PARA PUSHIMEVE VERORE | Rritje e madhe e çmimeve të biletave

    Udhëtimet ndërkombëtare më të shpeshta në Maqedoni janë linjat Shkup-Stamboll, ku kohëve të fundit biletat janë shtrenjtuar për 2.000 denarë për një drejtim, për shkak të heqjes së biletave vajtje-ardhje. Para fillimit të sezonit veror, biletat për vajtje-ardhje kushtonin rreth 3.100 denarë, tani qytetarët për dy drejtime paguajnë rreth 5.000 denarë. Rritje të dukshme të çmimeve ka edhe për biletat e autobusëve në drejtim të vendeve fqinje si Beogradi, ku bileta vajtje-ardhje e linjës së autobusit në mes të Shkupit dhe Beogradit kushton nga 2.800 deri në 3.250 denarë, ndërsa deri vitin e kaluar, para fillimit të verës, çmimet ishin rreth 2.200 denarë.

    Edhe për linjën Shkup-Sofje-Shkup ka rritje të biletave, ku momentalisht çmimi sillet nga 2.720 deri në 2.820 për dy drejtime. Një vit më parë biletat e kësaj linje për drejtim vajtje-ardhje kushtonte rreth 2.000 denarë. Ngrirje të çmimeve nga viti i kaluar ka vetëm në linjën Shkup-Tiranë-Shkup ku bileta për dy drejtime kushton 1.890 denarë, e cila është linja e vetme që nuk ka pasur korrigjim nga viti i kaluar. Një vit më parë, për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, u ngritën edhe çmimet e biletave të autobusëve në transportin ndërkombëtar. Vitin e kaluar çmimet e derivateve të naftës u ngritën mbi 110 denarë për litër, ku pikërisht kjo ishte arsyeja për rritjen e çmimeve të biletave. Por sot, ku çmimi i naftës sillet rreth 70 denarë për litër dhe benzina rreth 80 denarë për litër, çmimi i biletave është po i njëjtë, dhe duket se për sa i përket uljeve të çmimit të biletave nuk do të ketë korrigjim.

    Javët e kaluara çmimi i biletës së autobusit në linjën Shkup-Stamboll ka arritur në 80 euro për udhëtim në të dy drejtimet. Një transportues autobusi i cili filloi të funksionojë sërish në prill të këtij viti në linjën Shkup-Beograd, ofron bileta autobusi vajtje-ardhje për 2.950 denarë, ndonëse para anulimit të linjës, i njëjti transportues udhëtonte me çmim prej 2.200 denarë në të dy drejtimet.

    Nga kjo mund ta bëjmë krahasimin e çmimeve të biletave të autobusëve drejt destinacioneve në vendet fqinje. Pra, një udhëtim me autobus në një drejtim për në Tiranë kushton pak më pak se 4.5 denarë për kilometër. Çmim pothuajse i njëjtë prej 4.5 denarë për kilometër paguhet edhe për një udhëtim për në Beograd. Për dallim nga kjo, për të kaluar 244 kilometra në mes të Shkupit dhe Sofjes, bileta në një drejtim kushton 1600 denarë, pra 6.5 denarë për kilometër. Çmimi më i lartë me mbi 9 denarë për kilometër është ai i udhëtimit për në Selanik. Për një biletë deri në këtë destinacion 240 kilometra larg duhet të paguhet 2.200 denarë në një drejtim.

    Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thanë se ligjet aktuale përcaktojnë që transportuesi në mënyrë të pavarur ta caktojë çmimin e transportit, gjegjësisht se ata si ministri nuk kanë kompetencë të ndërhyjnë në këtë çështje. “Transportuesi është i detyruar të lidhë marrëveshje për rregullimin e shërbimeve me stacionet e kategorizuara të autobusëve në përputhje me orarin e linjës dhe të dorëzojë listën e çmimeve në stacionet e autobusëve që përdor në përputhje me orarin e përcaktuar. Transportuesi është i obliguar që përmes mjeteve të informimit publik të njoftojë për fillimin e transportit me linjë ndërurbane sipas orarit të qarkullimit”, theksuan nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

    Nga Inspektorati Shtetëror i Transportit thonë se nuk kanë asnjë kompetencë për të ndërhyrë tek transportuesit e autobusëve në lidhje me rritjen e çmimit të biletave ndërkombëtare, por ky Inspektorat shton se në përputhje me nenin 24 paragrafi 2 të Ligjit për Transportin Rrugor, parashihet që transporti i udhëtarëve të bëhet në linjë të caktuar sipas një orari të caktuar paraprakisht dhe çmimi të përcaktuar dhe të publikuar të transportit, të cilët miratohen nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. “Dispozitat që vlejnë për transportin ndërurban të udhëtarëve vlejnë edhe për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, neni 42 i Ligjit për Transport në Komunikacionin Rrugor”, sqarojnë nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.

    Nga ana tjetër për sa i përket transportit ndërkombëtarë hekurudhor, në Maqedoninë e Veriut ka vite që nuk ka trena ndërkombëtarë drejt vendeve fqinje. Transporti ndërkombëtar i fundit ndaloi në periudhën e Covid-19 mes Shkupit dhe Prishtinës. Në ueb-faqen e Hekurudhave ende figurojnë disa bileta për vajtje-ardhje, mirëpo trena drejtë destinacioneve të vendeve fqinje dhe atyre ndërkombëtare nuk ka. /KOHAMK/

    Lajmi Paraprak

    Mes izolimit dhe përparimit!

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Perspektiva europiane është parakusht për sigurinë e rajonit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë