Gjatë qëndrimit të tij në Budapest, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk është takuar me ish kryeministrin Nikolla Gruevksi, i cili atje qëndron si azilant politik tanimë gjashtë vite, shkruan Alsat.
Por, periudhën e kaluar pohon se me të janë takuar funksionarë të LSDM-së dhe BDI-së, për çka thotë se së shpejti do të publikojë dhe fakte.
“Besoni se çdoherë që do të ndodhë diçka unë do të tregoj, skam çfarë të fshehë sepse nuk kam çfarë të fshehë. Ndërgjegjen e kam çdo herë të pastër. Por gjithashtu në emër të kësaj të vërtete, mund ta vërtetoj, së shpejti edhe me dëshmi se një pjesë e madhe e funksionarëve të koalicionit të mëparshëm LSDM dhe BDI janë takuar në Budapest me z.Nikolla Gruevskin për çka nuk dhanë përgjigje të sinqertë, për çka unë nëse takohesha, do të jepja”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Por Mickoski nuk është i vetmi që njofton se funksionarë nga qeveria e kaluar kanë pasur takime të fshehta me Gruevskin në Budapest. Më herët për këtë patën paralajmëruar edhe nga VLEN.
“Tashmë ka dëshmi se BDI, përmes formave të ndryshme, është në kontakt me Gruevskin, me të cilin shqyrtohen mundësitë e kthimit të tij, nga i cili do të varej fati i ardhshëm i BDI-së, bashkë me LSDM-në. Ndaj pyesim publikisht se si kaloi darka e ministrit Bujar Osmani me Gruevskin me 06.09.2023 në Budapest? Çfarë shije pati kjo darkë dhe si do të realizohet kthimi “triumfal” i Gruevskit?”, thonw nga VLEN.
Nga VLEN gjithashtu patën njoftuar se në muajin mars të vitit të kaluar, në Vila Vodno është mbajtur takim i fshehtë mes Stevo Pendarovskit, Dimitar Kovaçevskit, Bojan Mariçiq, Ali Ahmetit, Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, për kthimin e Gruevskit në Maqedoni, përmes faljes nga presidenti. Kërkesën për faljen e Gruevskit e pati konfirmuar vet Pendarovski, i cili në një paraqitje televizive pati thënë se “në nivel jo formal, disa aktorë të skenës politike më konsultuan rreth kësaj mundësie, se çfarë mendoj rreth kësaj, mundësie. U thash në mënyrë të prerë se, nuk do ta bëja asnjëherë atë, sepse ajo ishte rrënim i shtetit ligjor”, pati deklaruar Pendarovski. Gruevski nga nëntori i vitit 2018, gjendet në azil politik në Hungari pasi kundër tij u ngritën një sërë padi penale nga Prokuroria e atëhershme Speciale./ Alsat/