MPJ dhe Mbrojtja vendosin për mbërritjen e Lavrovit

    Qeveria sot ka miratuar ndryshime në Vendimin për vendosjen e masave kufizuese në lidhje me aktivitetet e Federatës Ruse, me të cilat kufizohet hyrja e avionëve të Federatës Ruse, në përputhje me Rregulloren e Këshillit të BE-së nga Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë.

    Sipas qeverisë, Ministritë kompetente të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes do të mund të vendosin për dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e avionit rus gjatë Këshillit ministror të OSBE-së në Shkup, në periudhën nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023.

    Ndryshimi, siç thuhet në njoftimin e qeverisë është në përputhje me rregulloren e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, të cilat për konferencat ndërkombëtare siç është Samiti i OSBE-së në Shkup, parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë.

    Por, që pjesëmarrja e Ministrisë të Jashtëm rus, Lavrov të jetë e sigurt ndalesa për fluturime duhet të hiqet edhe nga një shtet fqinj i Maqedonisë, Bullgaria apo Greqia.

    Shefi i diplomacisë ruse i ka dërguar një letër Ministrit të Jashtëm, Bujar Osman në fillim të nëntorit në të cilën, “ka treguar interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup”.

    Këshilli Ministror i OSBE-së që do të mbahet në Shkup shihet si një ngjarje kyçe në të cilën do të vendoset se si do të funksionojë organizata në të ardhmen duke pasur parasysh pengesat dhe bllokadat e vazhdueshme të vendosura nga Rusia që nga pushtimi i Ukrainës.

    Një nga sfidat kryesore është gjetja e një vendi që do të marrë presidencën nga Maqedonia për vitin e ardhshëm.

    Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se tre skenarët për zgjidhje të mundshme që kanë qarkulluar deri më tani në opinion janë ende në lojë.

    E para është të arrihet një konsensus për kryesimin e Estonisë, e dyta është gjetja e një vendi tjetër për të cilin 57 shtete anëtare do të arrijnë një konsensus dhe e treta është që Maqedonia e Veriut të jetë në krye të organizatës edhe vitin e ardhshëm.

    Në Këshillin Ministror në Shkup që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor do të marrin pjesë 76 delegacione, 57 nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe shtetet e tjera partnere të organizatës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    LEN kërkon shkarkimin e Artan Grubit

    Lajmi i rradhës

    Tentime për të “shlyer” kryeministrin shqiptar!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë