MOSDHËNIA E NËNSHTETËSISË | “Vetëm pse jam shqiptar”

    Përderisa Agjencia për Siguri Kombëtare nuk ngurron dhe për një kohë shumë të shpejtë i pajis me shtetësi oligarkët pro-rusë dhe me kërkim ndërkombëtar, qytetarë të shumtë janë viktimë e procedurave burokratike. I tillë është edhe rasti i familjes Azizi nga Kumanova. Që nga viti 1953 jetojnë në Kumanovë, por pa të drejtë të shtetësisë.

    “Derisa oligark kontrovers dhe kriminel në kërkim ndërkombëtarë marrin pa problem shtetësi në vendin tonë, këtu ka akoma qytetarë të cilët kanë lindur, janë rritur, punojnë dhe veprojnë por shteti ynë vazhdon t’i llogarisë të rrezikshëm. Një rast i tillë është në Kumanovë”, raporton Adrian Kerimi, gazetar.

    “Nëse jam i rrezikshëm për shtetin, atëherë pse jam i lirë unë?”.

    Ramadan dhe Imer Azizi janë dy vëllezër nga Kumanova të cilët nuk gëzojnë shtetësi. Bashkë me familjen në Kumanovë jetojnë nga viti 1953.

    “Jemi lind, jemi rrit, jemi shkolluar këtu e gjithë familja, dy vëllezër dhe tri motra. Ne nuk jemi shtetas, por jemi qytetar. Ne nuk jemi të ardhur ne jemi të lindur këtu”, tha Ramadan Azizi, Qytetar i Kumanovës.

    Ai pretendon se ka një arsye pse autoritetet nuk i japin shtetësi.

    “Faktikisht unë mund të jem fajtor vetëm se jam shqiptar, fakt tjetër nuk ka. Jam fajtor për këtë. Ky është një argument heshtës dhe bindës. Ku të shkon në çdo shtet të botës ke drejt për një dokument identifikimi. I lindur, i rritur, taksapagues, qytetar i këtij vendi dhe të mos kesh shtetësi, kjo është absurde”, u shpreh Ramadan Azizi, qytetar i Kumanovës.

    Aplikimin e fundit e ka bërë në vitin 2021 pak ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për shtetësi. Që atëherë edhe pse Agjencia e Sigurisë Kombëtare detyrohet ligjërisht t’i kthen përgjigje për gjashtë muaj, Azizi nuk ka asnjë përgjigje qoftë edhe negative.

    “Pritëm tani në vitin 2021 kur u bë ligji i fundit sipas nenit 7, aplikova për shtetësi unë dhe vëllai. Aplikova por për një vit e gjysmë nuk kam akoma asnjë përgjigje”, u shpreh Ramadan Azizi, qytetar i Kumanovës.

    Ramadan Azizi është i martuar dhe shtetësia nuk i është mundësuar as përmes bashkimit familjar, duke iu mohuar padrejtësisht mbi tri baza ligjore si: i lindur në këtë vend, duke plotësuar kushtin ligjor të qëndrimit si dhe përmes bashkimit familjar. Fëmijët e tij kanë shtetësi falë bashkëshortes. Ndërkohë vëllai i tij është invalid i dy luftërave, në betejën e Koshares dhe në vitin 2001 në Tetovë. Në mungesë të sigurimit shëndetësorë dhe punësimit, ekzistencën e sigurojnë me punë private. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit shqiptarë të Çashkës nuk e shënuan sot Ditën e Alfabetit

    Lajmi i rradhës

    Nëse ekonomia gjermane kollitet, për Maqedoninë është grip

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë