Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti thotë se askush nuk duhet të frikësohet nga Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut, sepse kjo garanton progres për të gjithë shtetin. Mexhiti tha se shpreson që kjo ide do të gjejë mbështetje edhe nga maqedonasit, njofton TV21, përcjell Nistori.
Ulja e përqindjes së shqiptarëve në administratë, Mexhiti: Atë që e tha Minçev nuk është në përputhje me ligjin
Mexhiti thotë që nga vitet e ’90-ta e deri më sot, nuk ka pasur koalicion më stabil qeverisës. Paraprakisht duke folur për mospajtimet me partnerin e koalicioni ZNAM, Mexhiti tha se në disa raste kemi mendime të ndryshme, por kemi kapacitet të gjejmë zgjidhje.
“Ajo në koalicionin qeverisës. Ne jemi bashkë por nuk jemi të njëjtë, nuk jemi një. Jemi të ndryshëm. Në disa raste kemi mendime të ndryshme, por kemi kapacitet të bisedojmë, negociojmë, të gjejmë zgjidhje, kompromis dhe të shkojmë para”, tha Mexhiti.
Duke komentuar vendimin e ministri për Administratë nga radhët e ZNAM, Goran Minçev për ndryshim të përqindjes së Balancuesit, me çka ulet përfaqësimi i shqiptarëve në administratë nga 29,52% në 24,30%, Mexhiti thotë se kjo nuk është në përputhje me ligjin.
Kritikat e Gjermanisë, Mexhiti: Korridori 8 ka qenë, mbetet dhe do të jetë në prioritetet e VLEN-it dhe qeverisë
Duke komentuar kritikat e emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin për qasjen e qeverisë së re në RMV ndaj Korridorit 8, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti siguroi që ky projekt do të mbetet prioritet në Qeverinë e RMV-së.
“Mendoj që është nxjerrë prek kontekstit, e para dmth në buxhetin e Maqedonisë pjesa më e madhe e mjeteve janë të parapara pikërisht për Korridorin 8, kemi investim mbi 1 miliard euro që kryesisht dmth është i orientuar për Korridorin 8. Korridori 8 e ka rëndësinë e veçantë për Maqedoninë dhe për regjionin, dmth që e lidh Shqipërinë me Bullgarinë, apo Detin e Zi me Detin Adriatik, është aks shumë i rëndësishëm për regjionin dhe do të mbetet në prioritetet e qeverisë”, tha mes tjerash Mexhiti.
Ndërkaq, Mexhiti thekson se janë konstatuar disa parregullsi në projekt, por që kjo nuk do të thotë se i njëjti do të ndërpritet.
“Sa i përket një segmenti, aty ka problem sepse është konstatuar korrupsion i madh, flas vetëm për segmentin e Hekurudhës që duhet të shkojë me Bullgarinë, kjo nuk do të thotë që Korridori 8 spostohet, Korridori 8 ka qenë, mbetet dhe do të jetë në prioritetet e VLEN-it dhe qeverisë së tanishme”, pohoi Mexhiti. /Nistori/