Migrimi me pasoja, shkolla e Veshallës “transferohet” në Reçicë të Vogël

    Në seancën e 10-të të Këshillit komunal të Komunës së Tetovës u diskutua propozim-vendimi për ndryshimin e selisë së shkollës fillore komunale “Besa” të fshatit Veshallë në Komunën e Tetovës. Kryetari i Këshillit komunal, Besar Durmishi para medias tha se nuk do të ndryshohet lokacioni, por disperzim të lokacionit, shkruan Nistori.

    “Do të ketë një disperzim të shkollave të fshatrave Veshallë dhe Bozovcë. Funksionimi është i njëjtë siç shkollën fillore “Istikball” që e kemi, ku ka njësi rajonale në fshatin Lisec dhe në fshatin Gajre. E njëjta formë. Arsimtarët nuk do të largohen nga puna. Ata arsimtarë janë me vendim të përhershëm dhe realisht aty kemi mungesë të nxënësve”, deklaroi Durmishi para medias.

    A do të organizojë komuna e Tetovës transport për nxënësit e Veshallës dhe Bozovcës?

    Besar Durmishi, kryetar i Këshillit komunal të Tetovës
    “Po, do të ketë transport. Edhe pse aty numri i nxënësve është tejet i vogël. Realisht në vitin paraprak kalendarik, nuk pati asnjë nxënës të regjistruar në shkollë fillore. Por, sa do që numri të jetë i vogël, ne do t’u sigurojmë transport, por edhe mbarëvajtje të procesit mësimor”.

    Nazmi Dauti nga sektori i arsimit në komunën e Tetovës thotë se transferimi i nxënësve do të bëhet për shkak të numrit të ulët të nxënësve.

    “Bëhet fjalë për 18 nxënës të Veshallës dhe gjashtë nxënës të Bozovcës. Gjithsej 24 nxënës që do të ndjekin mësimet në shkollën e re fillore “Besa”, të cilës ende nuk i është ndërruar adresa – pasi ndërrimi i adresës është faza e parë. Arsyeja e transferimit të nxënësve është numri i vogël i nxënësve. Shkolla nuk do të mbyllet, por do të vazhdojë të funksionojë, si shkollë amë do të vazhdojë të jetë me adresë në Reçicë të Vogël, ndërsa shkollat në Veshallë dhe në Bozovcë do të jenë si shkolla periferike e shkollës “Besa” me qendër në Reçicë”, deklaroi Dauti.

    Ai shton se nxënësit e klasës së parë deri te klasat e pesta, do të mësojnë në shkollat përkatëse të fshatrave që gravitojnë, ndërkaq klasat e gjashta e deri te të nëntat do të mësojnë në Reçicë.

    “Paralelet e klasës së parë e deri te të gjashtat do të mësojnë në shkollat e fshatrave të tyre, kjo me dëshirën e prindërve, nxënësit e klasave tjera do të ndjekin mësimet në shkollën në Reçicë të Vogël”, shton Dauti ndër të tjera.

    Dauti thotë se numri i regjistrimit të nxënësve në vitin 2022/2023 në fshatin Veshallë ka qenë katër, ndërsa në Bozovcë asnjë.

    “Në këtë shkollë ka gjithsej 24 arsimtarë, duke përfshirë këtu edhe personelin teknik. Këta arsimtarë që të mos shpallen tepricë teknologjike dhe kjo shkollë të mos mbyllet, varianti më i mirë i mundshëm është transferimi i saj. Ne jemi në fazën e përpilimit të rajonizimit të ri…me qëllim që secila shkollë të jetë e balancuar me numrin e nxënësve dhe të jetë funksionale”. thekoi Dauti gjatë seancës.

    Dauti sqaroi se nuk bëhet fjalë për ndryshimin e emrit, por për të njëjtin subjekt juridik dhe bëhet vetëm ndryshimi i adresës.

    Për propozim-vendimin për ndryshimin e selisë së shkollës fillore komunale “Besa” të fshatit Veshallë votuan 30 Për, 0 Kundër, 0 të Përmbajtur.

    Ndryshe, nëse në vitin 2014 në shkollën fillore “Besa” mësonin 170 nxënës nga Veshalla dhe Bozovca, numri i tyre tani ka rënë në 24. Klasat e 9 paraleleve kanë mbetur vetëm me nga 1 ose më së shumti tre nxënës.

    Vetëm gjatë gjysmë vjetorit të parë, në këtë shkollë fletëshpërngulje kanë marrë 7 nxënës. Në të gjitha shkollat e Tetovës, brenda gjysmë vjetorit të parë fletëshpërngulje kanë marrë rreth 200 nxënës. Mbi 150 nxënës janë të shkollave fillore dhe rreth 50 të shkollave të mesme. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    KOVAÇEVSKI – KRYEMINISTRI QË DËSHIRON TË JETË INFLUENCUES (Video)

    Lajmi i rradhës

    Regjimi ushqimor që nxit humorin dhe ju bën të lumtur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë