“MMPT”: Vazhdon zhvatja e tetovarëve nga “Saubermacher”, faturat e reja do të rëndojnë edhe më tej gjendjen e qytetarëve

    MMPT

    Organizata “Më mirë për Tetovën” ka reaguar në lidhje me faturat për mbeturinat për qytetarët e Tetovës. Agron Arifi nga MMPT sot në një paraqitje para mediave tha se vazhdon diskriminimi dhe zhvatja e tetovarëve me çmimet absurde të faturave nga Saubermacher.

    Ai theksoi se në seancën e fundit të jashtëzakonshme në Këshillin e komunës së Tetovës, në vend që të përmirësohet gabimi me çmimet e larta që faturohen nga Saubermacher, mbledhja kaloi në absurditet.

    “Duke mos ditur se si të menaxhojnë me situatën kaotike që vetë e krijuan, udhëheqësia e komunës solli një vendim skandaloz që bën ndarje dhe diskriminim mes banorëve të Tetovës. Komuna i ndau banorët në qytetar-fshatar, të pasur-të varfur dhe mërgimtar-vendas. Sipas marrëveshjes së re faturat për qytetin do të faturohen sipas m2, ndërsa për fshatrat do të vlej çmim paushall. Qytetarët që do përballen me fatura të larta do duhet të takohen me kryetarin e komunës dhe ai nga vullneti i mirë do të ua shlyejë nga përllogaritja m2 e bodrumeve, shkallëve, ballkoneve dhe nënkulmeve”.

    “Për fat të keq, këshilli i Komunës së Tetovës është shëndëruar në një cirk ku vendimet e palogjikshme godasin qytetarin. Derisa partitë politike luftojnë për poena politike para zgjedhjeve, askush nuk interesohet që t’i mbroj interesat e qytetarëve. Kryetari i komunës dhe këshilltarët duhet ta kenë të qartë se vendimet në këshillin komunal duhet të vlejnë njejtë për të gjithë banorët e komunës së Tetovës dhe nuk mund të bëhet dallim mes tyre. Çdo tentim për ndasi dhe vendime me standarde të dyfishta për banorët është diskriminim i pastër”.

    “Faturat e reja do të rëndojnë edhe më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve të cilët edhe ashtu ballafaqohen me çmime të larta të rrymës dhe harxhimeve të përditshme.Tanimë është e qartë që udhëheqësia e Komunës ka humbur sensin me realitetin dhe nuk është e aftë të menaxhojë problematikën në fjalë”, tha Agron Arifi.

    Ai iu bëri thirrje qytetarëve të Tetovës që t’i kundërvihen këtij diskriminimi dhe zhvatje nga Komuna, dhe mos të bijnë pre e papërgjegjësisë së Komunës./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Demiri për grevën e specialistëve: në këtë moment ka prapavijë politike, pas zgjedhjeve do të shqyrtohen kërkesat e tyre

    Lajmi i rradhës

    LSDM-ja dhe VMRO-ja refuzojnë kushtin e BDI-së për presidentin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë