Ministri Sali tregon se cili vend mbetet më i përshtatshëm për ndërtimin e Qendrës së re Klinike

    Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali në “360 Gradë”, deklaroi se në mbledhjen e fundit tematike të Qeverisë ka informuar për opsionet e ndërtimit të Qendrës së re Klinike. Sipas tij, pas shumë analizave është konstatuar se “Veli Pole” mbetet hapësira më e mirë dhe më e përshtatshme për Qendrën e re Klinike, përcjell Nistori.

    “Kishim mbledhje tematike lidhur me shëndetësinë dhe aty u trajtua realizimi i konceptit për riorganizimin dhe konsolidimin e institucioneve shëndetësore publike, aty prezantuam konceptin tonë edhe për Qendrën Klinike por edhe ri-organizmin në aspektin e infrastrukturës të nivelit sekondar dhe terciar në vendin tonë. Sipas analizës të cilën ne e bëmë në njësitin projektues, duke marr parasysh se në hulumtim u trajtuan 6 lokacione në qytetin e Shkupit dhe rrethinë, përsëri veli Pole bie se është hapësira më e duhur dhe më e mira për nivelin terciar universitar sepse ka hapësirë për të gjitha institucionet edhe edukative arsimore edhe institucionet shëndetësore. E informuam qeverinë me gjithë riorganizimin të cilin e planifikojmë ne dhe mënyrën  e mundshme për financimin e këtij projekti, nuk ka të bëj vetëm me Qendrën klinike Universitare por edhe zgjidhja për krijimin e kuadrove në të ardhmen”, tha Sali. 

    Sali: Nuk presim ndryshime në përbërjen qeveritare

    Ministri Sali nuk ndjehet i rrezikuar nga posti i Ministrit të Shëndetësisë, që kohëve të fundit përflitej se do t’i kalonte Aleancës për Shqiptarët nëse eventualisht kjo parti do t’i bashkohej shumicës parlamentare. Sali deklaroi se për momentin nuk ka shenja të përafrimit të qëndrimeve të Aleancës për Shqiptarët (ASH) për t’u bërë pjesë e shumicës parlamentare.

    “Në politikë gjithmonë ka mundësi, mirëpo sipas dinamikës së zhvillimeve që po ndodhin në skenën politike dhe gjithë asaj që ne e shohim si pjesë e qeverisë, nuk presim ndo një ndryshim në përbërjen qeveritare. Lidhur me shëndetësinë përfolët që nga fillimi i mandatit time, se do të ketë rikonstruim, do të ketë ndryshime e kështu me radhë, ne gjithë kohës po funksionojmë dhe po zhvillojmë politikat shëndetësore, një pjesë e tyre është publike, një pjesë nuk është publike, por punojmë në ndryshime sistematike të politikave shëndetësore. Paralelisht na zhvillohen edhe agjendat politike të përbërjes së qeverisë, por tani për tani funksionojmë në këtë mënyrë”, shtoi Sali, ministër i Shëndetësisë.

    Pakënaqësitë në Alternativa, Sali: Bëhet fjalë për një grup të vogël

    I pyetur rreth pakënaqësive në subjektin politik të cilit i takon, Alternativa, tha se bëhet fjalë për një grup shumë të vogël të cilët nuk kanë të bëjnë fare me Shëndetësinë. Sipas tij, grupi në fjalë ka qenë në komunikim permanent me të dhe me organet partiake të cilat e kanë nominuar Sali për ministër të Shëndetësisë.

    “Për fat të keq në momente kur individ të caktuar nuk realizojnë ambiciet ose kërkesat e tyre individuale akuzat në publik hidhen për patriotizëm, mos-integrim të shqiptarëve, politikat ndaj shqiptarëve, avancimet e tyre e kështu me radhë, por nuk ka të bëj me realitetin, ajo doli se është një grup i vogël i pakënaqur ndaj politikave të ministrit të shëndetësisë, nëse e shohim grupin aty, vetëm dy persona kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe grupi tjetër nuk ka kurrfarë kontakti e as kontributi në shëndetësi që të vlerësoj punën e një ministri i cili është resor i emëruar nga organi më i lartë partiak. Grupi i cili ka nxit këtë pakënaqësi ka pasur komunikim të vazhdueshëm me mua dhe me gjithë organet partiake, por asnjëherë në asnjë mënyrë nuk është shprehur kjo as ndaj meje personalisht as ndaj organeve të cilat më kanë emëruar në këtë post”, tha Sali. /Nistori/ 

    Lajmi Paraprak

    Si ta zbusni kollën gjatë shtatzënisë? Kujdes cilat ilaçe i merrni

    Lajmi i rradhës

    Si i përhapi Trump gënjeshtrat për mashtrime zgjedhore?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë