër, mirëpo dëshiroj të komentoj për propozimin tuaj. Një numër kallëzimesh penale dhe nëpërmjet shoqatës së saj janë rekrutuar njerëz për islamizim radikal. Ajo dhe burri i saj kanë ndalesë hyrjeje në disa shtete europiane, për shkak të kësaj arsyeje dhe ju dëshironi që ta vendosni në këshill shkolle, ku do të merret vendim për fëmijët e arsimit fillor. Propozim më kontraverz nuk mund të keni. T’ua dërgojmë “Al-Qaeda”-n në shkollë”, thotë Smailoviq. Linku i seancës është në vijim:

    Më tej, këshilltarja e të Majtës, Marija Srebrova në profilin e saj në FB shkroi:

    “Grupi i këshilltarëve “Mundësi për Qendrën”, në seancën e sotme, për anëtare të këshillit drejtues të ShF “Shën Kirili dhe Metodij” propozuan një që konsiderohet si financuese e islamizimit radikal, nëpërmjet shoqatave joqeveritare, anëtarët e familjes të së cilës (lexo burri dhe vëllai), kanë jozyrtarisht edhe ndalesë për hyrje në disa shetete dhe u kapën duke trafikuar kokainë. Të caktosh Mersiha Smailoviqin si anëtare e këshillit drejtues të shkollës është njëjtë sikur pedofilit t’ia japësh fëmijën të kujdeset për të. Falë maturisë së këshillit bashkiak dhe reagimeve të ashpra të grupit të këshilltarëve të të Majtës, propozimi i të Majtës u votua për anëtar të këtij këshilli”, shton ndër të tjera Smailoviq.

    Postimi në këtë link nuk është në veprim. Nuk dihet nëse e ka hequr Srebrova apo është raportuar nga përdoruesit e rrjeteve sociale dhe FB e ka larguar.

    https://www.facebook.com/marija.srebrova/posts/pfbid02b1Vi13RQHcmtKYGmAjrZLjYJjVSYJXb bMztraDkAe4WFTSqK6tbKKMJqqXZw5eKtl

    Pas gjithë kësaj, në fund të seancës, shumica e këshilltarëve votuan për propozimin tjetër dhe jo të Mersihës. Ndryshe, në shkollën e njëjtë Mersiha është anëtare e Këshillit të prindërve, pasi dy fëmijët e saj mësojnë aty.

    Ky rast Mersihës i ka lënë shenjë dhe dhimbje, sepse u dha porosia, nëse ndonjëherë ajo dëshiron të bëhet pjesë e ndonjë ngjarjeje publike ose në atë që e përjetojmë si politikë, do të pritet me një gjuhë të këtillë. Barazimi i saj me një anëtar të “Al-Qaeda” tregon qartë që diskriminimi ka bazë të përkatësisë fetare dhe jo se është e vërtetë ajo çfarë thotë Srebrova.

    Qëkurse dëgjova këtë që e thotë këshilltarja, kur pashë se si të tjerët heshtin, u ndjeva e pambrojtur. Jam aktiviste qytetare tash e 20 vjet, luftëtare për të drejtat e njeriut, dhe befas dëgjon kaq vulgaritete për veten, të pavërteta dhe sheh se si 20 njerëz heshtin ndaj të pavërtetave dhe askush s’ngrit zërin për të më mbrojtur, që thjesht të thotë se kjo nuk është e vërtetë. Sikur mu dha porosia që nuk i takoj botës së vendimmarrjes, që duhet të qëndroj në rrethin tim të njerëzve, të getoizohem. Serioziteti i fjalëve të thëna, por edhe heshtja e këshilltarëve të tjerë, lanë pasoja të mëdha në mua. Që atëherë i premtova vetes që nuk do të kërkoj kurrë më ose të konkurroj në thirrje/konkurs që lidhet me pushtetin qendror dhe vendor, dhe nuk do të paraqitem në thirrje, ku të tjerët do të vendosin e unë nuk do të jem e pranishme“, shprehet e indinjuar Smailoviq.

    KOMISIONI I PARANDALIMIT DHE I MBROJTJES NGA DISKRIMINIMI VËRTETOI DISKRIMINIM

    Mersiha Smailoviq kallëzoi rastin pranë Komisionit të Parandalimit dhe të Mbrojtjes nga Diskriminimi, ndaj këshilltares së grupit të të Majtës. Një muaj pas kallëzimit, KPMD (Komisioni i Parandalimit dhe i Mbrojtjes nga Diskriminimi) vërtetoi diskriminim.

    “Në rastin konkret, Komisioni i Parandalimit dhe i Mbrojtjes nga Diskriminimi (KPMB) ka sjellë Mendim nga 01.02.2023, në të cilin vërtetohen ngacmime të përsëritura dhe të shumëfishta bazuar në përkatësinë etnike, fetare ose në besim fetar dhe besime të tjera të kryera nga Marija Srebrova ndaj Mersiha Smailoviq, në fushën e informimit publik dhe medias, si dhe në sferën e veprimitarisë dhe punës së lëshillave bashkiakë”, vlerëson KPMD.

    KPMD i rekomandon diskriminuesit, Mersiha Smailoviq që:

    – të heq përmbajtjet kontestuese nga profili i saj të përdoruesit në rrjetin social Facebook;
    – të dërgojë një falje me shkrim për ngacmimin e bërë ndaj ankuesit – Mersiha Smailoviq dhe
    – në të ardhmen të përmbahet nga shprehja e përmbajtjeve që prodhojnë shqetësim mbi ndonjë nga bazat diskriminuese.

    Përkundër vlerësimit të KPMD-së, Marija Srebrova (Këshilltare e partisë “E majta”) nuk e pranon se ka bërë diskriminim ndaj Mersiha Smailoviqit dhe ende nuk i ka kërkuar falje. Ajo madje vazhdoi me akuzat se aktivistja e Legis-it po përfiton nga kriza e refugjatëve nën petkun e një humanisteje.

    “Afati i kërkimfaljes ka kaluar dhe pres që Komisioni i Parandalimit të Diskriminimit të më njoftojë për epilogun përfundimtar”, thekson Smailoviq.

    Nistori kontaktoi edhe këshilltaren Srebrova për të kuptuar nëse ajo i ka kërkuar falje Mersiha Smailoviqit për akuzën se kjo e fundit financohet nga Islami radikal, e barazoi me një pedofil dhe bëri një paralele me “Al-Qaeda”.

    “Nuk shoh asnjë diskriminim ndaj kësaj përfituese të NATO-s, e cila në vend se të solidarizohet me shtetet islamike të terrorizuara nga pakti i NATO-s, ajo po bëhet apologjete kryesore e qeverisë. Por është e qartë se nëse nuk do të ishin luftërat e NATO-s, nuk do të kishte pasur krizë refugjatësh dhe as ky person nuk do të kishte përfituar nën petkun e humanitares. Për idetë e Islamit radikal, do t’i theksoja personit në fjalë që gjatë emancipimit të gruas myslimane, të marrë si shembull partizanet e guximshme si, Ibe Palikuqe. Kjo partizane e re nga Dibra do të kundërshtojë dogmat fetare të imponuara ndaj grave, kështu që do të mbahet mend për deklaratën e saj të fortë emancipuese “Një ditë do ta hedh ferexhenë!””, thekson Srebrova.

    KPMD përgatitet për procedurë penale në gjykatën kompetente

    “Në afatin për përmbushje të rekomandimeve nuk kemi marrë asnjë informatë se ajo është përmbushur dhe për këtë arsye, KPMD në përputhje me kompetencat e veta nga neni 27 paragrafi 4 i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, do të dorëzojë kërkesë për fillimin e procedurës penale në gjykatën kompetente. Është në proces grumbullimi i të dhënave të nevojshme për fillimin e procedimit penal”, përgjigjet Komisioni në pyetjen e Nistorit se cili do të jetë hapi i tyre i ardhshëm në rast se nuk realizohet rekomandimi i tyre.

    RASTE TË TJERA TË DISKRIMINIMIT FETAR DERI TE KPMD

    KPMD për Nistori thotë se deri më tani ka konstatuar katër raste të diskriminimit fetar në bazë të fesë apo besimit fetar. Në të gjitha rastet bëhet fjalë për diskriminim/ngacmim në dy apo më tepër baza, në mesin e të cilave edhe rasti i sipërpërmendur. Në vijim i gjeni rastet e paraqitura në vitin 2022.

    shkurt të vitit 2022, KPMD ka konstatuar shqetësime në bazë të përkatësisë etnike ose fesë apo besimit fetar ndaj boshnjakëve dhe Bosnjë dhe Hercegovinës të kryer nga ana e Ministrisë për arsim dhe shkencë për shkak të përmbajtjeve joadekuate në librat shkollorë nga Historia nga të cilat mësohet në shkollimin fillor dhe të mesëm, gjimnaz. KPMD rekomandoi që në afat prej 3 muajsh, Ministria për arsim dhe shkencë, përmes Shërbimit pedagogjik ti largojë përmbajtjet joadekuate nga librat shkollorë.

    mars të vitit 2022, KPMD përcaktoi thirrjen, nxitjen dhe udhëzimin e diskriminimit dhe ngacmimit në bazë të përkatësisë etnike dhe fetare ose besimit fetar në rrjetet sociale kundër pjesëtarëve të komunitetit etnik shqiptar dhe maqedonasve të besimit mysliman. KPMD rekomandoi brenda 30 ditëve që diskriminuesi të heqë video përmbajtjen shqetësuese dhe të kërkojë falje publike në mediat përkatëse publike, si dhe të përmbahet në të ardhmen nga publikimi i video përmbajtjeve shqetësuese që nxit, bën thirrje dhe drejton diskriminim në diskursin publik.

    korrik 2022, KPMD ka konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë në bazë të përkatësisë etnike dhe besimit fetar, në sferën e qasjes në mallra dhe shërbime nga infrastruktura komunale (qasja në ujë) të kryer nga Komuna e Radovishit dhe NP “Plavia” – Radovish ndaj banorëve të fshatit Prnalia të Komunës së Radovishit, pjesëtarë të bashkësisë etnike turke me fe islame, KPMD ka bërë rekomandim për mënyrat e eliminimit të diskriminimit, i cili duhet të bëhet brenda 6 muajve nga dita e marrjes së mendimit.

    nëntor 2022, KPMB ka konstatuar ngacmime të përsëritura dhe të shumëfishta të kërkuesit për shkak të përkatësisë etnike, fetare apo bindjes fetare në fushën e informimit publik dhe medias, si dhe në fushën e veprimit dhe punës së këshillit komunal. KPMD rekomandoi brenda 30 ditëve që diskriminuesi të heqë përmbajtjen në fjalë dhe t’i dërgojë një falje me shkrim kërkuesit, si dhe të përmbahet nga ngacmimet për ndonjë nga bazat diskriminuese në të ardhmen.

    DISKRIMINIM NË BAZË TË LLOJEVE TJERA

    Duke vepruar në bazë të parashtresave të dorëzuara dhe procedurave të iniciuara sipas detyrës zyrtare, KPMD deri më tani ka konstatuar 127 raste të diskriminimit. Në 4 prej tyre është konstatuar diskriminim në bazë të fesë ose besimit fetar. Arsyet më të zakonshme për diskriminim janë:

    – Të natyrës personale dhe statusit shoqëror në 34 raste;
    – Orientimi seksual në 33 raste;
    – Përkatësia në grup të margjinalizuar në 32 raste;
    – Përkatësia kombëtare ose etnike në 30 raste;
    – Identiteti gjinor në 29 raste;
    – Gjinia në 24 raste dhe
    – Bindje politike në 13 raste.

    KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME POLITIKE TË DALURA NGA RAPORTI KOMBËTAR I ISLAMOFOBISË PËR MAQEDONINË E VERIUT

    Islamofobia është një fenomen që duhet monitoruar dhe dokumentuar vazhdimisht. Është e nevojshme të zhvillohet një strategji e përgjithshme për çrrënjosjen e saj në vendet që janë shumëfetare. Dështimi për të raportuar islamofobinë dhe mosndëshkimin e nxitësve të islamofobisë ka qenë një problem i kahershëm. Shqetësuese është shfaqja në rritje e islamofobisë, nga njëra anë, dhe heshtja e institucioneve përkatëse myslimane dhe organizatave myslimane, nga ana tjetër. Për të luftuar islamofobinë në vend, rekomandohen politikat e mëposhtme:

    • Myslimanët duhet të bëjnë më shumë për të promovuar vlerat islame dhe për t’i prezantuar të tjerët me Islamin.
    • Ministria e Arsimit duhet të heqë të gjithë materialin edukativ që shkakton paragjykime islamofobike.
    • Duhet të organizohet trajnimi i mediave dhe gazetarëve rreth Islamit dhe duhet të përgatitet një udhërrëfyes për reporterët se si të raportojnë mbi Islamin dhe parimet kryesore të Islamit.
    • Në kurrikulën e trajnimit të gjuhës së urrejtjes, Islamofobia duhet të përfshihet si kapitull i veçantë.
    • Platformat e raportimit të krijuara nga OJQ-të, krimet e urrejtjes duhet kundër myslimanëve duhet të jetë në një kategori specifike brenda opsioneve të raportimit.
    • OJQ-të myslimane duhet të bëjnë përpjekje për të luftuar islamofobinë dhe të fokusojnë punën e tyre në edukimin e të rinjve myslimanë dhe komunitetit mysliman në përgjithësi mbi natyrën e islamofobisë, mënyrën e zbulimit të saj dhe të krijojnë një platformë të aksesueshme për raportimin e saj.
    • Bashkësia Islame e Maqedonisë së Veriut duhet të marrë më shumë iniciativa për të drejtat e myslimanëve dhe të krijojë kanale dhe platforma për zbulimin e islamofobisë.
    Lajmi Paraprak

    Vetmia – Pse ekspertët e quajnë atë një kërcënim për shëndetin publik?

    Lajmi i rradhës

    Mësuesja nga Kërçova e rrahu një nxënës, babai i viktimës e paraqet në polici

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë