Tentime për të “shlyer” kryeministrin shqiptar!

    Në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, skena politike po bëhet gjithnjë e më dinamike në Maqedoni. Së fundmi ajo që bie në sy është kërkesa e kryetarit të VMRO-së, Hristijan Mickoski për fshirjen e qeverisë teknike në 100 ditët e fundit. 

    “Nëse më pyesni mua si politikan dhe si person që udhëheq partinë më të madhe politike në Maqedoni VMRO-DPMNE, nuk shoh më nevojë për qeveri teknike, thotë kryetari i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski në një paraqitje televizive. Mickoski tha se për të është poshtëruese që BDI-në, e cila është në epiqendrën e skandaleve kriminale dhe korruptive, të emërojë kryeministër dhe se një vend që lutet për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të tregojë përgjegjësi dhe pjekuri.

    “Para së gjithash, për mua si qytetar dhe si politikan është poshtëruese që partia e cila kohët e fundit është në qendër të skandaleve, që është BDI, të propozojë kryeministër. Nuk shoh se çfarë cilësie mund të sjellë ai kryeministër dhe çfarë vlere të shtuar. Së dyti, vlerësoj se një vend që kërkon të jetë pjesë e BE-së duhet të tregojë njëfarë përgjegjësie dhe pjekurie. Duhet të tregojmë se jemi të pjekur”, theksoi Mickoski.

    Ndërkaq, analisti politik, Dame Çkatroski thotë se BDI asnjëherë nuk ka kërkuar kryeministër shqiptarë, por ka kërkuar kryeministër teknik shqiptarë. Sipas tij për këtë pozitë në lojë janë dy emra, Milaim Fetai dhe Fatmir Bytyqi.

    “BDI nuk ka kërkuar asnjëherë kryeministër shqiptar nga BDI-ja, janë histori laramane. BDI kërkon kryeministër teknik shqiptar. Dy emra kanë mbetur nga spekulimet për një kryeministër shqiptar të Qeverisë teknike – Milaim Fetai, ambasadori ynë në Zagreb dhe Fatmir Bytyqi.  Të gjitha këto mund të plotësojnë kërkesat të BDI-së, pavarësisht nga përkatësia partiake. Dhe unë mendoj se njëri prej tyre e mbyll këtë histori.

    Ai theksoi se duhet të ulen me partitë në pushtet dhe partitë e tjera parlamentare dhe të bien dakord për fshirjen e qeverisë teknike dhe jo vetëm në këto zgjedhje por edhe në të gjitha zgjedhjet në vijim, duke theksuar se ka më shumë pengesa sesa diçka që mund t’i shtojë vlerë procesit.

    “Ndoshta të duket e çuditshme tani që po flas nga pozicioni i opozitës në sy të zgjedhjeve. Por më besoni, e them më sinqerisht këtë dhe vlerësoj që së bashku me partitë politike në pushtet dhe partitë e tjera parlamentare, duhet të ndërhyjmë në Kodin Zgjedhor dhe të fshijmë atë pjesë të qeverisë teknike dhe praktikisht nga ky moment e tutje duhet të ketë një qeveri me legjitimitet politik. Jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe është një qeveri që do të jetë në gjendje t’i udhëheqë proceset me legjitimitet politik, sepse po e përsëris se në qeverisjen teknike ka më shumë pengesa sesa diçka që mund t’i shtojë vlerë procesit. Dhe nga ana tjetër, për mua është poshtëruese të shoh se si një parti në parlament, e cila padyshim është në epiqendrën e shumë skandaleve kriminale dhe korruptive kohëve të fundit, propozon personin e parë në atë pozitë”, theksoi Mickoski.

    I pyetur nëse është i gatshëm të pranojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të pasojnë dhe ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, Mickoski tha: “Po, jemi gati”.

    Nga ana tjetër, Bujar Osmani ditë më parë duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari tha se nuk ka vend për diskutim nëse do të ketë kryeministër shqiptar.

    “Do të ketë një kryeministër të propozuar nga BDI në 100 ditët e fundit. Kjo është pjesë e marrëveshjes dhe nuk ka vend për negociata. Nuk kemi arritur në atë fazë që të diskutojmë se si do të jenë zgjedhjet, në cilin drejtim do të jenë, me çfarë koalicionesh dhe me cilët kandidatë. Tani jemi në fazën e përcaktimit të datës së zgjedhjeve dhe nëse ato do të mbahen së bashku apo të ndara. Takimet e fundit që janë bërë me LSDM-në kanë qenë ekskluzivisht për këtë temë”, tha Bujar Osmani. /koha/

    Lajmi Paraprak

    MPJ dhe Mbrojtja vendosin për mbërritjen e Lavrovit

    Lajmi i rradhës

    Kasami: stadiumi i Tetovës do të ndërtohet për 3 vjet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë