MPJ i reagon ministres ruse: Maqedonia është shtet sovran që vendimet e veta i merr në mënyrë të pavarur

    Rusia e konsideron gabim të madh vendimin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për t’i dhuruar tanke Ukrainës, ka deklaruar zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova.

    Ajo tha se Maqedonia e Veriut i ka dhënë mbështetje “vazhdimit të aktiviteteve kriminale të regjimit në Kiev”.

    “Përkundër faktit se, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një donacion ‘të padëmshëm’ të pajisjeve të vjetruara, Maqedonia e Veriut si besnike e NATO-s, është përfshirë në dërgimin e armëve në Ukrainë, duke kontribuar kështu në vazhdimin e aktivitetit kriminal të regjimit në Kiev kundër popullatës civile në Donbas”, tha Maria Zaharova, Zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

    Sipas Zaharovës, ky gabim i madh i institucioneve të shtetin çon në përkeqësim të mëtejshëm të situatës.

    Në lidhje me këtë nga Ministri e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, thonë se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sovran që vendimet e veta i merr në mënyrë të pavarur.

    “Që në fillim, Maqedonia e Veriut dënoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe qëndroi në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, dhe mbi të gjitha në mbështetje të paqes, të drejtave të njeriut dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Përkatësisht, deri më tani, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa Vendime për ndihmë ushtarako-teknike me të cilat ndihmojmë Ukrainën në mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale, e cila është e kërcënuar me ndërhyrje ushtarake. Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike – Aleancës së NATO-s, qëndron pas vendosmërisë së Aleancës për të qenë garantuese e paqes dhe sigurisë së vendeve anëtare dhe për mbrojtjen e vlerave, lirisë dhe sigurinë e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

    Vendi më 29 korrik bëri të ditur se i ka dhuruar tanke Ukrainës, të cilat, sipas Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë tanke të gjeneratës së tretë, dhe duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsiderohen jo konkurruese dhe jo kompatibile. Vendi i ka dhuruar më parë Ukrainës pajisje mjekësore dhe ndihma tjera për popullatën civile. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Banorët e fshatit Pallçisht që 20 vite kanë ujë vetëm dy orë brenda ditës

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE-ja nuk e ka definuar pyetjen me të cilën propozojnë që vendi të shkojë në referendum

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë