Miliona euro nga buxheti i shtetit për partitë: VMRO merr pjesën më të madhe, te shqiptarët BDI

    VMRO-DPMNE-ja në pushtet këtë vit siguroi një shumë rekord prej 2,5 milionë eurosh nga fondet buxhetore të destinuara për financimin e rregullt të partive politike. LSDM-ja opozitare ra në një milion euro, ndërsa BDI-ja, me 472 mijë euro, mbajti vendin e tretë për nga shuma e fondeve të marra nga Buxheti i Shtetit në vitin 2026, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Analiza e dokumentit për pagesat e këtij viti, të cilin BIRN-i e siguroi nga Ministria e Drejtësisë, tregoi se tri partitë e para së bashku morën 45 për qind të buxhetit të përgjithshëm të parashikuar për financimin e partive. Nëse kësaj shume i shtohen edhe pagesat për Levicën dhe ZNAM-in, rezulton se më shumë se gjysma e shumës së përgjithshme këtë vit shkoi për këto pesë parti.

    Pesë vendet e radhës në këtë listë u përkasin kryesisht partive të bllokut politik shqiptar – BESA-s, Lëvizjes Demokratike, Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët – të cilat morën nga 220 mijë deri në 245 mijë euro. Në vendin e dhjetë renditet Partia Demokratike e Turqve, me pak më shumë se 180 mijë euro.

    Sistemi në Maqedoninë e Veriut parashikon që veprimtaria e partive politike të financohet nga Buxheti i Shtetit, ndërsa shuma e fondeve që merr secila parti varet nga rezultatet e saj zgjedhore. Këtë vit, për këtë qëllim u ndanë pothuajse 9 milionë euro, ose 0,15 për qind e të ardhurave të përgjithshme burimore të buxhetit.

    Partitë e mëdha në garë për këshilltarë, të voglat për pragun prej 1 për qind

    Fondet më pas ndahen në dy pjesë. Tridhjetë për qind shpërndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjitha partive dhe koalicioneve që kanë fituar të paktën 1 për qind të votave në zgjedhjet e fundit, ndërsa 70 për qind e mbetur shpërndahet sipas numrit të deputetëve dhe këshilltarëve të zgjedhur.

    “Një deputet dhe një këshilltar vlejnë njësoj, prandaj lufta bëhet për sa më shumë këshilltarë”, komentoi për BIRN-in një burim partiak.

    Këtë vit, si LSDM-ja, ashtu edhe BDI-ja kanë shënuar rënie prej rreth 40 për qind të fondeve të marra. Vitin e kaluar, LSDM-ja mori 1,6 milionë euro, ndërsa BDI-ja 840 mijë euro.

    Në zgjedhjet parlamentare zgjidhen 120 deputetë, ndërsa në zgjedhjet lokale 1.307 këshilltarë. Për këtë arsye, numri i këshilltarëve ka ndikim të madh në shumën që marrin partitë, veçanërisht ato të mëdha. Kjo shpjegon edhe dallimin e madh ndërmjet fondeve që këtë vit kanë marrë dy partitë më të mëdha në vend. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja fitoi 548 këshilltarë vitin e kaluar, ndërsa ai i udhëhequr nga LSDM-ja 231.

    Megjithatë, për partitë e vogla, të cilat nuk kanë deputetë dhe shpesh as këshilltarë, paratë nga buxheti sigurohen falë kalimit të pragut zgjedhor prej 1 për qind të votave. Siç ka raportuar më herët BIRN-i, në komunat e vogla ky prag mund të kalohet vetëm me 30–40 vota, ndaj disa parti e shfrytëzojnë këtë veçori të sistemit për të siguruar fonde të konsiderueshme për veprimtarinë e tyre.

    Këtë vit, shtatë parti morën nga mbi 80 mijë euro pasi kaluan pragun ligjor prej 1 për qind me një numër minimal votash në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

    Për ta siguruar këtë shumë, disa parti që në komuna të caktuara ishin pjesë e koalicioneve të mëdha u larguan prej tyre dhe paraqitën lista të pavarura, duke siguruar kështu financim të qëndrueshëm vjetor. Ndër to është Koncepti Maqedonas, i cili ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në, por në Debërcë kandidoi në mënyrë të pavarur. Edhe pse nuk fitoi asnjë këshilltar, 149 votat e marra i mjaftuan për të siguruar financim të rregullt nga shteti për katër vjetët e ardhshëm.

    Nga ana tjetër, partitë e vogla që fituan disa këshilltarë, përveç shumës prej 80 mijë eurosh që marrin për kalimin e pragut zgjedhor, këtë vit përfitojnë edhe rreth 4.500 euro për secilin përfaqësues të zgjedhur.

    Megjithatë, meqenëse shumica e partive politike garojnë në zgjedhje në kuadër të koalicioneve, fondet e marra duhet të ndahen ndërmjet partnerëve të koalicionit.

    Shumë para, pak detyrime

    Për t’i siguruar këto fonde, partitë duhet të dorëzojnë raportet e tyre financiare në Entin Shtetëror të Revizionit (ESHR), i cili mbikëqyr shpenzimin e fondeve. Detyrimi përfshin dorëzimin e tri dokumenteve: raportin nga regjistri i donacioneve të pranuara, llogarinë vjetore dhe raportin financiar vjetor. Megjithatë, disa parti nuk e përmbushin këtë detyrim në kohë.

    Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë këtë vit ua ndaloi përkohësisht pagesën e fondeve shtatë partive të vogla, deri në përmbushjen e detyrimeve të tyre.

    Gjithsej 62 parti siguruan të drejtën e financimit shtetëror këtë vit, ndërsa një e treta e tyre morën më pak se 20 mijë euro.

    Me qëllim të rritjes së transparencës në shpenzimin e parave nga partitë, Ligji për Financimin e Partive Politike përcakton se pagesat duhet të ndërpriten nëse partitë nuk i publikojnë raportet e tyre financiare në faqet zyrtare të internetit deri në fund të prillit. Megjithatë, ky detyrim shpesh nuk respektohet, si nga partitë e vogla, ashtu edhe nga ato të mëdha, pasi nuk është përcaktuar institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të tij.

    Siç i shpjegoi ESHR-ja BIRN-it, ligji nuk përcakton se cili organ është i autorizuar të mbikëqyrë dhe të verifikojë nëse partitë politike e kanë përmbushur detyrimin për publikimin e raporteve në faqet e tyre të internetit. Problem shtesë, sipas ESHR-së, është fakti se partitë e regjistruara në regjistrin gjyqësor aktualisht nuk kanë detyrim t’i regjistrojnë faqet e tyre zyrtare të internetit.

    Nga ESHR-ja shtuan se tashmë kanë filluar takimet koordinuese për digjitalizimin e procesit të raportimit financiar të partive politike. Gjithashtu është diskutuar krijimi i një platforme të vetme elektronike, në të cilën do të publikoheshin raportet financiare të partive politike.

    Përveç këtyre fondeve, nga buxheti mbulohen edhe fushatat zgjedhore të partive, ndërsa çdo vit katër partitë me rezultatet më të mira zgjedhore marrin fonde shtesë për funksionimin e qendrave të tyre kërkimore. Këtë vit, për këtë qëllim u ndanë edhe 320 mijë euro të tjera ndërmjet VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe Levicës.

    Lajmi Paraprak

    Nga TikTok te bastet online, sa kohë kalojnë të rinjtë në internet?

    Lajmi i rradhës

    IShP me rekomandime gjatë vapës: mos blini ushqime të ngrira që kanë filluar të shkrihen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë