Mexhiti largohet, shumica parlamentare me tre deputetë më pak

    Shumicës parlamentare mbetet pa tre deputet, Izet Mexhitin, Merita Koxhaxhikun dhe Kastriot Rexhepin. Njëherësh këto janë edhe deputetët të cilët nuk votuan për zgjerimin e Qeverisë kur pjesë e saj u bë Aleanca për Shqiptarët. Mexhiti mbrëmë gjatë promovimi të lëvizjes së re demokratike tha se do ta njofton kreun e Kuvendit zyrtarisht për veprimin e tij dhe të Koxhaxhikut e Rexhepit. BDI, parti nga e cila dolën dy deputetë thonë se shumica është stabile dhe se shprehin keqardhje për veprimin e Mexhitit me shokë.

    “Kjo shumicë aktuale parlamentare është në të njëjtat numra që nga momenti i formimit të saj. Kjo Qeveri dhe programi i saj është zgjedhur me të njëjtat numra sa i ka edhe sot. Fare nuk pres kjo të ndikon në shumicën parlamentare”, tha Arbër Ademi, deputet i BDI-së.

    Nga LSDM njoftuan shkurt se shumica nuk është zvogëluar dhe se e njëjta mbetet stabile. Ndërkohë nga Aleanca për Shqiptarët thonë se zhvillimet e fundit brenda BDI-së nuk ndikojnë në stabilitetin e shumicës parlamentare.

    “Deputetët e apostrofuar nuk kanë qenë pjesë e shumicës aktuale andaj edhe vendimi i tyre nuk ka asnjë ndikim në numrat në Kuvend”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Opozita vlerëson se veprimet e fundit brenda shumicës vërtetojnë se e njëjta vazhdon të ballafaqohet me mbijetesën në Kuvend. Sipas Lëvizjes Besa, hyrja e ASH-së në Qeveri nuk i zgjidhi problemet me stabilitetin e mazhorancës, por përkundrazi e komplikoi atë. Sipas Fadil Zendelit, veprimi i Mexhitit do ta forcon opozitën shqiptare brenda Kuvendit.

    “Kjo krizë parlamentare vazhdon prej më herët edhe pse para disa muajsh u “harrnua” përmes përfshirjes së ASH-së në Qeveri po shihet se kjo shumicë ka mungesë të kohezionit të saj politik. Jo që nuk u rritën por vetëm sa vijnë dhe zvogëlohen më shumë”, deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

    Sipas VMRO-DPMNE-së, shumica parlamentare po përjeton atë që deshi ta bën tek opozita, përçarjen e saj.

    “Kjo dëshmon se nuk bëhet fjalë për front Evropian. Ata po vendosin të veprojnë si opozitë për shkak se kanë kuptuar se në Qeveri është korrupsioni i lartë dhe nuk janë përmbushur premtimet. Qeveria e cila tentoi ta përçan opozitën, po përjeton krizën më të madhe dhe mungesën e uniteti politik brenda saj”, u shpreh Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Ditë më parë, Izet Mexhiti përmes promovimit të lëvizjes së re politike paralajmëroi shkëputje nga BDI dhe veprim ndaras nga partia. Bashkë me të janë Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e bashkimit me deputetët e Alternativës dhe Lëvizjes Besa në një grup parlamentar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria miraton iniciativën për ndryshimet kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    Ilir Demiri është drejtori i ri i Spitalit Klinik në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë