Mickoski: marrëveshja për ministritë është arritur, emrat publikohen nesër

    Parimisht është arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit, VLEN dhe ZNAM, për ndarjen e resorëve në kuadër të rindërtimit të paralajmëruar të Qeverisë. Megjithatë, zgjidhjet kadrovike dhe emrat e ministrave të rinj do të bëhen publikë vetëm pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO DPMNE-së, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell Nistori.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me informacionet se VLEN do ta marrë Ministrinë e Drejtësisë nga ZNAM-i dhe se çfarë resori do të marrë në këmbim partia e Maksim Dimitrievskit, Mickoski tha se nuk dëshiron të komentojë detajet para se ato të shqyrtohen nga organet partiake.

    “Nuk kemi diskutuar për emra konkretë. Në parim kemi arritur marrëveshje për ndarjen e resorëve. E kam thënë edhe më parë se, derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as për resorët dhe as për emrat. Prisni deri nesër në orën 20:00, kur opinioni do të informohet më hollësisht”, tha Mickoski.

    Ai refuzoi të komentojë edhe njoftimet e VLEN-it, i cili tashmë ka deklaruar publikisht se pas rindërtimit të Qeverisë do të drejtojë gjashtë ministri.

    I pyetur se kur do të nisin ndryshimet në sektorët e tjerë të qeverisjes, Mickoski sqaroi se prioritet për këtë muaj është rindërtimi i Qeverisë. Sipas tij, planifikohet edhe ribalancimi i buxhetit, ndërsa në seanca të caktuara do të shqyrtohen disa ligje reformuese të nevojshme për agjendën e reformave.

    “Më pas, në gusht, Kuvendi do të jetë në pushim, ndërsa proceset do të vazhdojnë nga shtatori”, shtoi ai.

    Partneri qeveritar VLEN njoftoi të shtunën se, pas rindërtimit të Qeverisë, do të drejtojë gjashtë ministri: Mjedisin Jetësor, Ekonominë, Drejtësinë, Eurointegrimet, Kulturën dhe Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve.

    Zëvendëskryeministri i parë, ministri për Çështje Evropiane dhe sekretari i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali, deklaroi se do të ketë emra të rinj në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa ministrat aktualë në resorët e tjerë kanë vlerësimin e koalicionit dhe do të vazhdojnë detyrën.

    Ndërkohë, partneri tjetër i koalicionit qeverisës, Lëvizja ZNAM, ka bërë të ditur se pas rindërtimit të Qeverisë do të forcohet në aspektin kadrovik dhe do të ketë kapacitete më të mëdha për zbatimin e politikave qeveritare në ministritë përkatëse dhe në nivelet më të ulëta të administratës shtetërore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    51-vjeçari dyshohet se e vrau gruan, fshehu trupin dhe denoncoi zhdukjen e saj në polici

    Lajmi i rradhës

    Kosova në qendër të protestës antiqeveritare në Kralevë të Serbisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë