MMPT: Problemet e Tetovës vazhdojnë të jenë si më parë, Kasami nuk solli përmirësimin që meriton qyteti i dy universiteteve

    Nesër mbushet 1 vit nga dita kur Komuna e Tetovës udhëhiqet nga Bilall Kasami. Sipas nismës së pavarur “Më Mirë Për Tetovën”, udhëheqësia e re e komunës erdhi me premtime ambicioze që do të përmirësojnë kushtet në Komunën e Tetovës, në të vërtetë situata në Tetovë lë shumë për dëshiruar, njofton Nistori.

    Sipas tyre, qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me të njëjtat probleme thelbësore si më parë. Për dallim nga udhëheqësia paraprake, udhëheqësia e tanishme e komunës dallohet me pak më tepër vullnet për të punuar, mirëpo, punët të cilat realizohen janë sipërfaqësore dhe jo thelbësore.

    “Aksionet e lirimit të hapësirave publike janë selektive, borxhi i Komunës i cili u publikua me shumë bujë në fillim të mandatit të Kryetarit Kasami, sot fshihet nga qytetarët e Tetovës; Punësimet partiake me kontrata për të cilat u kritikua ashpër udhëheqësia paraprake, gjithashtu janë shqetësim për opinionin.

    Transparenca dhe llogaridhënia ishin parime për të cilat ishte betuar udhëheqësia e re e Komunës së Tetovës, por ata dështojnë në mbajtjen e këtij premtimi. Gazetarët të cilët parashtrojnë pyetje në lidhje me borxhin e Komunës, nuk marrin përgjigje për këtë.

    Problemet e Tetovës vazhdojnë të jenë si më parë, aty ku i la ish-kryetarja:

    • Premtimi se do të lirohen hapësirat publike të gjelbra përgjatë rrugës Boris Kidriç që u shkatërruan dhe ju vodhën qytetit, nuk po i kthehen.
    • Hapësira e Qendrës Sportive vazhdon të mbetet e lënë pasdore me ferra. Tetovës përditë i zvogëlohen hapësirat publike për parqe ku qytetarët do mund të kalojnë kohë me fëmijët dhe familjet e tyre.
    • Qyteti vazhdon të mbetet pa shteg biçikletash me çka rrezikohet siguria e qytetarëve që përdorin biçikleta, dhe demotivohen për ta përdorur të tjerët si mjet që ndikon në uljen e ndotjes dhe kaosit në trafik.
    • Qentë endacakë vazhdojnë të paraqesin rrezik serioz për qytetarët.
    • Arsimi vazhdon të jetë i partizuar. Punësimet në arsim dhe në komunë shfrytëzohen për të rahatuar kuadrot e partisë.
    • Kaosi në trafik dhe mungesa e parkigjeve janë aktuale.
    • Ndërtimet pa leje nuk janë ndaluar.

    Në vend të angazhimit për krijimin e kushteve për kthimin e rinisë në vendlindje, udhëheqësia aktuale preferon të vizitojë rininë tonë në mërgim. Këta vizita nuk është e qartë nëse realizohen në cilësi të udhëheqësisë partiake, apo të udhëheqësisë komunale.

    Me këtë, shkelet një nga vërejtjet kryesore të Komisionit Europian, për mosndarje të qartë mes partisë dhe pushtetit. Deri më tani klientelizmi dhe populizmi janë tiparet dalluese të kësaj udhëheqësie komunale.

    Nga puna njëvjeçare e udhëheqësisë së re mund të konstatojmë që në Tetovë nuk ka ndodhur ndryshimi i shumëpritur, por vetëm një zëvendësim sipërfaqësor. E ftojmë kryesinë e Komunës që të mos i ik përgjegjësisë dhe të jep llogari për moszgjidhjen e problemeve kyçe të qytetit, dhe të angazhohen për zgjidhjen e të njëjtave.” – kumtojnë nga MMPT.

    Ndryshe, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 31 tetor, votuan 39,371 votues nga numri i përgjithshëm prej 85,577. Dallimi i i votave midis dy kandidatëve ishte 5,049 vota (12,82%) nga ku Bilall Kasami, nga Lëvizja Besa doli fitues me 21,591 vota (54,84%) nga ku mundi Teuta Arifin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila mori 16,542 vota (42,02%).

    Lajmi Paraprak

    Liderët e Ballkanit Perëndimor me marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve dhe diplomave

    Lajmi i rradhës

    Gardhet e reja kufitare të Europës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë