Mes izolimit dhe përparimit!

    Nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese dhe nuk vazhdon të ecë drejt rrugës evropiane, Maqedonia e Veriut përballet me rrezikun të jetë e izoluar, tha dje nga Shkupi shefi i diplomacisë austriake Aleksandar Shallenberg në konferencën e përbashkët për shtyp me nikoqirin e tij Bujar Osmani dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Çekisë dhe Sllovaksë, Jan Lipavski dhe Mirosllav Vllahovski të cilët janë për vizitë në vend. “Sapo të fillojnë negociatat, ky është një proces i pakthyeshëm. Vendi ka pritur 18 vjet që të vijë ky moment. Tani ju takon juve që të përfitoni nga ky moment. Duhet të jeni politikisht përgjegjës dhe mbi të gjitha të keni interesa kombëtare. Momenti është tani dhe ju sigurojmë se nuk po ndërhyjmë në punët e brendshme të vendit”, tha Shallenberg.

    Shallenberg theksoi se nuk ndodh çdo ditë që tre ministra nga tre anëtarë të BE-së vijnë në një vend të Ballkanit Perëndimor, gjë që, tha ai, duhet të jetë një mesazh i fortë për ju. “Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i fortë – është një mesazh inkurajimi, nuk ka kohë për të humbur, dëshirojmë që të vazhdoni me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të nisur negociatat për anëtarësim. Shtyrja e miratimit të amendamenteve do të thotë shtyrje e pranimit të Maqedonisë së Veriut. Do të ishte turp që Shkupi, pas një maratonë të vështirë, të pengohej në pengesën e radhës. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku dhe kemi kapërcyer shumë vështirësi”, decid është ai. Ai tha gjithashtu se detyra e të gjithë qytetarëve të këtij vendi është që të gjitha këto përpjekje të mos shkojnë kot.

    Ndërkaq, Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ndodhemi në udhëkryq. “Është vërtet kënaqësi dhe nder të jem nikoqiri juaj. Vizitën tuaj e lexoj si një mbështetje të fortë parimore të Maqedonisë së Veriut dhe perspektivës së saj evropiane, mbështetje që nuk ka munguar asnjëherë nga vendet tuaja. Nga njëra anë, negociata të filluara, skrining të kryer me sukses disa muaj para hapjes së grupeve dhe kapitujve. Por për herë të parë na është dhënë çelësi – t’i zhbllokojmë vetë kapitujt dhe grupimet dhe të vazhdojmë me sukses procesin negociator, tha Osmani në konferencën për shtyp me tre ministrat e BE-së.

    Ndryshe, propozimi për ndryshime kushtetuese është dorëzuar në Qeveri. Ai pritet të shqyrtohet në njërën nga seancat e ardhshme dhe deri në fund të muajit të kalojë në Parlament. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje nga Vilnius përsëriti edhe një herë se ndryshimet kushtetuese janë votë për BE-në dhe për vazhdimin e rrugës evropiane të shtetit dhe se askush nuk ka të drejtë ta izolojë shtetin. Opozita i qëndron vendimit për përfundimin e bisedimeve për ndryshimet kushtetuese. “Propozimi për ndryshime kushtetuese është dorëzuar në Qeveri dhe pasi do ta shqyrtojë në njërën nga seancat e radhës, por jo më vonë se fundi i këtij muaji do të dorëzohet në Parlament. Ndryshimet kushtetuese janë votë për BE-në dhe për vazhdimin e rrugës evropiane”, tha Kovaçevski në konferencën për media të mbajtur në Vilnius, ku u mbajt Samiti i NATO-s. Ai theksoi se ndryshimet kushtetuese nuk janë nën asnjë diktat, por se janë pjesë e obligimeve të përcaktuara në kornizën negociuese që u miratua në korrik të vitit të kaluar në Parlament pa asnjë votë “kundër”.

    Kovaçevski theksoi se secili ka të drejtë të izolohet, por jo të izolohet shteti. Ai mbetet i mendimit se duhet hapur një diskutim sepse është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin. “Për herë të parë kemi një situatë ku vetoja nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Gjithkush ka të drejtë të izolojë veten apo edhe një pjesë të partisë së tij politike, por nuk ka të drejtë të izolojë shtetin. Retorika e tyre, e zhurmshme për një vit të tërë, pushoi së ekzistuari në ditën e mbledhjes së takimit të liderëve. U pranuan të gjitha kushtet e kreut të opozitës. Pastaj, ndoshta nën ndonjë presion, të brendshëm ose nuk e di se çfarë, ai përsëriti qëndrimet e tij”, tha Kovaçevski.

    Ndërsa ministri i Drejtësisë Krenar Loga është i mendimit se ndryshimet kushtetuese do të kalojnë në Parlament deri në fund të dhjetë ditëve të ardhshme. “Besoj thellë se këtë verë do të kemi ndryshime kushtetuese. Propozimi nga ana jonë ka më shumë se dy-tre javë në procedurë qeveritare. Kryeministri së bashku me Mickoskin u ulën dhe deri diku kishin një marrëveshje për mbështetje që ndryshimet kushtetuese të shkojnë në Parlament me konsensus. Kanë mbetur edhe pak ditë. Besoj se deri në fund të këtyre dhjetë ditëve do të përpunohen dhe do të dorëzohen në Parlament. Procesi nuk është i thjeshtë, kërkon një konsensus të gjerë dhe dy të tretat në Parlament, i cili besoj se do të sigurohet”, tha Loga. Ai mbrëmë tha se ka informacione se në VMRO-DPMNE janë duke u diskutuar për ndryshimet kushtetuese.

    Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, i cili është për vizitë në Uashington, mendon se ndryshimet kushtetuese do të jenë test i konsensusit politik për BE-në. Në një tryezë të rrumbullakët në Uashington, Mariçiç theksoi rëndësinë dhe nevojën që BE-ja të japë një plan të qartë që perspektiva jonë evropiane të jetë sa specifike kohore dhe e dukshme me projekte konkrete që do të përfitojnë qytetarët.

    Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një deklaratë për media këtë fundjavë ka bërë të ditur se Komiteti Ekzekutiv i partisë ka marrë vendim që të ndërpriten të gjitha takimet me Qeverinë për ndryshimet kushtetuese dhe se e vetmja gjë për të cilën mund të diskutohet është që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vjeshtë. “Ne nuk kemi komunikim me qeverinë, kemi pasur një seancë të Komitetit Ekzekutiv të partisë dhe kemi marrë vendim unanim që si VMRO-DPMNE të ndërpresim të gjitha komunikimet zyrtare në nivel bilateral me përfaqësues nga qeveria. Ka vetëm një gjë, dhe ajo është të ulemi dhe të pajtohemi për zgjedhjet, kur do të mbahen zgjedhjet, si do të zhvillohen zgjedhjet, në çfarë mënyre – me një qeveri teknike, pa një qeveri teknike apo gjithçka që është lidhur me zgjedhjet”, tha Mickoski.

    Ish-zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, e cila është nënkryetare e Partisë Evropiane Socialiste (PES), në edicionin e fundit të revistës për çështje shoqërore “Sfidat” të botuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, shkruan se deri në fund të vitit Komisioni Evropian duhet del me një Agjendë të re 2030, në të cilën do të përcaktojë hapat e ardhshëm, rregullat e reja dhe ofertën reale për vendet që pretendojnë të anëtarësohen. “Vendet anëtare duhet të mbështesin vizionin e një vale të re të zgjerimit në vitin 2030, nëse kandidatët përmbushin atë që kanë premtuar. Studimet kanë treguar se pa një perspektivë të qartë aksesi, politika e kushtëzimit nuk mund të prodhojë reforma sistematike për evropianizim. Përveç kësaj, të gjitha reformat kryesore të brendshme të BE-së (tregu i vetëm, futja e euros) dolën me sukses vetëm pasi Unioni i vendosi vetes afate të qarta. Qëllimi është të thyhet trendi i negociatave të pafundme, pa një afat kohor të qartë dhe pa presion për rezultate. Natyrisht, viti 2030 nuk duhet të paraqitet si premtim apo ‘punë e kryer’, por si ofertë e ndershme dhe e besueshme për vendet në proces zgjerimi”, vlerëson Shekerinska. /KOHAMK/

    Lajmi Paraprak

    Europa jugore kaplohet nga moti i nxehtë

    Lajmi i rradhës

    PARA PUSHIMEVE VERORE | Rritje e madhe e çmimeve të biletave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë