Mickoski si Gruevski, kërkon të fitojë 61 deputetë për të bërë qeveri pa shqiptarët

    Raundi i parë ishte befasi dhe sukses për VMRO-DPMNE për nga dallimi në numrin e votave mes Gordana Siljanovska Davkovës dhe Stevo Pendarovskit, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Çfarë do të ishte dështim në raundin e dytë, nuk u përgjigj por tha se pret që partia e tij të fitojë numrin e duhur prej 61 mandateve në Kuvend.

    Edhe pse paraprakisht thoshte se partia e tij në zgjedhje do të fitojë 55 mandate, tani Mickoski pret 61 deputetë, përcjell Nistori.

    “Besoj se të mërkurën do të kemi fitore bindëse të dyfishtë, Gordana Siljanoska Davkova do të jetë presidentja e ardhshme e Maqedonisë, ndërsa koalicioni “Maqedonia jote” dhe VMRO-DPMNE-ja do të kenë 61 deputetë”, deklaroi Mickoski para Kishës katedrale “Shën Klimenti i Ohrit”.

    Megjithatë, sipas kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevskit, fuqia absolute në duart e VMRO-DPMNE-së do të ishte opsion asgjësues për shtetin dhe qytetarët. Siç tha Kovaçevski, qytetarët duhet të rikujtohen për 11 vitet kur VMRO-DPMNE ishte në pushtet, kur, siç tha, shteti ishte i kapur dhe i izoluar.

    Deklaratat e tanishme të Mickoskit ngjasojnë me ato të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili kërkonte të fitojë 61 deputetë dhe të mos varet nga shqiptarët për të formuar Qeverinë.

    Nikolla Gruevski i cili propagandonte fushatë që nëse atij ia japin 61 deputetë në zgjedhjet e 11 dhjetorit të 2016-tës, Maqedonia do të jetë stabile dhe e fuqishme.

    “Opozita do që filmi i Zaevave dhe Verushevave të bëhet realitet, por më 11 dhjetor çdokush nga ne duhet të tregojë se në çfarë Maqedonie do të jetojë. Pas dy vjetëve agoni, ndokush prej juve e ka të qartë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, nuk na është e nevojshme fitorja, por na nevojiten 61 deputetë për fitore stabile dhe të fuqishme, për Maqedoni të fuqishme. 61 deputetët do të jenë fitore për VMRO – DPMNE-në dhe për koalicionin”, porositi Gruevski në fjalimin e gjatë të tij, gjatë një tubimi partiak në tetor të vitit 2016-të, duke porositur se zgjedhjet e 11 dhjetorit të atij viti do të jenë referendum për Maqedoninë.

    Ndryshe, sipas analistëve nëse votat nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale shndërrohen në vota parlamentare, atëherë VMRO-DPMNE do të fitojë rreth 55 mandate. Supozohet se kjo parti do të formojë koalicionin e ardhshëm qeveritar me opozitën e bashkuar shqiptare, pra koalicionin “VLEN”, i cili do të kishte 13 deri në 15 mandate parlamentare. Shumica e re parlamentare mund do ta përfshijë edhe Lëvizjen ZNAM të Maksim Dimitrievskit, e cila parashikohet të fitojë 10 vende në Kuvend./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pilotët e pensionuar do të angazhohen për shuarjen e zjarreve

    Lajmi i rradhës

    Kompanitë e sigurimeve duhet të vendosin nëse do t’u kthejnë paratë qytetarëve që paguan sigurime më të shtrenjta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë