Ministria e Shëndetësisë: sot pritet vendimi për shpalljen e epidemisë në Gostivar

    Institucionet kompetente shëndetësore vazhdojnë të monitorojnë dhe hetojnë intensivisht rritjen e numrit të personave me simptoma të gastroenterokolitit në rajonin e Gostivarit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, përcjell Nistori.

    Për shkak të fluksit të madh të pacientëve brenda një periudhe të shkurtër kohore, situata zyrtarisht po trajtohet si një ngjarje epidemike aktive. Qendra e Shëndetit Publik (QSHP) në Tetovë pritet që sot të marrë vendimin për shpalljen e epidemisë në këtë rajon, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmundjet Ngjitëse.

    Dr. Dragan Koçinski, shef i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), deklaroi për mediat se gjatë ditës së sotme do të merret vendimi për shpalljen e epidemisë në rajonin e Gostivarit.

    “Është shënuar një rritje e numrit të rasteve dhe pragu epidemiologjik është tejkaluar prej javësh. Për shpalljen e një epidemie është e nevojshme që rastet e sëmundjes infektive të jenë të raportuara në shërbimin epidemiologjik. Gjatë ditës së sotme do të merret vendimi për shpalljen e epidemisë së kësaj sëmundjeje infektive. Një vendim i tillë do të mundësojë gjithashtu koordinim dhe komunikim më të mirë ndërmjet të gjitha institucioneve kompetente.

    U bëj thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me ekipet që zhvillojnë anketat epidemiologjike dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve shëndetësorë për dhënien e mostrave për analiza”, tha Koçinski.

    ISHP-ja ka ndaluar përdorimin e ujit të pijshëm, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të respektojnë këtë masë deri në njoftimin e radhës.

    “Deri më tani, anketat epidemiologjike nuk kanë treguar ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet rasteve. E vetmja gjë e përbashkët është se të gjithë të prekurit kanë përdorur ujë të pijshëm, ndërsa vetëm një numër i vogël kanë konsumuar ujë të ambalazhuar. Ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar një lidhje hapësinore ndërmjet rasteve dhe kjo do të analizohet më tej.

    Deri tani janë marrë 12 mostra nga pacientët. Pas kërkesës së Qendrës së Shëndetit Publik, Instituti i Shëndetit Publik doli menjëherë në terren dhe mori mostra të ujit për analiza mikrobiologjike dhe fiziko-kimike. Për të siguruar analiza profesionale dhe në kohë, ekspertët po i përpunojnë të dhënat edhe gjatë fundjavës, ndërsa rezultatet do t’i dorëzohen nesër Prokurorisë Publike”, shtoi Koçinski.

    Lajmi Paraprak

    Nga antikonformizmi te konformizmi, nder pa kuptim, pushtet pa kufij

    Lajmi i rradhës

    Jovanoviq: qeveria synon fondin privat të pensioneve për të zgjidhur problemet e saj buxhetore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë