Milionat që s’e rimëkëmbën Ortopedinë

    “Kushtet në këtë pjesë të klinikës janë katastrofë”, thotë një infermiere duke treguar nga një sallë e operacionit e Klinikës së Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Lagështi, rrjedhje uji, mure të çara e kabllo elektrike mund të vërehen gati në çdo cep të saj.

    Kushtet në Klinikën Ortopedike, objekti i vjetër.
    Kushtet në Klinikën Ortopedike, objekti i vjetër.

    Me qëllim të, siç thuhet, përmirësimit të kushteve dhe ofrimit të shërbimeve më të mira, në vitin 2019 ka nisur ndërtimi i një objekti aneks, apo shtesë, shumë pranë Klinikës së Ortopedisë.

    Muret e çara nga lagështia dhe rrjedhja e ujit brenda Klinikës Ortopedike.
    Muret e çara nga lagështia dhe rrjedhja e ujit brenda Klinikës Ortopedike.

    Për finalizimin e tij, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka lidhur kontratë me një kompani ndërtuese, në vlerë prej mbi 2.2 milionë eurosh, ndërsa për punët e paparashikuara ka ndarë edhe mbi 592.000 euro.

    Ka qenë e paraparë që projekti të finalizohet brenda dy vjetësh, por ky afat nuk është përmbushur. Dhe kontrata, ndërkohë, ka pësuar ndryshime, apo plotësime.

    “Kontrata lidhur me ndërtimin e aneksit për Klinikën e Ortopedisë është në implementim e sipër”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Drejtorisë së QKUK-së, dhënë REL-it.

    “Faza e parë [e projektit] – pjesa e sallave operative – ka përfunduar dhe është në proces të pranimit teknik. Faza e dytë fillon pas pranimit teknik të fazës së parë”, thuhet po ashtu në deklaratë.

    Aty sqarohet se pas kontratës për aneksin e parë, me kompaninë ndërtuese është bërë edhe një kontratë shtesë për një aneks të dytë të Ortopedisë.

    Objekti aneks i Klinikës Ortopedike.
    Objekti aneks i Klinikës Ortopedike.

    Nga QKUK-ja thonë se punimet në aneksin e dytë nuk kanë nisur, sepse aneksi i parë nuk e ka kaluar ende kontrollin teknik.

    Kontrolli teknik – në këtë rast nga QKUK-ja – verifikon se objekti është ndërtuar sipas standardeve dhe kontratës mes palëve.

    Projekti i prezantuar nga kompania ndërtuese “Ada consulting group”.
    Projekti i prezantuar nga kompania ndërtuese “Ada consulting group”.

    Nga kompania ndërtuese “Ada consulting group” thonë se vonesat në punime kanë ndodhur për shkak të kontratës shtesë dhe, rrjedhimisht, punëve shtesë; pastaj masave kufizuese që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit dhe inflacionit në rritje.

    “Për momentin, nuk jemi duke punuar aty… derisa të merret në përdorim pjesa e aneksit [të ndërtuar]. Në shtator të vitit 2019 ka nisur puna, është ndërprerë në mars të viti 2020 dhe ka rifilluar në shtator të vitit 2021. Punët janë ndalur, sepse projekti ka qenë jofunksional… është dashur të riprojektohet dhe ka dalë ankes-kontrata”, thotë për Radion Evropa e Lirë Shpëtim Musliu, menaxher i kontratës dhe kompanisë ndërtuese.

    Sallë në aneksin e ri të Klinikës Ortopedike.
    Sallë në aneksin e ri të Klinikës Ortopedike.

    Në aneksin e ri janë ndërtuar tri salla operacioni, por, sipas mjekëve, ato – edhe pse të reja – nuk i plotësojnë kushtet për operim. E, për t’u mundësuar nisja e punimeve në aneksin e dytë, shërbimi i operacioneve nga objekti i vjetër duhet të kalojë në aneksin e parë.

    Një nga sallat e operacionit në objektin e vjetër.
    Një nga sallat e operacionit në objektin e vjetër.

    Kjo, tash për tash, nuk mund të ndodhë, sepse sallat e reja në aneks, mes tjerash, nuk e kanë të zgjidhur çështjen e ventilimit dhe të vendosjes së pajisjeve për oksigjen. Për më tepër, kati i dytë i aneksit nuk mund të shfrytëzohet fare, pasi nuk ka ende ashensor.

    “Janë dhënë 30 apo 40 vërejtje për përmirësimet [që duhen bërë] dhe, sa kemi ne njohuri, asnjë nga to nuk është respektuar”, thotë Pleurat Sejdiu, mjek në Ortopedi.

    Instalimi i pajisjeve për furnizim me oksigjen në QKUK.
    Instalimi i pajisjeve për furnizim me oksigjen në QKUK.

    Kompania ndërtuese, e cila këmbëngul se ka vepruar sipas kontratës, dhe udhëheqësia e Ortopedisë thonë se janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhjeje, por nuk japin detaje.

    “Ne jemi të interesuar që të dalim në objektin e ndërtuar”, thotë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica.

    “Na është premtuar se do të lëshohet për punë në janar – nuk ndodhi. U tha prapë që në qershor, as atëherë nuk ndodhi. E tash na është thënë në shtator…”, thotë Jashanica për Radion Evropa e Lirë.

    Derisa palët japin versionet e tyre të ngjarjeve, për finalizimin e anekseve të reja të Ortopedisë nuk ka asnjë afat të ri.

    Veshje mbrojtëse që kirurgët përdorin gjatë ndërhyrjeve.
    Veshje mbrojtëse që kirurgët përdorin gjatë ndërhyrjeve.

    Ata që bartin barrën më të rëndë, janë pacientët e shtrirë, të cilët, si pasojë e kushteve joadekuate, shpesh pësojnë edhe infeksione brendaspitalore.

    Në fund të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për rastin e Remzi Rashicës, nga qyteti i Vushtrrisë, i cili ka thënë se për shkak të një infeksioni të marrë në Klinikën e Ortopedisë, ai jeton me këmbë të amputuar.

    Klinikat infektuese të QKUK-së

    Sipas raportit të Ekipit për Kontroll të Infeksioneve Brendaspitalore në QKUK, gjatë vitit 2020, në këtë klinikë kanë marrë infeksione 11 pacientë, ndërsa në klinika të ndryshme të QKUK-së, në total, janë infektuar 356 pacientë.

    Zyrtarët shëndetësorë thonë se një nga infeksionet më të shpeshta është sepsa, e cila përhapet përmes gjakut dhe mund të shkaktojë dëme afatgjate në mushkëri dhe organe të tjera.

    Ndërsa, si arsye që çon deri tek infektimi, ata përmendin, mes tjerash, kushtet e këqija në klinika dhe mosrespektimin e masave higjienike.

    Ortopedia në QKUK ka rreth 100 shtretër për pacientë, të shpërndarë në më shumë se 15 dhoma.

    Përveç që trajtohen në klinika me kushte jo të mira të sistemit publik, pacientët në Kosovë nuk kanë as sigurime shëndetësore. Vetëm disa qytetarë mund të jenë të siguruar përmes kompanive private, që ofrojnë shërbime të tilla. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gazprom kërcënon se do ta lërë Gjermaninë pa gaz

    Lajmi i rradhës

    Erdogan: Sanksionet europiane ndaj Rusisë, fajtore për krizën energjetike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë