Mickoski: Jemi të gatshëm për zgjedhje pa Qeveri teknike

    Lideri i opozitës Hristijan Mickoski është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pa Qeveri teknike. Kreu i VMRO-DPMNE-së kërkoi nga shumica parlamentare që të mbështesin idenë e tij për ndryshime ligjore me procedurë të përshpejtuar, ndërsa zgjedhjet të mbahen në fund të majit ose gjysmën e parë të qershorit.

    “Zgjasim dorën se nuk duhet të ketë 100 ditë Qeveri teknike. Nëse kjo u ndihmon, nuk duhet aspak Qeveri teknike. Jemi të gatshëm për ndryshime me procedurë të shpejtë të Ligjit mbi Qeverinë dhe Kodin Zgjedhor. Menjëherë jemi të gatshëm për zgjedhje pa Qeveri teknike, me Oliver Spasovskin ministër të Brendshëm dhe me cilin do kryeministër, këtë apo tjetrin që do të vij në ndërkohë”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk pajtohet me konceptin e Qeverisë teknike, por thotë se abrogimi i saj është çështje konsensusi. Sipas tij, argumentet e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk mbajnë, ndërsa nuk i pengon që kryeministër teknik të jetë një shqiptar. Fushatën e BDI-së e cilësoi si çështje të brendshme partiake.

    “Kryeministri teknik ka mandat për t’i zbatuar zgjedhjet. nuk kam aspak problem që të ketë kryeministër teknik shqiptar ose nga cila do tjetër përkatësi etnike. Përkatësia etnike nuk është profesion. Kishim edhe kryeministër vlleh i cili kishte udhëhequr me sukses Qeverinë, kryeministra maqedonas dhe konsideroj se çdokush kush është profesionist mund ta udhëheqë Qeverinë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

    Kovaçevski tha se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në afatin e paraparë me ligj, përkatësisht në korrik të vitit 2024, ndërsa paraprakisht do të mbahen zgjedhjet presidenciale. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kontesti me 140 infermieret në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup ende pa epilog

    Lajmi i rradhës

    Borrell: Anëtarësimi i RMV në BE duhet të jetë aspiratë e të gjithë partive politike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë