Milloshoski: Zaev, Osmani, Dimitrov, Spasovski kanë qenë të informuar për skandalin diplomatik

    Pas publikimit të skandalit diplomatik lidhur me diplomatin Mile Milenkovski, ish shefi i diplomacisë maqedonase dhe deputeti Antonio Milloshoski në profilin e tij në Facebook ka shkruar se për këtë rast kanë qenë në dijeni kryeministri Zoran Zaev, ministri i punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov dhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski.

    Milloshoski në profilin e tij në Facebook shkruan se Ministri i Jashtëm Osmani pohon në mënyrë jo bindëse se ai nuk dinte për “reketin diplomatik armen” të Milenkoskit deri më 27 gusht (kur një diplomat i kërkuar me urdhër-arrest të Interpolit u arrestua në Serbi). “Në vitin 2018 mori pjesë në transferimin ilegal të ish-ambasadorit armen Levon Sargsyan nga Erevani në Vjenë, në këmbim të një shume të madhe parash. Ministri i Jashtëm Osmani nuk mund të mos dinte për çështjen Milenkoski, sepse skandali u raportua tek ish-ministri Dimitrov, veçanërisht ata në të njëjtën qeveri, janë të detyruar të shkëmbejnë informacionet më të rëndësishme në lidhje me ministrinë gjatë pranim-dorëzimit. Ministri Osmani nuk mund të mos e dinte, sepse lidhja e Milenkoskit me reketën armene ishte e njohur në detaje nga ish -Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme Viktor Dimovski, drejtor aktual i ASK, një mik i ngushtë i Milenkoskit. Pjesë të aferës së Milenkoskit u zbuluan më vonë nga disa zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë Luftim Spahiu, Jakup Rexhepi, Zoran Popov dhe diplomatë të tjerë që kanë kontakte të përditshme me ministrin. Spasovski dhe Zaev u informuan gjithashtu për skandalin përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Interpolit, dhe MPB madje kreu një hetim për këtë çështje në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka shkruar Milloshoski. Sipas tij, ministri Osmani mund të mos ketë ditur për aferat e reketeve armene të Milenkoskit vetëm nëse ai nuk ka pasur komunikim me kolegun e tij qeveritar Nikola Dimitrov, drejtorin e ASK-së Viktor Dimovski, ministrin Spasovski, kryeministrin, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme Spahiu.

    Ndryshe, Mile Milenkovski dyshohet se para tre viteve, së bashku me dy diplomatë tjerë maqedonas ( identiteti i tyre i njohur për redaksinë), kanë organizuar një udhëtim në Erevan të Armenisë për të evakuuar një personalitet të lartë armen, të dyshuar në vendin e tij për keqpërdorimëshe shumëmilionëshe. Nuk dihet motivet e këtij aksioni, por dyshimet janë se ky aksion është bërë edhe me dijeninë e strukturave të larta të sigurisë në Maqedoni. Kjo, për shkak se i arrestuari Mile Milenkoski, së bashku me dy diplomatë tjerë (S.S) dhe (V.S), për këtë mision shpëtimi të armenit kontrovers, kanë huazuar një aeroplan privat me të cilin kanë udhëtuar në Armeni. Paraprakisht, si mbulesë ata në procedurë të shpejtuar kanë regjistruar një shoqatë joqeveritare për personat me nevoja të veçanta, për të marrë pjesë në një konferencë në këtë temë.

    Mile Milenkoski është i njohur edhe për skandale tjera gjatë angazhimit në diplomacinë e vendit. Ndaj tij ka pasur dyshime se është i përfshirë në një mashtrim financiar në Konsullatën e Maqedonisë në Detroit, prej nga transferohet pastaj në Çikago. Aty, ai përleshet fizikisht me konsullin gjeneral dhe më pas dërgohet në Uashington. Më vonë, edhe prej atje, pas një sërë zënkash dhe incidentesh, me kërkesë të ish-ambasadorit në Uashington, Zoran Jolevski, Mile Milenkoski kthehet në Shkup. Në vitin 2017, ai angazhohet në Vjenë në Misionin e Maqedonisë në OSBE, si zëvendës i ambasadorit të atëhershëm, Kire Iliovski, me të cilin thuhet se gjithashtu ka pasur një konflikt fizik. Skandali me Armeninë ndodhi pikërisht gjatë misionit të tij në Vjenë. Përkundër gjithë këtyre incidenteve, para disa muajve Mile Milenkoski është rizgjedhur sërish në konkursin e MPJ-së për zëvendës të shefit të Maqedonisë në OSBE në Vjenë. Madje, emërimi i tij këtë herë thuhet të jetë bërë pa miratimin e shefit të Drejtorisë për Shërbime Juridike dhe Konsullore pranë MPJ-së. Kjo për shkak se Milenkoski konsiderohet i “fortë” pasi gëzon mbështetje politike dhe të strukturave më të larta të sigurisë së vendit, thonë burimet tona./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski: Regjistrimi sipas përkatësisë etnike duhet të bëhet pjesë e historisë

    Lajmi i rradhës

    Si duhet vepruar kur kemi një të sëmurë në shtëpi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë