Mësimi i gjermanishtes – Armë e fushatës në Poloni

    Qeveria polake e ka reduktuar mësimin në gjuhën e origjinës për minoritetin polak në vend. Gjermanët në Poloni e shohin veten të keqpërdorur politikisht nga qeveria e Varshavës me qëndrim antigjerman dhe protestojnë.

    Qeveria polake e ka reduktuar mësimin në gjuhën e origjinës për minoritetin polak në vend. Gjermanët në Poloni e shohin veten të keqpërdorur politikisht nga qeveria e Varshavës me qëndrim antigjerman dhe protestojnë.

    “Kthejuani gjuhën fëmijëve” mund të lexosh që prej dy javësh në pllakata të mëdha anës rrugës në Vojvodshinë Opole të Polonisë jugperëndimore. Pllakata me të njëjtën përmbajtje i sheh të varura edhe në shtëpi private. Njëshi nuk është i barabartë me treshin, mësimi i gjuhës nuk është i barabartë me politikën, lexon më tej në pllakata, ku një djalë ka mbyllur gojën me dorë. Aksioni synon të kujtojë reduktimin e mësimeve të gjermanishtes në gjuhën e origjinës.

    Nga tre orë në javë ka mbetur vetëm një, prej vitit shkollor 2022/2023. Ky kufizim u shoqërua me një reduktim përkatës të financave në buxhetin e shtetit për vitin 2022. Ai preku vetëm pakicën gjermane, grupet e tjera etnike mund të mbanin ende tre orë në javë. Pas protestave të shumta, Ministri i Arsimit Przemyslaw Czarnek premtoi në janar 2023 se do ta kthejë pas këtë reduktim. Deri tani kjo nuk është bërë.

    Rajoni Opole në Silezinë e Epërme, i cili është pjesë e Polonisë që nga viti 1945, është shtëpia e shumicës së pakicës gjermane të vendit. Zyrtarisht, rreth 140.000 qytetarë polakë deklarohen aktualisht si gjermanë. Por sipas të dhënave të Federatës së Shoqërive Socio-Kulturore Gjermane në Poloni (VdG), identitet gjerman kanë mbi 300.000 qytetarë polakë.

    “Llogaria politike” e PiS

    Nëse dikush kërkon një rajon multikulturor në Poloninë e sotme mjaft homogjene, Opole Silezia është një vend për ta parë. Dhe pikërisht këtu ndihet veçanërisht i dhimbshëm reduktimi i mësimit të gjermanishtes. Presidenti i VdG-së, Rafal Bartek, shpjegon për DW se në rajon janë prekur 55 mijë fëmijë.

    “Për mendimin tim, në bazë ka qenë një llogaritje politike krejtësisht e gabuar, sipas së cilës mund të bëhet politikë me fëmijët”, thekson ai. Sipas tij, kjo ka një kontekst të fortë politik dhe është pjesë e retorikës antigjermane të qeverisë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës. “Ministri Czarnek mendoi se mund të preket Berlini në këtë mënyrë, sepse gjoja nuk ka simetri në lidhje me financimin e mësimit të gjermanishtes si gjuhë amtare në Poloni dhe mësimit të polonishtes si gjuhë amtare në Gjermani”, shpjegon 46-vjeçari.

    Trajtimi i supozuar i pabarabartë është një qortim i përhershëm i qeverisë së PiS në Berlin. Ministri polak i arsimit Przemyslaw Czarnek e përsërit gjithashtu në një postim në Twitter duke reaguar ndaj fushatës së pllakatave: “Nëse 120 milionë zlot në vit për mësimin e gjermanishtes si gjuhë amtare është diskriminim, çfarë i quani ju 0 eurot nga Republika Federale e Gjermanisë për mësimin polak si gjuhë amtare për polakët në Gjermani”?

    Dallime në sistemin arsimor

    Në shkurt të vitit 2022, Bernd Fabritius, delegat i qeverisë federale për çështjet e të Shpërngulurve dhe Pakicave Kombëtare, foli për këtë qortim të shpeshtë të qeverisë së PiS në lidhje me Berlinin duke shpjeguar ndryshimin midis sistemeve shkollore të dy vendeve. “Në Poloni, pretendohet gjithmonë se qeveria federale, Republika Federale nuk subvencionon. Kjo është thjesht sepse në Gjermani, arsimi është çështje e Landeve federale. Ndihma jepet në nivelin e Landeve “. Sipas Fabritius, Landet shpenzojnë rreth 200 milionë euro çdo vit për mësimin e polonishtes.

    Sipas raportit të Konferencës së Ministrave të Arsimit “Për situatën e arsimit polak në Republikën Federale të Gjermanisë”, të cilin e shfletoi DW, numri i nxënësve që mësuan polonisht arriti në pothuajse 14.500 për vitin shkollor 2019/2020. Prandaj, kritikat e PiS ndaj qeverisë federale në Berlin bazohen në supozime të gabuara dhe mund të mashtrojnë njerëz në Poloni që nuk e njohin sistemin gjerman.

    Në postimin e tij në Twitter, ministri polak përmend më tej shumën prej 120 milionë zloti, ose afërsisht 27 milionë euro, të cilat do të shpenzoheshin për mësimin e gjermanishtes në gjuhën amtare në Poloni. Kjo është gjysma e shpenzimeve të mëparshme. Por kur në shkurt 2022 u vendos të shkurtohej buxheti i shtetit polak, bëhej fjalë për vetëm një të gjashtën e shumës së mëparshme.

    Mësuesit gjermanë në situatë të vështirë

    Mësuesit me të cilët foli DW janë të shqetësuar. Marcin Gambiec ka dhënë mësim gjermanisht për 14 vjet në shkollën fillore numër 24 në Opole – si gjermanisht si gjuhë të huaj ashtu edhe gjermanisht si gjuhë amtare. Këto janë dy programe të ndryshme mësimore: gjermanishtja si gjuhë amtare fillon në vitin e parë, gjermanishtja si gjuhë e huaj vetëm në vitin e shtatë.

    Kur u reduktua mësimi i gjermanishtes, Gambiecit iu desh të humbiste gjysmën e orëve. Por disi ai “shpëtoi veten”, siç thotë ai për DW. “Unë isha ende në një situatë të mirë, sepse më parë kisha bërë studime shtesë në shkenca kompjuterike dhe kështu mund të zëvendësoja orët e munguara si mësues kompjuteri. Por dy kolegët e mi gjermanë, të cilët punonin me kohë të pjesshme si mësues të gjermanishtes e kanë humbur punën” , shpjegon Gambiec.

    Fëmijët, viktima të politikës

    Por më të prekurit sipas tij janë fëmijët. “Për familjet me origjinë gjermane është shumë e rëndësishme që brezi i ri të ruajë gjuhën, ta mësojë edhe në shkollë. Ata që munden i dërgojnë fëmijët e tyre te të afërmit në Gjermani për një periudhë të gjatë në mënyrë që të kenë mundësi të praktikojë gjermanishten”, shpjegon mësuesi. Por e gjithë kjo nuk i zëvendëson mësimet e rregullta të gjermanishtes.

    Për Rafal Bartek-un, fakti që PiS ndjek një ton antigjerman përpara zgjedhjeve është pjesë e normalitetit. “Me sa mbaj mend, karta antigjermane ka qenë gjithmonë një element i fushatës elektorale në Poloni”, sqaron presidenti i VdG. “Por kurrë nuk ka ndodhur kaq seriozisht që 55 mijë qytetarë, në këtë rast fëmijë, të preken kaq drejtpërdrejt nga loja politike”, shton ai.

    Kartë antigjermane në fushatën zgjedhore

    Rreth 15 mijë prindër kanë publikuar një letër proteste kundër uljes së orarit të mësimeve të gjermanishtes. Shumë prej tyre i dërguan edhe letra ministrit me pyetje për të ardhmen e arsimit në gjuhën gjermane. Ata morën përgjigje formale. Ministria e Arsimit dhe Shkencës thuhet se është duke “analizuar rregulloret ekzistuese në këtë fushë për të organizuar mësimin e gjuhëve të pakicave, etnike dhe rajonale në mënyrë gjithëpërfshirëse”.

    Për vitin shkollor 2023/24, i cili do të fillojë së shpejti, oferta e mësimdhënies gjermane do të jetë ende e kufizuar. Për Rafal Bartek-un, ulja e orëve të gjermanishtes mbetet një “diskriminim ndaj qytetarëve”. “Është një kartë e turpshme që luhet. Ajo do të hyjë në historinë e politikës polake.” /DW/

    Lajmi Paraprak

    Kura natyrale kundër helmimit nga ushqimi

    Lajmi i rradhës

    Konsensus për në BE apo për zgjedhje?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë