Mexhiti: Emërimi i Osmanit për koordinator të Çairit i ngjason PDSh-së së dikurshme

    Emrimi i Bujar Osmanit për koordinator i BDI-së për Çair, sipas nënkryetarit të BDI-së dhe anëtarit të të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit”, Izet Mexhiti është jostatutar dhe jolegjitim, njofton Portalb.mk.

    “E para është absurde sepse Bujari është i angazhuar me OSBE-në, pra për projekte ndërkombëtare dhe nuk shkojnë politikat ditore me ato ndërkombëtare. E dyta në Statut të BDI-së nuk ekizston pozita e koordinatorit, pra është jostatutare dhe nuk është legjitime. Për këtë nuk është diskutuar në organet partiake”, tha Mexhiti në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk.

    Ai theksoi se emërimi i Osmanit për koordinator të Çairit “i ngjason sikur PDSH-së së dikurshme, kur brenda natës shkarkonte dhe emëronte krerë të degëve në mënyrë jostatutare”.

    Sipas tij, kjo është tendencë për ta heshtur mendimin ndryshe, por kjo, siç tha Mexhiti, nuk e shuan zjarrin, vetëm se do e rrit.

    Në pyetjen e Portalb.mk nëse “Grupi i Zjarrit” do të formojë lëvizje apo parti të re, Mexhiti tha se do të vazhdojnë të luftojnë brenda BDI-së.

    “Do vazhdojmë të jemi brenda partisë, pasi që informatat në terren dhe në struktura, dëshmojnë se 99% e tyre mendojnë si ne, por reagimin dikush e ka më herët dhe dikush më vonë. Kjo na nxit që ta vazhdojmë luftën brenda organeve partiake, pra brenda subjektit. Zgjidhja do të ishte ballafaqimi në debat me argumentet, ai që i ka argumentet duhet të fitojë dhe mendoj se argumentet janë në anën tonë. Këtë e dëshmon edhe masiviteti edhe euforia në tubimet që i bëjmë ne. Ku shkon Artani dhe Bujari nuk duket sikur e përfaqësojnë BDI-në, por sikur përfaqësojnë ndonjë parti minore, si këto deputet që i kanë nga një dhe dy deputetë”, tha Osmani.

    Në fund, Mexhiti dërgoi një porosi për kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, duke e porositur që të reflektojë.

    “Përgjegjësia bie më shumë mbi Ali Ahmetin, i cili duhet ta sheh këtë situatë se nga shkon BDI-ja dhe të reflektojë”, tha Mexhiti.

    Kujtojmë se TV21, njoftoi se Ahmeti ka vendosur që Osmani të jetë koordinator i proceseve politike në degën e Çairit. Në këtë mënyrë kjo nënkupton marrje të kompetencave të Izet Mexhitit si kryetar i degës së BDI-së në Çair.

    Portalb.mk, kërkoi qëndrim edhe nga Bujar Osmani, por edhe nga shefi i Kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi, megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti ata nuk iu përgjigjën thirrjeve tona telefonike dhe sms-porosive.

    Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

    Nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur më 27 dhjetor, funksionarët e pakënaqur të BDI-së deklaruan se nga 19 premtime zgjedhore, vetëm dy janë realizuar tërësisht – “zëvendëskryeministri shqiptar dhe negociuesi shqiptar për BE dhe NATO”, ndërsa pjesërisht janë përmbushur pesë. Kjo, sipas Izet Mexhitit, do të thotë se BDI tërësisht i ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve, 2,9 përqind janë realizuar pjesërisht, 95,9 përqind nuk janë realizuar. Lidhur me projektet infrastrukturore, siç potencoi, për dy vjet prej 520 milionë eurosh vetëm 11 milionë euro janë investuar për “pesë projekte shqiptare, në mesin e të cilave aksi Kërçovë – Dibër”.

    Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.

    Megjithatë, kjo porosi e Ahmetit nuk i ka zmbrapsur funksionarët e “Grupit të Zjarrit” që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Ahmeti me ministrat dhe anëtarët tjerë të pushtetit ekzekutiv mbajnë tubime me qytetarët, ndërkaq paralelisht edhe “Grubi i Zjarrit” mban tubime me qytetarët nën logon e BDI-së.

    Lajmi Paraprak

    Dimovski: Mungesa e modalitetit përkatës, shkak për intensitetin e alarmeve të rreme për bomba

    Lajmi i rradhës

    Noam Chomsky: ChatGPT është një formë e “plagjiaturës së teknologjisë së lartë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë