Njeriu i sipërfaqshëm, pa histori

    GËZIM TUSHI

    Zhvillimet intensive të kohëve të fundit në shoqërinë shqiptare, janë aq të shpejta, saqë sociologjikisht ato kanë marrë trajtën e plotë të sjelljeve e standardeve morale të jetës postmoderne.

    Kjo është arsyeja pse të gjithë sintagmat të definuara teorikisht dhe të vlerësuara sociologjikisht, janë koherente me zhvillimet dhe dinamikat e realitetit tonë dhe në përputhje të plotë me strukturën e manierave morale e sociale, me të cilat është duke u ndërtuar substrati material e psikologjik i sjelljes së njerëzve tanë. Koncepte, teori e sintagma të tilla, si “shoqëri e dukjes dhe e qejfit”, “shoqëri e spektaklit”, “jetë likuide, e rrëshqitshme dhe e paqëndrueshme”, “njeriu që orientohet pa busull të sigurt”, apo shoqëri me paradigma morale të pastandartizuara, etj., janë tashmë të sintetizuara në mënyrë të sigurt dhe ekzistencialisht shfaqen në mënyrë evidente në shoqërinë e sotme shqiptare.

    Fenomeni i mbivlerësimit të sipërfaqësores si dukje sociale, është kthyer në një “karburant” që buron ngado, që ushqen me bollëk këtë mentalitet në zgjerim. Kudo në shoqëri, por sidomos në media janë bërë masive “bombardimet” e spektakleve që glorifikojnë fitimin e “lekut të shpejtë”. Është bërë gati i shfrenuar ligjërimi social, që bën ditirambe frenetike për rrugët e shkurtra të pasurimit pa mundim dhe punë, duke zgjeruar në emër të sipërfaqësores efektet toksike, tashmë të kthyera në infeksion social në formën e luksit vulgar e të padobishëm. Qëllimi i dukjes dhe sipërfaqsores shfaqet me tepëri në spektaklet tona, ku marrin pjesë njerëz të cmendur për famë “…që marrin pjesë në programet televizive, duke kënduar, apo folur për veten me një zell dhe paturpësi të qëllimshme, sa të sikletosë edhe “argëtuesin” më të sprovuar. (Marc Ague, “E ardhmja”, f. 77-78)

    Padyshim, të gjitha zhvillimet e kohëve të fundit, që shfaqen në mbivlerësimin e sipërfaqsores, kanë ndikim në dobësimin e kohezionit social, shoqëruar me prirje ekstremisht të dukshme të individualizmit dhe liberalizmit, në kufijtë e anomosë së zgjeruar sociale dhe shtimin sasior të sjelljeve anarkike individuale, që në thelb, në bazën e tyre, përveç shumë shkaqeve dhe arsyeve me natyrë ontologjike, në prirjen esenciale që shoqëria ka vënë në rendin e ditës: mbivlerësimin e sipërfaqësores, dukjes, shfaqjes, efekteve e bravurave të jashtme, në raport më ato gjëra që janë të qëndrueshme, dhe ekzistencialisht thelbësore për ndërtimin e jetës së përbashkët sociale, ristrukturimin human, pse jo edhe solidar të lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore. Deformimi i këtij ekuacioni, deri në nivelet e nënvleftësimit të gjërave të qëndrueshme e me natuyrë thelbësore, është ilidhur me faktin, që vetë shoqëria ka tendencë të mbivlerësimit të asaj që është sipërfaqësore, momentale mbi atë që është thelbësore, e nevojshme për funksionimin strukturor të shoqërisë shqiptare.

    Në përëndim ky problem, raporti midis esenciales dhe sipërfaqësores në jetën e sotme, është bërë objekt i analizave dhe debateve të zgjeruara, me karakter teorik dhe interpretim akademik. Por tek ne akoma shumë fenomene, që kanë prirje të bëhen thelbësore e dominante në jetën e përditshme, të sotme dhe në perspektivë, akoma nuk e kanë fituar statusin e nevojës për një debat social, për të kuptuar, se në cilin nivel është aktualisht situate që rregullon në mënyrë spontane raportet e njeriut, të vendosura ekzistencialisht dhe në mënyrë të pamohueshme në ekuacionin jetik që ndërtohet cdo ditë midis esenciales, substanciales dhe sipërfaqësores.

    Nuk bën përjashtim shoqëria jonë nga koha modern. Njeriu i saj, është përfshirë nga prirja gati gjithpërfshirëse, që dikton largimin e njeriut nga gjërat që janë dhe duhen konsideruar esenciale drejt substanciales dhe vlerave të dukjes sipërfaqësore, që shoqërohet me fenomenin e kalimit nga ato gjëra që janë cilësore dhe duhet konsideruar të rëndësishme, në ato që janë thjesht sasiore, material, të sipërfaqshme. Në pamje të parë kjo analizë duket teorizante dhe eufemiste, si lojë fjalësh apo tautologji, por në të vërtetë duke parë dhe vlerësuar zhvillimet e kohëve të fundit në jetën e shoqërisë dhe mënyrën e ndërtimit të sjelljes së njerëzve tanë, duhet të njohim si të vërtetë faktin, që mbivlerësimi i sipërfaqësores, materiales, dukjes dhe shfaqjes si thelbësore për vlerësimin e modernitetit dhe sjelljes sociale, ato janë kthyer në faktor me peshë dhe ndikim negativ, që shoqërohet me zgjerimin e fashës sociale dhe shfaqjes së njeriut, që pikërisht nga ky konceptim semplist dhe të deformuar të vlerës së sipërfaqsores, në shumë raste është me sjellje e natyrë arriviste, asociale, neurotike e kriminale, deri në kufijtë e një qenieje të keqintegruar me qytetërimin tonë.

    Padyshim, shoqëria shqiptare është në fazën e zhvillimeve postmoderne. Në qëndër të saj është “njeriu liberal i cliruar nga dominance e vulgaritetit social”. Por kjo nuk është ekuivalente me mbivlerësimin absolut të sjelljes sipërfaqësore, apo përshtatjes së jetës personale me kuadrin e një shoqërie të kthyer në “panair të kotësive”, si epidemi sociale që për shkak të sasisë, intensitetit dhe tendencës sociale gjithpërfshirëse, duket si tendencë gati e papërballueshme. Sepse është zgjeruar së tepërmi licencioziteti, si sjellje e shfrenuar pa norma dhe kufi moral, sidomos në fushë të dëshirave dhe kënaqësive sipërfaqsore si shprehje e kuptimit të ngushtë të lirisë personale.

    Sociologjikisht duke vlerësuar këtë situate, duket se jemi përballë një vale të fortë të sulmit ontologjik dhe fenomenologjik, që lidhen me krizën e njeriut që bashkëjeton me ne në këtë shoqëri të përbashkët, por që duke qenë i sipërfaqshëm, shpesh nuk di cfarë dëshiron, kë beson, apo nuk është në gjëndje të dallojë e të mbajë qëndrim të personalizuar për atë që është e mirë apo e keqe, e drejtë apo e gabuar. Është shqetësues fakti, që shoqërisë shqiptare po i shtohet “njeriu i sipërfaqshëm”, që ka principe të dobëta të vlerësimit të sjelljes sociale, që nuk do, apo nuk është në gjëndje, pikërisht nga që është i sipërfaqshëm dhe empiric, në atë që sociologu gjermano amerikan Leo Strauss e quan, “ndarje të fakteve të sjelljes personale nga mënyra e vlerësimit të tyre”.

    Kjo situatë ka marrë trajta kakofonike dhe ndërikon kufirin, midis njeriut moralisht objektiv nga ai thjesht i sipërfaqshëm dhe skllav iu dëshirave të veta. Shpesh sociologët, të “dorëzuar” nga pesimizmi për këtë situatë të mbivlerësimit të sipërfaqësores në emër të “versionit vetjak”, të ndërtimit të jetës si raport delikat midis natyrores individuale dhe koncepteve të njëtrajtshme sociale e konvencionale, mendojnë se tanimë ndodhemi përballë situatave, kur mbivlerësimi i sipërfaqsores dhe mohimi i cdo gjëje thelbësore, është kthyer në një “devijim social të papërballueshëm”. Kjo sepse sipërfaqsorja shfaqet e maskuar në të drejtën e individit për individualitet, të drejtën për të vlerësuar ato gjëra që përputhen vetëm me “versionin vetjak të lumturisë personale”. Këtu është problemi, sepse shpesh njeriu duke e mbivlerësuar veten vetëm si subjekt, harron efektet e mundësisë së përshtatjes së deformuar me shoqërinë dhe vlerat e saj.

    Padyshim, askush nuk mund të mohojë të drejtën e njeriut për individualitet, apo faktin që tashmë jetojmë në kohë postmoderne, e cila ka të pranishëm atë që Hannah Arendt, e quan “mentaliteti social i të përvecmes”. (Hanah Arend Valter Benjamin f. 53), apo sikurse mendon mendimtari Cesllac Millosh, se në shoqërinë moderne, “nuk ka më sistem të njëtrajtshëm mendimi”. (C Millosh, “Mendja e robëruar”, f. 24-25)

    Problemi nuk është i thjeshtë. Por nuk është edhe aq shumë i vështirë për të identifikuar fillesat patologjike të shfaqjes së njeriut, që vlerëson të sipërfaqshmen, apo që shfaqet me prirje thelbësisht sipërfaqsore, sepse në jetën tonë të përditshme ai është njeriu me të cilin ne bashkëjetojmë, edhe pse ky lloj njeriu nuk ka komunikim të qëndrueshëm, është shoqërisht thelbësisht eklektik, me tiparet e njeriut që bazohet në prirje spontane dhe komunikime të castit, pa pika të qëndrueshme të referencës sociale. Koha ka treguar se i pushtuar nga sipëfaqësorja mbetet ai mbetet gjithnjë i zhgënjyer përballë joshjeve të jetës dhe i dështuar në dëshirën për të qënë ndryshe, nga që duke qënë i sipërfaqshmë në jetë, ajo kthehet në një sindromë që shfaqet në formën tipikë të mëndjelehtësitë, që bëhet thelbësore për të.

    Duhet ndikim social për të zbutur këtë patologji endemike dhe epidemike të shfaqjes së njeriut të sipërfashëm, i cili jeton me iluzionin se kështu duket i lirë, dhe mbase ndihet i lumtur për momentin, por duke qënë njeri i sipërfaqshëm në instancë të fundit, mbetet pa “histori jetësore” personale, pa jetë të kuptimtë, sepse duke qenë njëdimensionalisht i sipërfaqshëm, është dhe do mbetet thjesht një qenie pa referenca sociale.

    Njeriu sipërfaqshëm dhe performanca në shoqëri Por problem nuk është thjesht individual apo i personalizuar, sepse zgjerimi i kësaj patologjie dhe zgjerimi kontureve të modelit të jetës së sipërfaqshme, po shoqërohet me mungesën e vlerave. Por kjo nuk është pak. Ajo rrezikon ta bëjë shoqërinë gjithnjë e më shumë anemike dhe sterile. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Punonjësit e arsimit në Strugë rrezikojnë të mbeten pa K15

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë