Provimi i jurisprudencës nuk do të jetë 100% siç kërkojnë studentët. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk lëviz nga formati i dakorduar që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Mickoski thotë se zgjidhja mbetet në parimin që gjuha e vetme në të cilën funksionon gjyqësori është maqedonishtja.
“E para nuk do të ketë as kërkesë dhe as zgjidhje përmes së cilës provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe. Zgjidhja që do t’i ofrohet Qeverisë në seancë përmban dy pjesë: pjesa e parë thotë se studentët do të kenë mundësi që pjesën e cila lidhet me studimet e tyre deridiplomike në gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase që nënkupton në shqip, turqisht dhe anglisht, të testohen në gjuhën në të cilën kanë studiuar. Në pjesë ku stimulohet procesi gjyqësor në pjesën e procedurës penale dhe procedurës civile do të jetë në përputhje me linjën maqedonase dhe kjo nënkupton se sistemi gjyqësor mbetet në linjën e gjuhës maqedonase sepse ajo lidhet me sundimin e ligjit dhe jo me të drejta të tjera ose veprime politike që ndërlidhen me atë. Në këtë drejtim i rrumbullakoj të gjitha zhvillimet dhe si Qeveri nuk kemi asnjë qëndrim ndryshe nga ky.” – Tha Kryeministri Hrisitjan Mickoski.
Për paralajmërimet e ZNAM-it që nëse provimi jepet në shqip atëherë do ta lëshojnë Qeverinë, Mickoski shprehet:
”Mendoj se në kuadër të kësaj e dhashë qëndrim tim”.
Ndërkohë partneri qeveritar VLEN thotë se ZNAM-i kundërshton zgjidhjen për të tërhequr vëmendje për shkak rënies së mbështetjes në anketa.
“I mbështetur për muri për shkak të rënies së lirë në anketa, Maksim Dimitrievski, bashkë me ZNAM-in, dëshpërimisht kërkon vëmendje. Nëse provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe është arsyeja për ta braktisur Qeverinë, le të dalin. VLEN nuk heq dorë nga të drejtat e shqiptarëve. Qëndrimi i Dimitrievskit është i gabuar, njësoj si qëndrimi i BDI-së së korruptuar për të kundërshtuar gjithçka që bën kjo Qeveri. Provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, duan apo nuk duan Dimitrievski dhe BDI-ja”. – Deklaruan nga VLEN.
Për partinë e Maksim Dimitrievskit nuk është i pranueshëm ky model të cilin e quajnë hibrid. Sipas tyre shqetësuese mbetet që modelin e refuzojnë studentët që nesër duhet të bëhen avokatë e gjykatës.
“Ajo që më shqetëson mua është se zgjidhja e këtillë hibdride u refuzua nga ata që ankohen dhe kundërshtojnë të japin provimin në gjuhën në të cilën nesër duhet të përdoret në të gjitha institucionet ku planifikojnë të punojnë, si gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe të ngjashme”. – Igor Fillkov, ZNAM.
Nga ana tjetër, studentët që nuk e kanë pranuar zgjidhjen e prezantuar nga ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, siç mëson Alsat po zhvillojnë bisedime për hapat e mëtutjeshëm, ku nuk përjashtohen dhe protestat. Studentët gjithashtu planifikojnë ta thërrasin në debat publik ministrin Shasivari për të sqaruar mospajtimet.




