MOSBINDJA TE FËMIJËT | Psikologët: Jo dhunë, por komunikim të shëndetshëm

    Të qenurit prind aq sa është ndjenjë jashtëzakonisht e bukur, ndonjëherë dinë që të bëhet edhe puna më e vështirë pasi koha në të cilën po jetojmë bënë që në shumicën e rasteve fëmija të mos i bindet rregullave të vendosura nga prindi. Si pasojë e këtij fenomeni prindërit si zgjidhje të vetme e shohin dënimin, ngritjen e zërit, apo edhe dhunën fizike. Por cili është imazhi që krijohet tek fëmija në bazë të këtyre masave. Vlerësimet e ekspertëve janë se në ato momente fëmija vetëm krijon mendimin se ju keni humbur autoritetin mbi ta dhe fuqia e vetme që keni është të rrisni zërin apo ta dënoni.

    Sipas sociologut Ali Pajaziti dhuna është vetëm një anti-agjent që nëse ushtrohet në familje jep impakt negativ për fëmijën në të ardhmen.

    “Dhuna është një anti-agjent social që nëse ushtrohet në mjedisin familjar ka impakt jashtëzakonisht negativ në psikologjinë dhe personalitetin e fëmijëve dhe të brezave. Kundër-kultura e quajtur dhunë prodhon komplekse të individualitetit që pasqyrohen në sociabilitetin e tyre, në shndërrimin e tyre në persona me prirje për dhunë që nga shkolla e deri tek ambientet e tjera. Më e keqja është se ata mund që të kalojnë në fazën e kriminogjenitetit permanent. Andaj e nevojshme është që të instalohet kultura e mirëfilltë, edukata familjare, si dhe vlerat autentike që promovojnë frymë butësie, dashuri, respekt, empati, mësim, e gara tjera të ngjashme”, ka deklaruar për Koha, Ali Pajaziti, sociolog.

    Dhunën si shkatërruese të imazhit të prindit në sytë e fëmijës e vlerëson edhe psikologja Fatime Ziberi e cila në një deklaratë për gazetën Koha tha se dhuna pavarësisht llojit dhe formës në të cilën përdoret ajo është imazh i pakëndshëm dhe traumatik.

    “Pavarësisht llojit dhe formës në të cilën përdoret dhuna ajo mbetet një imazh jo i këndshëm dhe traumatik për personin ndaj të cilit ushtrohet dhuna, e sidomos nëse personi është fëmijë apo i mitur”, potencoi psikologja Ziberi.

    Derisa foli për pasojat, ajo tha se të qenurit dëshmitar i dhunës fizike apo psikike për fëmijën do të krijonte pasoja serioze në të gjitha periudhat e jetës së tij.

    “Ai fëmijë që rritet me një model jo të shëndetshëm, shumë lehtë mund të marrë apo përvetësoj sjellje të pahijshme qoftë për përdorimin e fjalëve vulgare apo tentimet për të ushtruar dhunë. Gjithë kjo ndodh pasi fëmija është rritur dhe zhvilluar me këtë model dhe imazh të krijuar, që më vonë do t’i bëhet imazh të cilin do ta ndjek pasi që ai nuk ka parë ndonjë imazh tjetër. Ai akoma nuk ka aq aftësi intelektuale që të dijë se jashtë asaj skeme të modelit familjar ka shumë mënyra dhe modele të shëndetshme të komunikimit. Fatkeqësisht këto pasoja janë afatgjate. Persona me përvoja të tilla kanë potencialin të zhvillohen si persona të ftohtë, pa emocione, si dhe me pasiguri për rrethin dhe gjithmonë do të jenë në gatishmëri për tu mbrojtur, nga siç e vlerësojnë ata ‘rreziqet e jashtme’”, deklaroi psikologja Ziberi.

    Ajo shton se padyshim që fëmijët të cilët kanë qenë të ekspozuar në dhunë kanë probleme dhe vështirësi të mëdha psikologjike, madje këta persona në shumicën e rasteve përfundojnë me depresion apo psikoza të ndryshme e që shumica nga ta përfundojnë edhe si kriminel e delikuent.

    Lajmi Paraprak

    T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D

    Lajmi i rradhës

    Burrat dhe gratë e përjetojnë ndryshe stresin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë