Migrimi, sfidë e zhvillimit ekonomik dhe social në RMV

    Ndër vitet, Maqedonia e Veriut ka dërguar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të saj si azil-kërkues dhe refugjatë në Gjermani. Në 2010, numri i regjistruar i refugjatëve nga Maqedonia e Veriut nën mandatin e UNHCR në Gjermani ishte 6035, ndërsa azil-kërkuesit ishin 1877. Kjo shifër pësoi një ndryshim drastik në vitin 2015, ku numri i refugjatëve ra në vetëm 459, por numri i azil-kërkuesve u rrit në një numër rekord prej 13.627, duke reflektuar një valë të madhe të migracionit për arsye të ndryshme, përfshirë ekonomike dhe politike. Kështu tregojnë numrat e hulumtimit të Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike “Idea”, sipas të cilës, pas kësaj periudhe, shifrat tregojnë një stabilizim dhe një tendencë në rritje të moderuar.

    “Në vitin 2021, numri i refugjatëve u rrit në 607 dhe azil-kërkuesve në 3007. Kjo tendencë vazhdoi në vitin 2022 dhe 2023, ku numri i refugjatëve u rrit gradualisht në 621 dhe 637 përkatësisht, dhe azil-kërkuesit arritën në 4032 dhe 4314. Këto shifra të azil-kërkuesve në Gjermani tregojnë një nevojë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të kërkuar mbrojtje ose mundësi më të mira jashtë kufijve të tyre kombëtarë”, thuhet në hulumtimin e IDEA-s.

    Ky fluks i vazhdueshëm i azilkërkuesve dhe refugjatëve nga Maqedonia e Veriut në Gjermani, Belgjikë dhe vendet tjera të BE-së, përcjell sfidat që vendi përjeton në zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe nevojën për politika më efektive të integrimit dhe mbështetjes për qytetarët në vendin e tyre të origjinës.

    Në ndërkohë, autoritetet e Brukselit kanë “fajësuar” informimin e dobët të vet shtetit të Maqedonisë ndaj qytetarëve për pasojat e kërkesave për azil në vendet e BE-së.

    “Nëse autoritetet në Maqedoni informojnë siç duhet qytetarët në mënyrë që ky fenomen të mos vazhdojë, atëherë Bashkimi Evropian nuk ka arsye pse të vërë në pikëpyetje rikthimin e regjimit të vizave”, ka thënë kohë më parë sekretari belg i shtetit për azilin dhe emigracionin, Melchior Whatelet.

    Për tu siguruar mbi fushatat e sensibilizimit, Melchior Whatelet madje ka paralajmëruar se do të vizitojë personalisht Kumanovën dhe Likovën, por edhe fshatrat e jugut të Serbisë gjatë vizitës së tij në Maqedoni dhe Serbi me 8 dhe 9 mars kur do të shoqërojë kryeministrin belg Yves Leterme.

    “Fillimisht u befasova kur dëgjova për fluksin e azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia pasi kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë në të kaluarën me vende më të cilat ishin hequr vizat, por edhe me faktin që ky fenomen po ndodhte në Gjermani dhe Belgjikë. Pas befasisë u përpoqëm të kuptojmë dhe më pas u xhindosa. U zemërova shumë sepse kuptuam që ky fluks bazohej mbi informacione të rrejshme, mbi fushata informatash pranë popullatës në Maqedoni të cilëve iu shpjegohej se po të vinin në Gjermani, e kryesisht në Belgjikë, do të përfitonin shtëpi dhe para, pra mbi bazën e informacioneve krejtësisht të pavërteta”, tha Whatelet.

    Meqenëse Belgjika do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti, pas spanjollëve, i pyetur se a do të ndikojë ky fenomen për rikthimin e regjimit të vizave, Whatelet tregon se kjo gjë nuk do të ndodhë, madje ai shton se edhe për ata persona që kanë aplikuar për azil, por që e ndërpresin në kohë këtë kërkesë – nuk do të rrezikohet lëvizja e lirë në Shengen.

    “Kjo që ka ndodhur nuk ka lidhje fare me liberalizimin e vizave. Dikush, nga Maqedonia për shembull, mund të vijë në Belgjikë pa vizë për të vizituar vendin disa ditë dhe për tu kthyer në vendin nga vjen. Nuk vihet në pikëpyetje liberalizimi i vizave madje Belgjika është një vend i mrekullueshëm dhe njerëzit që do vinë si turistë do të kalojnë pushime të shkëlqyera. Por sigurisht, ajo që nuk mund të bëhet është që të abuzohet me procedurat belge, në veçanti me procedurat për azil, pasi kjo është krejtësisht e papranueshme. Për azilkërkuesit, nëse ata e kuptojnë shumë shpejt këtë gjë dhe kthehen në vendet nga vijnë qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë persona që kanë qenë viktima të manipulimit”, u shpreh sekretari belg i shtetit për azilin dhe emigracionin, Melchior Whatelet. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Rroga humb ‘garën’ me koston e jetesës në RMV

    Lajmi i rradhës

    Të rinjtë në Dibër të varur nga lëndët narkotike!  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë