Konsensus për në BE apo për zgjedhje?

    Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në fillimin e seancës plenare për ndryshimet kushtetuese. Ndërsa pushteti ende nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme për t’i bërë ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër, opozita ka ritheksuar deri më tani dhjetëra herë që nuk do të votoj në favor të propozimit për futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Por nëse nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut, nuk do të hap negociatat dhe nuk do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në dhe fillimin praktik i negociatave.

    Qeveria insiston në miratimin e ndryshimeve kushtetuese pasi thotë që janë obligim të kornizës negociuese. Derisa opozita i quan këto ndryshime – diktim bullgar.

    Njohësit e çështjeve politike dhe analistët thonë se tani më shumë se një vit flitet rreth ndryshimeve kushtetuese dhe e gjithë vëmendja dhe energjia e faktorit politik është vendosur në ndryshimet kushtetuese. Sipas tyre, kjo është e dëmshme pasi nuk po lëvizin punët tjera dhe kemi hy në një rreth vicioz që po sillemi rreth tij. Politologu Bllagojçe Atanasoski, për gazetën KOHA, ka deklaruar se duke qenë se gjatë një viti e gjysmë është përvijuar e gjithë trajektorja politike, se a do të miratohen apo jo ndryshimet kushtetuese, pra nuk po flitet për asgjë tjetër në diskursin publik, është e qartë se vendi do të shkoj drejtë një krize të re politike. “De facto do të jetë disfatë për integrimet evropiane të Maqedonisë me akuza të ndërsjella nga pushteti dhe opozita, kush për kë e ka fajin. Akuza të ndërsjella do të kemi për një periudhë të gjatë.  Por kjo nuk është tragjedia. Më e keqja është se pas zgjedhjeve, nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare zhvillohen në vjeshtë, detyrimi për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë do të mbetet dhe kushtet në të cilat do të na duhet ta miratojmë atë mund të jenë edhe më të vështira si nga brenda ashtu edhe nga brenda nga jashtë”, ka deklaruar Bllagojçe Atanasoski, politolog.

    Analisti Qashif Bakiu, për gazetën KOHA, ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese sjellin në pah veprimin politik dhe qasjen që kanë elitat ndaj së ardhmes dhe të shkuarës. “Votimi pro ndryshimeve përcakton vizionin për të ardhmen, ndërsa votimi kundër është tregues se parti të caktuara ngelin rob të së kaluarës, apo përdorin të kaluarën për të ringjallur ide që u ka kaluar koha.
    Mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese mund të hap më shumë skenare, të cilat mund të ndodhin varësisht nga matematikat e politikës së brendshme ditore. Vetëm një skenar është i sigurt, me mosvotimin e ndryshimeve Maqedonia e Veriut, do ta humb edhe trenin e fundit pêr integrim në BE, gjë që do të izoloj shtetin dhe do ta le peng të veprimeve politike të politikanëve pa vizion”, u shpreh ai.

    Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vikendit publikuar një video në Facebook në të cilën shpjegon thelbin e kornizës së negociatave “në disa hapa”, për të mohuar spekulimet e shumta lidhur me ndaj përmbajtjes së tij. “Ajo që është më e rëndësishme është se në asnjë nga këto standarde, tabela apo hapa në pjesën e posaçme të kuadrit të negociatave nuk ka asnjë referencë apo lidhje me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, asnjë referencë për çështjen e punës së komisionit , as shqyrtimet nga neni 12 i së njëjtës Marrëveshje”, ka shkruar Osmani. Por ishte kjo video që shkaktoi reagime të shumta. “Bujar Osmani të marrë një copë shkumës dhe të shkruajë me shkronja të mëdha – nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar”, thonë nga VMRO-DPMNE opozitare.

    Rikujtojmë se kryeministri Koveçevski, ditë më parë ka ftuar për një konsensus të përgjithshëm rreth ndryshimeve kushtetuese. Edhe nga partia e Mickoskit bëjnë thirrje për konsensus – por për zgjedhje të parakohshme. Sipas tyre, momenti i konsensusit të përgjithshëm ishte viti i kaluar, kur mijëra njerëz protestuan kundër propozimit francez dhe kur partia i ofroi një dorë ndihmëse, të cilën kryeministri e refuzoi vazhdimisht me arrogancë. Për këtë arsye, sipas VMRO-DPMNE-së, thirrja për një konsensus të përgjithshëm është e vonuar. “Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiq i zhvilluan negociatat në stilin ‘Unë, babi dhe vëllai’, dhe nga ana tjetër, Bullgaria përfshiu të gjithë kapacitetin e saj diplomatik, institucional dhe ekspert. Dhe për shkak të kokëfortësisë së Kovaçevskit, sot vendi ynë duhet të ndryshojë Kushtetutën nën diktimin bullgar dhe në të njëjtën kohë nuk ka garanci institucionale evropiane se Bullgaria nuk do të vendosë kushte të reja, nuk do të ketë ndryshime në tekstet shkollore dhe narrativet historike, se nuk do të ketë negociata të pafundme apo rinacionalizim”, thonë nga VMRO.

    Ndryshe, kryeparlamentari Talat Xhaferi, ka thënë se debati për ndryshimet kushtetuese mund të zgjasë më së shumti 10 ditë pune. “Por votimi për ndryshimet kushtetuese mund të shtyhet, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme prej 80 votash, sepse akti i votimit nuk është i lidhur me ditën e fundit të debatit. Kuvendi vendos nëse ka shumicën e nevojshme për vendimmarrje konkrete,  andaj  nuk mund të predikohet mënyra se a do të ndodhë votimi në fund të debatit apo do të jetë e prolonguar akti i votimit”, potencoi kryeparlamentari, Xhaferi. Ai nënvizoi se zgjedhje të parakohshme mund të ketë, nëse parashtrohet propozim-vendim për shpërbërje të Parlamentit dhe siç e parasheh Kushtetuta në afat prej 60 ditësh nga ky vendim do të organizoheshin zgjedhjet. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Mësimi i gjermanishtes – Armë e fushatës në Poloni

    Lajmi i rradhës

    FENOMENI SHUMËVJEÇAR – Ku ka dasëm, ka krisma!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë